Ndërlidhjet

KELMENDI: RRUGA MË E MIRË, MË E DREJTË DHE MË E QËNDRUESHME DO TË ISHTE NJOHJA E DREJTPËRDREJTË E PAVARËSISË SË KOSOVËS


Nekibe Kelmendi, deputete e LDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kelmendi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan, ka thënë se do të rekomandojë fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Besoni se në gjysmën e dytë të këtij muaji edhe Këshilli i Sigurimit do t’u japë dritën e gjelbër këtyre bisedimeve?

NEKIBE KELMENDI
Jam e bindur se më në fund ka ardhur koha, që të fillojnë bisedimet për statusin politik përfundimtar të Kosovës, sepse edhe ashtu me Rezolutën 12 44 ka qenë e paraprirë që fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës pas 3 vjetësh. Megjithatë kaluan 6 vite dhe mendoj se tash pikërisht ajo gjysma e dytë e tetorit do të jetë momenti kur do të nisin këto bisedime.
Unë jam thellë e bindur se nga data 24 ose 25 tetor do të fillojnë në realitet dhe se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën, sepse më në fund hapet rruga që Kosova të ecë drejt realizimit të synimeve të veta.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi negociator i Kosovës ka thënë se platforma e vetme është pavarësia pa ndonjë kompromis. Si e vlerësoni këtë platformë dhe vetë përbërjen e grupit?

NEKIBE KELMENDI
Së pari do të thoja se grupi për negociata është shumë grup i qëlluar dhe vendimi i presidenti Rugova ka qenë një vendim historik ta quaj, sepse ka reflektuar unitetin si të popullit shqiptar brenda përbrenda Kosovës, ashtu edhe të kryetarëve të partive politike.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se më 25 tetor besoni se do të fillojnë negociatat për statusin, po si e shihni ju procesin e përcaktimit të statusit, nëpërmjet bisedimeve, referendumit apo të ndonjë konference ndërkombëtare?

NEKIBE KELMENDI
Ne si popull dëshirojmë që të njihet pavarësia e Kosovës, të fillojë njohja e saj në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk është që në këto troje në ish-Jugosllavi nuk ka pasur njohje të drejtpërdrejtë, e keni shembullin më të mirë të Kroacisë, në të cilin rast Gjermania ishte e para që i dha dritën jeshile për njohje edhe nga ana e shteteve tjera. Po them se rruga më e mirë, më e shkurtër dhe më e qëndrueshme do të ishte njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë. Por, nëse nga bashkësia ndërkombëtare na imponon ndonjë konferencë ndërkombëtare për Kosovën, natyrisht ne do të duhej të marrim pjesë edhe në ato konferenca. Kurse sa i përket referendumit, mendoj e ne veç e kemi shprehur njëherë vullnetin tonë dhe çdo vullnet i shprehur s’ka mundësi të anullohet. Nuk është ai një dokument i parëndësishëm, është dokument historik. Tash vetëm mund të nxjerrim ndonjë rezolutë apo akt tjetër politik, që të rikonfirmohet ai vullnet i popullit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku i shihni ju përfaqësuesit e komunitetit serb të Kosovës në procesin e përcaktimit të statusit ?

NEKIBE KELMENDI
Unë ata i shoh akoma të përçarë, sepse për fat të keq Serbia ende nuk është liruar nga ideologjia millosheviçiane. Është edhe vetë klasa politike e Serbisë e ndarë dhe nuk kanë koncept të qartë lidhur me të ardhmen e Kosovës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ata akoma nuk e pranojnë realitetin se Kosovën e kanë të humbur.
Dhe kjo do të ndikojë te serbët vendorë, që edhe këta të jenë të ndarë, megjithëse do të dëshiroja që këta t’i bashkohen grupit shqiptar dhe të jenë me palën shqiptare kur të bisedohet për çështjen e statusit të Kosovës, sepse ma merr mendja se askund nuk do të mund t’u sigurojë të drejta më të mëdha dhe askund nuk do të aplikohet i ashtuquajturi diskriminim pozitiv, sesa në rastin e tyre. Kjo zaten është vërejtur në këto 6 vitet e kaluara.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka thënë se Mitrovica do ta sfidojë statusin përfundimtar të Kosovës. Mendoni se do të ketë zgjidhje të çështjes së Kosovës pa u zgjidhur më parë çështja e veriut?

NEKIBE KELMENDI
Kjo do të ishte e preferueshme, por frikësohem se do të mbetet si çështje që do të shtrohet në tryezën e bisedimeve për Kosovën. Megjithatë kam një optimizëm se kjo do të zgjidhet përpara se të fillojë zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës. Këtë e them për faktin se edhe Grupi i Kontaktit edhe SHBA edhe bashkësia ndërkombëtare si tërësi, është deklaruar se nuk ka ndryshim të kufijve të Kosovës nga ata që ishin në vitin 1974. Sigurisht që Serbia dhe pala serbe këtu në Kosovë do të përpiqen që të nxjerrin një përfitim në formë të ndonjë komune apo forme tjetër për veriun e Mitrovicës, që për mendimin tim është e papranueshme. Të gjitha çështjet sa i përket organizimit territorial duhet të bëhet me ligjin për administratën lokale. Mirëpo dihet se Mitrovica e veriut do të jetë pjesë përbërëse e Kosovës dhe nuk do të vihet në dyshim ndarja apo shkëputja e asaj pjese të Kosovës.
Nëse ajo ndodh, që prapë po e përsëris nuk do të ndodhë, atëherë hapet Kutia e Pandorës dhe hapen shumë probleme në rajon. Hapet çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, çështja e shqiptarëve në Maqedoni, që nuk do të ishte e preferueshme që të shkaktohen tash trazira, pasi atje ka filluar të mbretërojë një paqe më e qëndrueshme se më parë. Hapet edhe çështja e shqiptarëve të Malit të Zi dhe kjo nuk do të çonte askund tjetër pos edhe njëherë te trazirat e Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë roli mendoni se do të ketë prania ndërkombëtare në Kosovë pas zgjidhjes së statusit përfundimtar?

NEKIBE KELMENDI
Mendoj se do të jetë më se e domosdoshme prania ushtarake e bashkësisë ndërkombëtare derisa Kosova të formojë ushtrinë e vet. Por, nëse realizohet ajo që synohet, që që të gjithë të integrohemi në Evropë, atëherë unë besoj se edhe rolet e ushtrive në shtetet rajonale humbin rëndësinë e vet, sepse në Evropë, në BE ata do të duhej t’i nënshtrohen kushtetutës së BE-së dhe rregullave që parashihen për çështjet e sigurisë në vendet e rajonit.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG