Ndërlidhjet

EIDE: PROÇESI I KOSOVËS DO JETË I NDRYSHËM NGA PJESËT E TJERA TË ISH-JUGOSLLAVISË


Kai Eide, i dërguar i posaçëm i kreut të OKB-së për Kosovën

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Eide, si do ta përmblidhnit raportin që i keni dorëzuar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan?

KAI EIDE
Gjetjet kryesore të këtij raporti janë të përziera, por më duhet të them se ka pasur arritje të jashtëzakonshme në disa fusha siç janë ndërtimi i institucioneve dhe krijimi i një kornize ligjore. Duhet kujtuar se në vitin 1999 nuk kishim asgjë nga këto dhe gjithçka u ndërtua nga zeroja. Mendoj se parë nga ky këndvështrim ka arritje të mëdha. Por njëherësh ka pasur dhe disa mangësi thelbësore siç është një sistem i dobët i drejtësisë, mungesë respekti për shtetin ligjor dhe duke kaluar tek marrëdhëniet ndëretnike mund të them se shumë pak zhvillime pozitive ka pasur në këtë drejtim, derisa proçesi i pajtimit nuk ka filluar.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke mbetur në të njëjtën temë çfarë do të veçonit si pikat e forta dhe të dobëta të shoqërisë kosovare, ndonëse disa prej tyre sapo i përmendët.

KAI EIDE
Do të bëja një paraqitje të përgjithshme. Fakti që kemi institucione, të cilat funksionojnë, ndonëse jo në mënyrë të përkryer, sërish funksionojnë, është arritje. Kjo sa i përket anës politike, por ka dhe një sistem që kryen shërbimet ndaj qytetarit në të gjithë Kosovën, siç është sistemi i shëndetësisë dhe i arsimit. Krijimi i këtyre sistemeve ka marrë shumë energji dhe për mua këto janë arritje të jashtëzakonshme. Nga ana tjetër unë sapo i përmenda disa nga mangësitë, të cilat janë shumë serioze.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Eide, Kofi Annan tha se sipas të gjitha gjasave do rekomandojë hapjen e bisedimeve për statusin. Si e shihni proçesin e bisedimeve të statusit?

KAI EIDE
Kjo nuk varet nga unë, por siç e kam thënë dhe në raport ne duhet të lëvizim përpara në këtë drejtim, por natyrisht duhet të bëjmë hapa të matur dhe nuk duhet të nxitojmë në këtë proçes. Mendoj se ky proçes do jetë shumë i ndryshëm nga ai që kemi parë në Bosnjë Hercegovinë, apo çfarëdo lloj pjese tjetër të ish Jugosllavisë. Ndaj ekziston nevoja për të përdorur gjithë kohën e nevojshme, të mos vendosim afate kohore artificiale, por të shkojmë në negociata me durim dhe qetësi. Shpresoj se kjo do të ndodhë. Mendoj se për Kosovën është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të përfshihen në proçes e të ecin së bashku gjatë tërë këtij proçesi. Në momentin që ky proçes do të fillojë nuk duhet të bllokohet nga askush dhe duhet të arrijë në fundin e tij të natyrshëm. Këto janë vlerësimet e mia: Mos nxitoni, përdorni gjithë kohën e nevojshme dhe gjeni rezultate që do kontribuojnë në stabilitetin e gjithë rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni ju pozicionet e faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë rreth Kosovës, kur dihet se keni kontaktuar shumë prejt tyre për këtë çështje gjatë muajve të fundit?

KAI EIDE
Pyetja juaj e tejkalon mandatin tim, pasi detyrat e mia ishin të kufizuara në vlerësimin nëse kishte ardhur koha për të filluar proçesin e statusit të ardhshëm. Detyra ime nuk ishte të përcaktoja se cili duhet të jetë rezultati përfundimtar i këtij proçesi. Lidhur me detyrat që më ishin ngarkuar mund të them se asnjëherë nuk ekziston një moment ideal për të filluar hapjen e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës. Madje nuk ekziston asnjë moment i mirë për këtë proçes, por bindja ime është se ka ardhur koha për të nisur, pasi që nga viti i kaluar ekziston një dinamikë tjetër në Kosovë. Ka një proçes politik që po zhvillohet dhe mendoj se do të ishte e gabuar që të ndërpritej ky proçes, madje do ishte kundërproduktive. Së dyti mendoj se ne duhet të pranojmë faktin se nuk mund të arrihet më shumë se ç'është arritur në përmbushjen e standardeve. Një shtyrje qoftë dhe për disa muaj është e panevojshme. Më duhet të them se pika më e rëndësishme është që proçesi i standardeve do vazhdojë dhe se ka përpjekje serioze për të përmirësuar gjendjen në fushat ku përmirësimi është i nevojshëm. Kam parë gjithahstu edhe reagimet e udhëheqësve shqiptarë të Kosovës gjatë ditëve të fundit, të cilët e pranojnë faktin se ka mangësi dhe duhet vepruar për të rregulluar gjendjen. Një tjetër moment i rëndësishëm është se të gjithë kanë nevojë për qartësi; shqiptarët e Kosovës kanë nevojë të dijnë se çfarë po ndodh me ta, serbët e Kosovës kanë nevojë për qartësi të situatës në mënyrë që të vendosin nëse do kthehen apo jo, mendoj se gjithë rajoni ka nevojë për qartësi. Bashkësia ndërkombëtare ka nevojë për qartësi derisa këto bisedime duhet të nisin kur bashkësia ndërkombëtare është ende e pranishme në mënyrë të fuqishme në Kosovë. Mendoj se edhe Beogradi ka nevojë për këtë qartësi, pasi kjo ka qenë një çështje tepër e vështirë për ta e do të mbetet e tillë edhe gjatë negociatave, por mendoj se ka ardhur koha për një gjë të tillë.

RADIO EVROPA E LIRË
Të mbetemi tek dimensioni rajonal i çështjes së Kosovës. Si e shihni ju rolin e Tiranës, Shkupit e Beogradit në këtë drejtim?

KAI EIDE
Ne kemi këtu palët e përfshira drejtpërsëdrejti siç është Prishtina dhe Beogradi. Serbët e Kosovës duhet të jenë të përfshirë në mënyrë të kënaqshme, ashtu siç duhet të këshillohen dhe bashkësitë e tjera që jetojnë në Kosovë. Përveç këtyre mendoj se është e rëndësishme që veçanërisht Shkupi e Tirana, por dhe fqinjët e tjerë të dëgjohen e këshillohen, t'u shpjegohet proçesi, pasi na duhet mbështetja e tyre për proçesin dhe për zgjidhjen që do arrijë ky proçes. Vetëm në këtë mënyrë do kemi një zgjidhje të qëndrueshme dhe stabël.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Eide a mendoni se proçesi i statusit të Kosovës dhe Malit të Zi, kur Podgorica e ka bërë të qartë se do mbajë referendum për pavarësi, janë të lidhura me njëra- tjetrën?

KAI EIDE
Nuk do të kaloja në këtë temë, për më tepër që Mali i Zi del jashtë mandatit që më ishte ngarkuar. Unë jam përqëndruar vetëm tek Kosova dhe ndikimet rajonale, por nuk kam shkuar aspak në çështjen e Malit të Zi, për të cilën nuk kam pasur mandat.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Eide, ekspertë dhe politikanë kanë thënë se rezultati i bisedimeve për statusin do jetë pavarësia e kushtëzuar. Në një rast të tillë, cili do jetë raporti mes pavarësisë dhe sovranitetit?

KAI EIDE
Me këtë pyetje ju po shkoni jashtë mandatit tim për hartimin e raportit. Ndoshta një ditë, në të ardhmen, do të kem një qëndrim lidhur me këtë temë, por për momentin nuk kam.

Intervistoi: Ilirjana A. BAJO

XS
SM
MD
LG