Ndërlidhjet

QEVERIA E KOSOVËS PO NDËRMERR MASA PËR PARANDALIMIN E GRIPIT TË SHPEZËVE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast infektimi me virusin të njohur si gripi i shpezëve, por qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij virusi, i cili tashmë ka shënuar raste të paraqitjes edhe në rajon, përkatësisht në Rumani dhe Turqi, ka thënë sot Naser Rugova, këshilltar i kryeministrit të Kosovës Bajram Kosumi.
"Ne i kemi bërë të gjitha analizat e mundshme për rrjedhat e gripit të shpezëve, për shkallën e infektimit, që mund të jetë me pasoja për gjithë rajonin. Fatmirësisht në Kosovë nuk është regjistruar asnjë rast i vetëm dhe ne i kemi marrë të gjitha masat e nevojshme."
Ndërkaq zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Tom Hajdaraj, theksoi se tashmë është krijuar programi për parandalimin e virusittë gripit të shpezëve, ndërkohë që janë ndërmarrë edhe hapat e parë parandalues.
"Që nga nata e mbrëmshme kemi marë hapin e ndalesës së importit të artikujve ushqimore me prejardhje të shpezëve dhe të shpezëve të gjalla nga Turqia dhe Rumania, por sot kemi marë dhe hapin tjetër konform rrjedhave, të cilat ne i kemi 24 orë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Hap tjetër që është ndërmarrë pas takimit me kryeministrin është ndalimi i importeve nga të gjitha shtetet përreth Kosovës, të cilat nuk janë në Bashkësinë Evropiane, por edhe më gjerë."
Zëvendësministri Hajdaraj shtoi se që sot Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Shëndetësisë do të angazhojnë në terren inspektorët veterinarë, të ushqimit dhe ata sanitarë, për të kontrolluar të gjitha depot e artikujve ushqimorë dhe të gjitha prodhimet me origjinë të shpezëve, të cilat janë importuar deri më tash, dhe ato do t'i nënshtrohen kontrollit të sërishëm dhe të rreptë. Zëvendësministri Hajdaraj theksoi se është kërkuar që edhe në të gjitha pikat dezinfektuese, krahas dezinfektimit të automjeteve, të bëhet edhe kontrolli i atyre që importojnë mallra në Kosovë.
"Kësaj radhe ne kemi kërkuar nga kryeministri dhe mendoj që në takim me zyrtarët edhe ndërkombëtarë, edhe në tre pikat doganore që i kemi me Serbinë, që nga dita e nesërme, eventualisht pasnesër, do të vihet pikat dezinfektuese."
Zoti Hajdaraj ka shtuar se përhapësit më të mëdhenj të virusit të gripit të shpezëve janë shpezët e egra, prandaj, siç tha ai, tashmë janë angazhuar në parandalim edhe Agjencioni Pyjor i Kosovës, ndërkohë që janë alarmuar dhe Shërbimi Policor i Kosovës, Trupat Mbrojtëse, si dhe KFOR-i. Ndërkaq Isuf Dedushaj, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, thotë se ndonëse nuk ka arsye për shqetësim, vigjilenca e institucioneve duhet të jetë e madhe, por për këtë duhet të ndihmojnë edhe qytetarët.
"Qytetarët, njerëzit kur enden maleve, ose me familje, janë të obliguar që nëse vërejnë fenomenin e ngordhjes së shpezëve, ta informojnë shërbimin më të afërt veterinar, ose institucionet shëndetësore, për arsye se do të ishte një ndihmesë e madhe të punohet në atë drejtim sepse janë bërë përgatitje të mëdha. E dyta është halli që për gripin e shpezëve janë bërë përpjekje që të fitohet një vaksinë e sigurtë. Nuk është fituar akoma vaksina, për arsye se janë disa lloje të virusit."
Zëvendësministri i Shëndetësisë Astrit Ajeti tha se kjo ministri ka formuar grupet e ekspertëve, të cilët kanë dhënë propozimet konkrete për hapat që do të ndërmerren, në rast të rrezikut apo afrimit të kësaj epidemie.
"Nuk ka nevojë për panik. Po në nivel global, janë masat parandaluese dhe masat që po merren në të gjithë rajonin".

XS
SM
MD
LG