Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

WOOLSEY:"ADMINISTRATA PUTIN SILLET GJITHNJË E MË SHUMË SI QEVERITË FASHISTE"


James WOOLSEY, ish - drejtor i CIA-s


RADIO EVROPA E LIRË
Shpesh keni folur dhe keni shkruar për Luftën e IV-të Botërore dhe për luftën kundër terrorizmit. Katër vite pas invadimit të Afganistanit si i shihni ngjarjet atje, në Irak dhe të tjerat që ndërkohë janë zhvilluar?

JAMES WOOLSEY
Kur Elliot Cohen shkruajti për Luftën e IV-të Botërore, te unë ai zgjoi interesim, sepse mendoja se koncepti i tij ishte i drejtë. Me këtë nënkuptoja një luftë që do të zgjasë, që do të ketë shumë komponente ideologjike. Por, rëndom kur njerëzit dëgjojnë termin luftë botërore ata menjëherë mendojnë për betejën e Stalingradit e të ngjashme. Mendoj se ideja e Elliot Kohen kishte të bënte me faktin se do të ballafaqohemi me një luftë të gjatë, që do të zgjasë me dekada dhe jo vite. Në këtë aspekt Cohen ka të drejtë. Unë këtë e cilësoj si luftën më të gjatë të shekullit XXI-të. Kemi të bëjmë me tri lëvizje totalitare në Lindjen e Mesme dhe me njërën prej tyre do të ballafaqohemi për një kohë shumë të gjatë. Rrjedhimisht në përballje me këtë situatë ne duhet të hartojmë strategjinë tonë përkatëse.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa thonë se Perendimi është duke bërë përpjekje për të destabilizuar Rusinë dhe këtë duke shfrytëzuar organizatat jo- qeveritare. Sa ka të vërteta në këto pohime?

JAMES WOOLSEY
Më duhet të them se administrata ruse e udhëhequr nga Putini është duke goditur mediumet, biznesmenët që synojnë të hyjnë në politikë, është duke kërcënuar aktivistët e të drejtave të njeriut dhe në përgjithësi gjithnjë e më shumë është duke u sjellur si një qeveri fashiste. Populli madhështor rus pati dy raste në shekullin e XIX-të dhe dy raste në shekullin XX-të për të pasur liderë që do ta drejtonin nga demokracia dhe duket se ata (populli rus) secilën herë u tradhëtuan. Në vend të kësaj ata ishin dëshmitarë të lëvizjeve në drejtim të diktaturave që në esencë paraqesin tradhëti ndaj popullit rus dhe kjo është e turpshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Një paranojë e vjetër që ende mund të dëgjohet nga disa njerëz nga ish – Bashkimin Sovjetik dhe veçanërisht nga ata me orientim komunist është se kollapsi i ish Bashkimit Sovjetik është komplot i CIA-s?

JAMES WOOLSEY
Mendoj se në këtë mënyrë na jepet meritë më e madhe se sa që e meritojmë. CIA ka bërë gjëra të dobishme për të minuar Bashkimin Sovjetik. Vaclav Havel dhe Leh Walesa kanë thënë se gjëja më e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë gjatë Luftës së Ftohtë ishte Radio Evropa e Lirë. Dhe vërtetë Radio Evropa e Lirë në 20 vitet e para të ekzistencës ishte një aksion i CIA-s, gjithnjë përderisa nuk u bë institucion publik në vitet e 70-ta. CIA ka bërë edhe gjëra tjera për të ndihmuar kollapsin e ish Bashkimit Sovjetik dhe unë këtë e them me krenari. Por, CIA ka qenë larg të qenit të institucionit kryesor në kollapsin e Bashkimit Sovjetik. Institucioni kryesor sa i përket kollapsit të Bashkimit Sovjetik ka qenë shprti liridashës i personaliteteve si Saharovi, Walesa, Haveli. Kjo frymë dhe ata përfundimisht e asgjësuan Bashkimin Sovjetik.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni për ndikimin e konfliktit izraelito – palestinez në botën myslimane dhe a mendoni se mund të reformohet ligji i sheriatit ose ai islam?

JAMES WOOLSEY
Mendoj se konflikti izraelito – palestinez ka një dozë rëndësie, por ai është shumë i vogël në krahasim me synimet e disave në botën arabe që këtë ta marrin si pretekst për mbështetje të terrorizmit. Mund të kemi marrëveshje izarelito – palestineze nesër, por Vahabistët në Arabinë Saudite edhe mëtutje do të mbeten anti-shiitë, anti-sufi, anti-ebreitë, anti – demokratë, anti-kristianë, anti – femrorë, pikërisht ashtu siç është Al Kaida. Dallimi ndërmjet Vahabistëve dhe Al Kaidës është sikur dallimi ndërmet stalinistëve dhe trockistëve. Vahabistët janë lloj i stalinistëve dhe besojnë në mbështetjen te shteti. Idhtarët e Islamit xhihadist, siç është Al Kaida, u gjasojnë trockistëve dhe besojnë se mund të zhvillojnë lëvizjet e veta në të gjitha pjesët e botës. Por, si të parët ashtu edhe të dytët e kanë të përbashkët totalitarizmin dhe ky totalitarizëm i tyre nuk do të zhduket nëse do të jetësojmë marrëveshje izraelito – palestineze. Mendoj se Vahabistët dhe Xhihadi Islamik, përkatësisht Al Kaida nuk janë përfaqësues të vërtetë të Islamit. Ne nuk duhet të kemi konsideratë më të madhe ndaj fjalëve të tyre, përkatësisht ata duhet konsideruar si Torqeumadën gjatë inkuizicionit spanjoll në fillim të shekullit të XV që thonin se janë përfaqësues të vërtetë të krishterimit. Ata nuk ishin përfaqësues të vërtetë të krishterimit, por bastardues totalitar të tij. Vahabistët dhe Al Kaida janë ekuivalent i tyre në kohën moderne.

XS
SM
MD
LG