Ndërlidhjet

DOBBINS:"PËR TË JETËSUAR PAVARËSINË, KOSOVA DUHET TË OFROJË GARANCA PËR SIGURINË E PAKICAVE"


James DOBBINS, ish emisar i SHBA-ve për Ballkanin


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, javën e kaluar kreu i Kombeve të Bashkuara tha se do të rekomandojë hapjen e bisedimeve për statusin e Kosovës. Sipas jush çfarë pozicionesh kanë vendet anëtare të Grupit të Kontaktit me afrimin e bisedimeve?

JAMES DOBBINS
Mendoj se të gjitha vendet anëtare të Grupit të Kontakit e pranojnë rëndësinë e hapjes së bisedimeve. Ndoshta disa prej tyre janë më gatshme për për një hap të tillë se disa të tjera. Por mund të them se ekziston unitet në Grupin e Kontakit lidhur me faktin se ka ardhur koha për t'iu qasur kësaj çështje dhe të fillojmë diskutimin e saj. Në këtë kuptim ka unitet në Grupin e Kontaktit

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dobbins, duke kaluar në nivelin lokal, kosovarët thonë se do të hyjnë në bisedime me qëndrimin se pavarësia është e panegociueshme. Beogradi përsërit formulën "më shumë se autonomi, më pak se pavarësi". Si i vlerësoni këto pozicione?

JAMES DOBBINS
Mendoj se shumçka varet nga përkufizimi. Në botën moderne sovraniteti është i kufizuar e kjo është veçanërisht e vërtetë në Evropë, ku sovraniteti kufizohet si pasojë e anëtarësisë në Bashkimin Evropian. Shumë nga këto terma tradicionale, si sovranitet, sovranitet i kufizuar, autonomi e me rradhë marrin një kuptim të ri në botën moderne. Mendoj se është e qartë se bashkësia ndërkombëtare do të vendosë kushte. Kosova, nëse do të arrijë qëllimin e saj, pavarësinë, do duhet japë garanci dhe të dëshmojë siguri për pakicat kombëtare, derisa bashkësia ndërkombëtare do të jetë në pozitë që të vërtetojë se këto garanci janë përmbushur.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju folët për konceptin modern të sovranitetit sot. Duke u ndërlidhur këtu do të pyesja lidhur me atë grup diplomatësh që flasin për statusin e ardhshëm të Kosovës e të tjerë që flasin për statusin përfundimtar. A shprehin këto dallime gjuhësore edhe dallime politike? A do thotë se procesi do jetë disa fazësh?

JAMES DOBBINS
Nuk e di nëse do të kemi të bëjmë me një proces disa fazash. Por pavarësisht nga epilogu i bisedimeve, Kosova ashtu si të gjithë vendet tjera të Ballkanit Perëndimor synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kjo është diçka që natyrisht do të marrë një dhjetëvjeçar apo më shumë, por edhe më këto negociata shtesë, statusi i të gjitha vendeve në Ballkan do të vazhdojë të ndryshojë në raport me Bashkimin Evropian si tërësi. Parashikimi im është se bashkësia ndërkombëtare do të insistojë në garancitë për të drejtat e pakicave në Kosovë. Në këtë kontekst për një periudhë kohe bashkësia ndërkombëtare do të ketë një rol mbikqyrës për të siguruar këto të drejta. Por sa do të zgjasë kjo nuk e di. Le të shohim Bosnjën. Bosnja është një vend sovran dhe i pavarur, por është gjithashtu një vend me një përfshirje të fuqishme ndërkombëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Ambasadori Eide ka deklaruar se bisedimet për statusin e Kosovës do jenë të ndryshme nga ato në Bosnjë apo pjesë të tjera të ish-Jugosllavisë. A ndani dhe ju të njëjtin mendim dhe nëse po, ku qëndrojnë dallimet?

JAMES DOBBINS
Është e qartë se statusi i Bosnjës u arrit me Marrëveshjen e Dejtonit, që solli fundin e një lufte që zgjaste prej disa vitesh. Në Kosovë lufta ka mbaruar 6 vjet më parë dhe nga kjo pikëpamje situata është e ndryshme. Në Bosnjë lufta përfundoi si rezultat i marrëveshjes ndërmjet palëve. Në Kosovë statusi aktual është rezultat i një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kështu që të ndryshohet statusi aktual në Kosovë dhe të përcaktohet statusi përfundimtar i saj kjo do të kërkojë një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit. Pra procesi është i ndryshëm, por a do të jetë shumë i ndryshëm edhe epilogu? Kjo mbetet të shihet.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët se Kosova do të përmbushë një seri kushtesh në rast të anëtarësimit në BE. A do të thotë kjo se Kosova duhet të bëjë, apo do t'i kërkohen kompromise me qëllimin e saj, pavarësinë, në shkëmbim të anëtarësimit në Union?

JAMES DOBBINS
Ashtu si çdo vend tjetër në Evropë që do të anëtarësohet, duhet plotësuar një sërë kriteresh, që nënkuptojnë kufizim të ndjeshëm të sovranitetit.
Por komprimisi i Kosovës ndërmjet pavarësisë dhe anëtarësisë në Bashkimin Evropian do jetë në të njëjtën shkallë si edhe te vendet tjera. Franca, Britania apo Gjermania kanë bërë të njëjtën gjë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndihmës nënsekretari amerikan i Shtetit, Nicholas Burns po viziton aktualisht rajonin. Si e shihni angazhimin amerikan në rajon dhe a janë SHBA-të e BE në të njëjtat valë lidhur me Kosovën?

JAMES DOBBINS
Mund të ketë nyanca të ndryshme në qëndrimet e vendeve anëtare të Grupit të Kontaktit apo ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por nuk besoj se dallimet janë të mëdha. Përshtypja ime është se të gjithë mbështesin procesin e inicuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Mendoj se Shtetet e Bashkuara do të luajnë një rol konstruktiv, por këtë rol do ta luajnë në bashkëpunim të ngushtë me aleatët evropianë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të thoshit për rolin e Rusisë në këtë proces?

JAMES DOBBINS
Rusia ka qenë një aleat tradicional i Serbisë dhe pres që edhe në këto negociata të mbrojë interesat e Serbisë. Por tek e fundit edhe Rusia sheh interesin e saj në zgjidhjen e kësaj çështje dhe pres që në fund do të përdorë ndikimin e saj për të arritur kompromisin.

Intervistoi: Iliriana BAJO

XS
SM
MD
LG