Ndërlidhjet

VAZHDON TRAUMA E FAMILJEVE TË TË ZHDUKURVE


Bekim Bislimi, Prishtinë

Përderisa nuk kthehen në Kosovë të gjitha kufomat e gjetura në varrezat masive në Serbi, si dhe të mos zbardhet fati i të pagjeturve, të cilët kanë humbur pa gjurmë, familjarët e tyre nuk do të kenë qetësi, por edhe paqja do të jetë e zymtë, thotë Ahmet Grajçevci, anëtar i Këshillit të asociacioneve të familjarëve të personave të zhdukur dhe të rrëmbyer të Kosovës, si dhe drejtues i asociacionit të këtyre familjarëve nga Fushë Kosova, Lipjani, Obiliqi dhe Gllogovci.
"Pas gjashtë viteve janë zbuluar kufomat e para në Batajnicë të Beogradit dhe atë vend aty mund ta quaj vendin më famëkeq apo Aushvicin e shqiptarëve. Prej aty kanë ardhur në Fushë Kosovë 42 kufoma, do të thotë nga Batajnica 7. Ndërsa kanë ardhur 13 të komunës së Lipjanit, përkatësisht të fshatit Sllovi. Kastrioti nuk ka as edhe një zbulim. Tani për tani mungojnë 14 persona që llogariten si të zhdukur. Ndërsa për komunën e Drenasit nga Serbia na kanë ardhur shumë pak, do të thotë nga Batajnica pesë."
Zoti Grajçevci thekson se vetëm në Fushë Kosovë janë evidentuar 80 të zhdukur. Ndërkaq Sejdi Syla nga Prishtina thekson se në mesin e të zhdukurve nga Fushë Kosova, ka qenë dhe vëllai i tij Zymer Syla, me bashkëshorten dhe dy fëmijët.
"Janë zhdukur më 1 prill 1999. Në bazë të fqinjëve të tyre kanë ardhur më përpara civilë që i kanë vëzhguar. Tregojnë që kanë ardhur policia apo paramilitarët me kampanjollët e tyre, kanë hyrë në oborrin e vëllait dhe aty i kanë marrë në fillim. Më vonë më kanë treguar që vëllain me vjerrin e tij, me të parin fqinj Hamitin dhe një tjetër, i kanë egzekutuar aty për aty në shtëpi. Ndërsa për këta të tjerët, i kanë marë dhe i kanë çuar në një drejtim. Nga i kanë çuar pastaj nuk dihet. Në bazë të atyre që kam dëgjuar më vonë i kanë egzekutuar diku në periferi të Fushë Kosovës, i kanë varrosur në një fshat serb prapa shtëpive të tyre. Ndërkohë prej aty i kanë zhvarrosur me eskavator dhe i kanë çuar në Batajnicë."
Që nga ajo ditë, thotë zoti Syla, nuk është ditur se ku i kanë varrosur kufomat e familjarëve të tij.
"Që atëhere kur kanë humbur e deri para tre muajve nuk kemi patur asnjë informatë. Para 3 muajve na kanë lajmëruar se do të vijë një grup prej Batajnicës, që mund të jenë nga Fushë Kosova. Para një muaji e gjysëm, është kthyer kufoma e vëllait, ndërsa tre anëtarët e tjerë të familjes së tij, kanë ardhur prej Batajnicës më 7 shtator."
Ndërkaq zoti Grajçevci thekson se mënyra se si kthehen kufomat e shqiptarëve të gjetura në Serbi, irriton familjarët e tyre, sepse siç thotë ai, ka raste kur nga një familje ka disa persona të zhdukur, kufomat e të cilëve nuk kthehen përnjëherësh. Sipas tij ata përjetojnë strese të vazhdueshme nga pritja, por edhe nga trauma e secilit varrim të anëtarëve të familjes së tyre. Zoti Grajçevci shton se shumica e këtyre familjarëve kanë nevojë për trajtim psiqik si dhe ndihmesë nga ana e institucioneve të Kosovës, me të cilat, siç thotë ai, janë të pakënaqur.

XS
SM
MD
LG