Ndërlidhjet

SHBA-TË MARRIN NJË POZICION TË ASHPËR NË BALLKAN PËR FORCIMIN E LIDHJEVE ME NATO-N


Financial Times

Mesazhi që Shtetet e Bashkuara kanë për vendet e ish Jugosllavisë, është më i ashpër se linja e butë që ka zgjedhur Bashkimi Evropian. Brukseli ka hapur bisedimet me Kroacinë dhe Serbinë e Malin e Zi, ndonëse kriminelët e luftës në të dyja vendet janë ende në liri. Kroacia ka hapur bisedimet për anëtarësi, ndërsa Serbia e Mali i Zi ka hapur bisedimet për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit, që shihet si një nga stacionet drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por në dallim nga Brukseli, Uashingtoni ka thënë se asnjë nga vendet nuk do të lejohet të thellojë marrëdhëniet me NATO-n, organizëm ky ku Shtetet e Bashkuara luajnë një rol kyç, derisa të akuzuarit kryesorë nga Gjykata e Hagës për ish Jugosllavinë, Ante Gotovina dhe Ratko Mlladiç, të jenë në liri.
Ky është dhe mesazhi që Nënsekretari amerikan i Shtetit Nicholas Burns, ka për t'i dhënë Beogradit e Zagrebit gjatë turneut të tij ballkanik, që veç ka filluar.
"NATO-ja duhet ta mbajë këtë linjë lidhur me kriminelët e luftës", ka deklaruar Burns, para fillimit të turneut në Ballkan. Ai më tej ka shtuar se në qershor e kanë bërë të besojë përmes premtimeve se arrestimi i Mlladiçit ishte i padiskutueshëm.
"Ne nuk do të besojmë shumë në premtime. Ne vetëm po presim të shohim veprime konkrete dhe nuk do të normalizojmë marrëdhëniet tona, derisa një hap i tillë të ndodhë", citohet diplomati i lartë amerikan Nicholas Burns.
Condoleezza Rice, shefja e diplomacisë amerikane gjithashtu do të shtyjë Bosnjë Hercegovinën, që mbetet relativisht një vend i ndarë, që të ecë me shpejtësi drejt unifikimit në 12-18 muajt e ardhshëm. Këtë kërkesë Rice do t'ia paraqesë udhëheqësve boshnjakë në konferencën që do mbahet në 10 vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit.
Por presionet e fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe vendimet e Bashkimit Evropian, vijnë në një kohë tepër delikate. Serbia, pengesa e rajonit, përballet me perspektivën e shpërbërjes nga vendi partner Mali i Zi, që do të mbajë referendum për pavarësinë, si dhe nga Kosova.
Megjithatë, pavarësisht presioneve nga Beogradi, Kofi Annan, kreu i Kombeve të Bashkuara, është i vendosur të emërojë Marti Ahtisaarin, ish presidentin finlandez, si të dërguarin e tij të posaçëm që të drejtojë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës.


XS
SM
MD
LG