Ndërlidhjet

RUPEL: STATUSI DO VARET NGA REZULTATI I NEGOCIATAVE


Albana Isufi, Prishtinë

Statusi përfundimtar i Kosovës do të varet nga rezultatet e negociatave, por pavarësia është fjala që është përmendur dhe diskutuar, ka thënë gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, kryesuesi i radhës i OSBE-së Dimitrij Rupel, njëherësh Ministër i Jashtëm i Sllovenisë.
“Pavarësia është një nga fjalët, që është diskutuar dhe është një opsion. Të kujtojmë edhe se çka ka thënë edhe Beogradi diçka mes autonomisë dhe pavarësisë. Pavarësia është përmendur, do shohim se si do ecin gjërat”, tha Rupel pas takimit me anëtarët e ekipit negociator.
Fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar Rupel e sheh si një zhvillim shumë pozitiv edhe për rajonin dhe mendon se nisja e këtij procesi i ka gëzuar vendet evropiane.
“Ajo se kush çka do të negociojë dhe me kënd, është një çështje e hapur, siç e kam parë nga diskutimet atje (në Kombet e Bashkuara), por jam i bindur se kjo do të zgjidhet shpejt”, tha Rupel, i cili shpreson se edhe zgjidhja përfundimtare e statusit do të arrihet shpejt.
“Nga raporti i Kai Eides kam parë se ideja ( rreth kohëzgjatjes së bisedave për statusin) nuk është shumë e qartë. Madje Eide ka thënë se nuk ka nevojë për ngutje rreth statusit përfundimtar të Kosovës, por nga bisedat me anëtarët e ekipit negociator, e pashë se ka një gadishmëri që të ecet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe që qëllimi i caktuar të arrihet në pranverën e ardhshme, nëse mund të jem pak indiskret”, tha Rupel, i cili këtë çështje e ka diskutuar gjatë ditës edhe me presidentin Rugova.
Zoti Rugova ka thënë se pret që edhe Këshilli i Sigurimit të japë dritën jeshile për fillimin e bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës.
“Është nga ana jonë që të përgatitemi të marrim pjesë me delegacionin tonë dhe siç e dini unë insistoj për një njohje direkte të pavarësisë nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian".
Kreu i radhës i OSBE-së Dimitrij Rupel, ka diskutuar me udhëheqësit kosovarë rolin që OSBE mund të luajë gjatë dhe pas bisedimeve për statusin përfundimtar. Kryeministri Bajram Kosumi shpreson se në këtë proces OSBE-ja do të luajë rol pozitiv.
“Besoj gjithashtu se gjatë përgatitjeve për statusin përfundimtar OSBE-ja mund të luajë një rol pozitiv, duke e theksuar shkallën e lartë të demokracisë që është arritur në Kosovë, duke na ndihmuar që të kemi një afërsi më të madhe dhe një bashkëpunim më të madh me shoqërinë civile, etj."
Ministri i Jashtëm slloven ka takuar sot edhe shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Vizita e Rupelit në Kosovë pasoi qëndrimin e tij në Beograd, ku kreu i radhës i OSBE-së ka takuar zyrtarët e qeverisë serbe, me të cilët ka biseduar edhe rreth çështjes së Kosovës.





XS
SM
MD
LG