Ndërlidhjet

SBASHK-U SOT KA PROTESTUAR PARA QEVERISË SË KOSOVËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Dhjetëra punëtorë të arsimit, duke përfshirë këtu përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, kryetarët e këshillave grevistë të të gjitha komunave të Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë protestuar para qeverisë së Kosovës, në kërkim të nivelizimit të pagave të mësimdhënësve kosovarë. Ali Shabani, kryetar i sindikatës tha se nëse qeveria e Kosovës nuk ndërmerr asgjë në këtë drejtim, në fundjavë do të këtë protestë masive.
“Ju bëjmë me dije se pas këtij manifestimi dinjitoz e të qetë, në të cilin kanë marrë pjesë vetëm kryetarët e këshillave greviste, në manifestimin e ardhshëm sindikalistët nga terreni insistojnë që të marrin pjesë masive në protestën e radhës. Një manifestim i tillë masiv, pa dëshirën tonë, mund të pasojë më se shumti në fundjavë nëse ju nuk merreni seriozisht për zgjidhjen e çështjes,”tha zoti Shabani.
Në letrën të cilën e lexoi zoti Shabani, dhe të cilën më pas ia dërgoi përfaqësuesve të qeverisë, shkruante se ky institucion nuk po shqetësohet aspak edhe pas situatës së rëndë të krijuar në sistemin e arsimit.
“Siç e dini nga data 3 tetor punëtorët e tre niveleve të arsimit kanë filluar grevën, për shkak se ju nuk kishit gadishmëri minimale për të vënë në jetë vendimet që kishit miratuar vetë. Duke parë se as situata e re e krijuar kur rreth një milion njerëz janë jashtë rrjedhave normale shoqërore, nuk krijoi shqetësime të natyrës te ju, ne jemi të shtyrë që krahas grevës, të shtojmë edhe format e pakënaqësisë.”
Ndryshe, zoti Shabani tha se përfaqësuesit e sindikatës së arsimit, sot kanë pasur një takim më një komision të Ministrisë së Arsimit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Por edhe ky takim, sipas tij ka përfunduar pa sukses.
“Në orën nëntë komisioni ynë ishte në Ministrinë e Arsimit. Nga kjo marrëveshje nuk u arrit asgjë, dhe ne u tërhoqëm duke pritur që qeveria që të jetë më serioze në plotësimin e kërkesave të SBASHK-ut dhe tërë anëtarësisë në tërë Kosovën. Nuk u tërhoqëm për kurrfarë arsye, por nuk ishin komisionet e të dyja ministrive për të biseduar për sistemin e ri të pagave dhe për gradimin për të cilin jemi marrë vesh mbrëmë. Kjo është edhe një mungesë serioziteti i qeverisë karshi kërkesave tona dhe karshi marrëveshjes së mbrëmshme”, tha zoti Shabani.
Por, në Ministrinë e Arsimit, pohojnë se nuk kanë njohuri për mbajtjen e këtij takimi dhe për rezultatet eventuale të tij. Kundërthëniet në këtë drejtim në mes të ministrisë dhe sindikatës, u janë shtuar atyre që tashmë egzistojnë prej ditësh rreth përqindjes së pjesëmarrjes së shkollave në grevë. Sindikata pohon se greva po vazhdon në më shumë se 90 përqind të shkollave, ndërkaq ministria njofton për një proces të normalizuar mësimor në më shumë se 40 përqind të shkollave.

XS
SM
MD
LG