Ndërlidhjet

PODGORICË


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, qëndroi për vizitë në Mal të Zi, ku mori pjesë në takimin ndërkombëtar për liqenin e Shkodrës. Pas takimit me kryeministrin e Malit të Zi Milo Gjukanoviq, ata konstatuan se marrëdhëniet dy palëshe janë të mira dhe këtë e dëshmon edhe nënshkrimi i 11 protokoleve për bashkëpunim në lëmi të ndryshme. Si prioritet për të ardhmen u theksua nevoja e bashkëpunimit në ndërtimin e infrastrukturës për avancimin e turizmit, energjetikës dhe sidomos lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar.
Duke folur për zhvillimet në Kosovë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka thënë se "çështja e statusit duhet të zgjidhet në përputhje me të drejtën e qytetarëve të Kosovës për vetëvendosje, vullnet të cilin ata e kanë shprehur në mënyrë të përsëritur, dhe në bashkëpunim të ngushtë me Grupin e Kontaktit".
"Kjo, duke dhënë të gjitha garancitë për pakicat dhe duke u shndrruar në një faktor paqeje, miqësie e stabiliteti në rajon" ka thënë Berisha.
Dy kryeministrat janë pajtuar se zgjidhja e statusit të Kosovës është një nga prioritetet. Në këtë kontekst kryeministri malazez Milo Gjukanoviq ka thënë:
"E kam bërë të ditur interesimin tonë që me dinamikën e planifikuar, pra nga fundi i këtij dhe deri në mesin e vitit të ardhshëm, të definohet statusi i Kosovës përmes dialogut Beograd-Prishtinë dhe me ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare" ka thënë Gjukanoviq për të shtuar se Podgorica synon që në pranverën e vitit të ardhshëm të organizojë referendumin për statusin shtetëror të Malit të Zi.
XS
SM
MD
LG