Ndërlidhjet

REFKI MORINA: PO ZHVILLOHEN HETIME TË BRENDSHME NDAJ DISA PJESËTARËVE TË SHPK-SË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Policia i ka filluar hetimet e brendshme ndaj disa pjesëtarëve të Shërbimit Policor të Kosovës, nën dyshimet se ata i kanë tejkaluar autorizimet ndaj ndërhyrjes së djeshme ndaj aktivistëve të lëvizjes Vetëvendosje. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës Refki Morina tha se hetimet po zhvillohen si ndaj pjesëtarëve të dyshuar të SHPK-së, ashtu dhe ndaj disa aktivistëve të KAN-it, apo lëvizjes Vetëvendosja.
"Kanë filluar hetimet e brendshme ndaj disa kolegëve, të cilët dyshohet se kanë tejkaluar autorizimet zyrtare edhe në këtë mënyrë do të hapet procedura për të gjithë ata që kanë shkelur rregullat dhe ligjin. Kjo vlen edhe për pjesëtarët e policisë, edhe për anëtarët e grupit KAN. Nëse ata i kanë tejkaluar normat, rregullat, etj, do të procedohen në gjykatë për kundavajtje."
Ndërkohë udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti thotë se nuk i ka befasuar ndërhyrja energjike e policisë, duke patur parasysh se aktivistët e kësaj lëvizjeje, kanë hasur në këshut veprimesh në komuna të ndryshme të Kosovës. Me veprime të tilla, administrata e UNMIK-ut po dëshmon se është administratë kolonialiste dhe shtypëse, tha Kurti, duke e arsyetuar këtë me faktin se policia dhe drejtësia janë në kompetencat e rezervuara të UNMIK-ut.
"Përveçse ne protestojmë ndaj këtij regjimi shtypës, antidemokratik dhe që në të njëjtën kohë paraqet administratë kolonialiste këtu në Kosovë, në mënyrë simbolike ne kushtimisht sulmonim këta xhipa me spreja, duke qenë se këta xhipa janë shprehje e një aspekti kolonialist të administratës së UNMIK-ut këtu, sepse këta edhe ashtu Kosovën e perceptojnë herë si shkretëtirë e herë si xhungël, për çfarë pikërisht xhipat janë të nevojshëm".
Përdorimi i dhunës në raste të panevojshme kundërshtohet edhe nga qeveria e Kosovës, ka thënë sot kryeministri Bajram Kosumi. Ai tha se ka qenë kërkesë dhe urdhëresë e kahershme e qeverisë, që policia të mos ndërhyjë dhunshëm pa patur nevojë. Kosumi tha se i ka marë premtimet e policisë për zhvillimin e hetimeve dhe është në pritje të rezultatit të këtyre hetimeve, që do të tregojnë saktësisht se në ç'masë i ka tejkaluar autorizimet e veta Shërbimi Policor i Kosovës, gjatë ndërhyrjes kundër aktivistëve të Vetëvendosjes.
Lëvizja Vetëvendosja ka paralajmëruar kundërshtimin e vazhdueshëm të pranisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, si dhe është prononcuar haptas se nuk pranon asnjë proces negociator për statusin e Kosovës, siç janë deklaruar tashmë edhe institucionet e Kosovës. Albin Kurti thotë se Vetëvendosja nuk pajtohet me proceset negative dhe kompromiset për të ardhmen e Kosovës.
"Problemi më i madh qëndron në faktin se regjimi i UNMIK-ut, po e shndërron Kosovën në këtë paragjykim të vetin. Në njërën anë janë proceset negative politike me përgatitjen e negociatave drejt kompromisit dhe me decentralizimin që shpie në copëtim të Kosovës, në anën tjetër janë trendet negative, ekonomike dhe sociale, ku papunësia dhe varfëria po rriten gjithnjë e më shumë drastikisht".
Policia ka përdorur dje forcën dhe ka arrestuar 37 aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje, dy prej të cilëve po mbahen në paraburgim, kurse 35 të tjerë janë liruar. Ata janë arrestuar ndërsa po shkruanin grafitet FUND në veturat e UNMIK-ut.

XS
SM
MD
LG