Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

PETERSEN: KS DO TË SHPALLË FILLIMIN E BISEDIMEVE PËR STATUSIN E KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Takimi i 24 tetorit i Këshillit të Sigurimit do të shënojë hyrjen në fazën përfundimtare të statusit të përkohshëm që Kosova e ka që nga viti 1999, ka thënë sonte në mbrëmje shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Soren Jessen Petersen. Ai i ka bërë këto komente pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi, një ditë para nisjes për në Nju Jork, ku të hënën do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në të cilën pritet që edhe formalisht të fillohen bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës. Zoti Petersen tha se në fund të takimit do të lexohet edhe deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit:
"Është e qartë se kjo deklaratë do të jetë shpallja e fillimit të bisedimeve për statusin dhe mendoj se pas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm do ta emërojë të dërguarin e posaçëm për statusin," tha zoti Jessen Petersen.
Edhe kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se shpresonte që 24 tetori të shënonte hyrjen në një fazë të re:
"Ne shpresojmë se më 24 tetor Këshilli i Sigurimit do të hapë përfundimisht derën dhe do të japë dritën e gjelbër për të filluar procesi, si dhe do të caktojë përfaqësuesin e zotit Anan për të udhëhequr procesin."
Sidoqoftë, zoti Jessen Petersen tha se përfundimi i takimit do të shënoje fazën përfundimtare të statusit aktual të Kosovës:
"Pas atij takimi ne jemi në fazën e ardhshme që mund të quhet edhe faza përfundimtare e këtij statusi të përkohshëm, nën të cilin Kosova është që nga viti 1999," tha zoti Petersen, duke shprehur edhe një herë keqardhjen e tij që rregullat e Këshillit të Sigurimit nuk lejojnë që përfaqësuesit e Kosovës ta thonë drejtpërdrejt fjalën e tyre në Kombet e Bashkuara, premtoi se ai do të bëjë përpjekje që ta përfaqësojë Kosovën sa më mirë. Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, duke shfaqur shpresën se së shpejti edhe flamuri i Kosovës do të jetë në Kombet e Bashkuara, tha se kishte përgatitur një letër për Këshillin e Sigurimit:
"Unë kam përgatitur një letër që do t’ia dërgoj Këshillit të Sigurimit lidhur me këtë çështje. Kryesisht në letrën time kam thënë angazhimet që do të ketë qeveria e Kosovës në vazhdimin e punës për standardet",tha kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, i cili më herët gjatë ditës ka takuar edhe anëtarin e parlamentit evropian nga Belgjika Bart Staes, i cili tha se po përgatiste një rezolutë për pavarësinë e Kosovës, të cilën do ta prezantonte në debatin e Parlamentit Evropian për Kosovën. Zoti Bart Staes tha se debati për Kosovën do të jetë në qendër të vëmendjes të Bashkimit Evropian. Zoti Staes tha se kundërshtonte konceptin për pavarësinë e kushtëzuar që është përmendur nga disa qarqe:
"Për mua pavarësia është pavarësi pa kushte, pasi një vend mund të jetë i pavarur ose të mos jetë i tillë," tha zoti Staes, për të shfaqur bindjen e tij se Parlamenti Evropian do ta mbështeste pavarësinë e Kosovës, një bindje që ai tha se e mbështeste në faktin që shumë anëtarë të Parlamentit Evropian e njohin shumë mirë situatën në Ballkan e posaçërisht në Kosovë.



XS
SM
MD
LG