Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

SHËNOHET 30 VJETORI I AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë

Kreu i ekzekutivit kosovar Bajram Kosumi, ka kërkuar nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Kosovës që të ndihmojë në hartimin e strategjisë për ndërtimin e së ardhmes së vendit.
Kosumi ka thënë se sikur institucionet, sot edhe shkenca është para sfidës për të përcaktuar rolin e vet në shoqërinë e Kosovës, ndërkohë që Akademia, sipas Kosumit, mund të luajë rol thelbësor si në zhvillimin e shkencës ashtu edhe të kombit.
“Akademia ka potencial për të ndihmuar dhe pse jo për të drejtuar hartimin e strategjive për ndërtimin e së ardhmes të vendit duke filluar nga puna jonë e përbashkët për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës”.
Këto komente Kosumi i ka bërë në 30 vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryetari i kësaj akademie, Rexhep Ismajli, ka numëruar sot vështirësitë me të cilat akademia është ndeshur gjatë këtyre 30 viteve, e që në njëfarë mënyre kanë penguar krijimin e ndonjë strategjie për të ardhmen e vendit. Ai thotë se në akademi nuk është përmirësuar gjendja as 6 vjet pas luftës.
“Bërthamat dhe njësitë ku prodhohet dija, ku bëhen hulumtime shkencore dhe krijohet arti në Kosovë janë të organizuara në mënyrë pjesërisht adekuate në raport me situaten e re të krijuar pas luftës 1999. Në një anë kemi akademinë, së cilës ligjvënësit nuk ia kanë dhënë të drejtën të ketë institute, ndërsa në anën tjetër janë institutet publike të cilat e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë krejtësisht të pavarur. Institutet, që dikur vepronin në universitet sot dëgjohen më pak”.
Akademiku Ismajli ka tërhequr vërejtjen se departamentet në Universitetin e Prishtinës nuk merren më me hulumtime, por vetëm me mësimdhënie.
“Resurset njerëzore për hulumtim shkencor në këtë kohë janë të shpërndara, ose të moshuara, vështirë të adaptueshme në rrethanat e reja. Interesi dhe stimulimi shoqëror për hulumtimin shkencor është i pamjaftueshëm, të gjithë këto zhvillohen në një mjedis me problemet ekonomike, në një shoqëri tranzicioni me shumë çështje themelore të padefinuara”.
Kreu i akademisë ka thënë se përpjekjet e akademisë dhe të institucioneve të tjera duhet që të fokusohen në edukimin sa më të madh të të rinjve, si dhe në ofrimin e shanseve të rinjve që kanë studiuar jashtë vendit, që dijen e tyre ta sjellin këtu.
Presidenti i Kosovës ka dekoruar Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me Medaljen e Artë të Lirisë, dorëzimi i së cilës do të bëhet në një ceremoni të veçantë.

XS
SM
MD
LG