Ndërlidhjet

TIM JUDAH: RUSIA, PRIVATISHT, ËSHTË PAJTUAR ME PAVARËSINË E KUSHTËZUAR


"Në të vërtetë, publikisht, diplomatët rusë janë cituar në mediat serbe se Rusia nuk do të pajtohet me asnjë zgjidhje që nuk është e pranueshme për Serbinë dhe se do të mbajë anën e saj. Por, privatisht, para diplomatëve perëndimorë, ata janë duke thënë krejtësisht të kundërtën. Me fjalë të tjera, Rusia tash e pranon faktin se është e pamundshme që Serbia dhe Kosova të bashkohen sërish", thotë, pos tjerash, analisti Tim Judah, në intervistën për Radion "Evropa e Lirë". Analisti Judah është edhe autor i librit "Kosova: Lufta dhe Hakmarrja".

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, bisedimet për statusin e Kosovës pritet të fillojnë së shpejti. Si e shihni ju këtë proces, cilat janë sfidat me të cilat do të përballen aktorët kryesorë gjatë këtij procesi?

TIM JUDAH
Siç e kuptoj unë këtë process, pas takimit të Këshillit të Sigurimit, Kofi Annan do të emëroj të dërguarin e posaçëm, i cili, sipas të gjitha gjasëve, do të jetë Marti Ahtisari, ish president finlandez. Ai do të ketë tre zëvendës, një nga Bashkimi Evropian, një nga Shtetet e Bashkuara dhe një nga Rusia. Dhe shumë shpejtë, mbase nga fundi i nëntorit ose fillimi i dhjetorit, ata do të fillojnë rundin e parë të diplomacies shetitëse për të mundësuar ndoshta një takim në mes të grupeve punuese të shqiptarëve dhe serbëve. Por ka pak gjasë që në fillim të mbahen takime me qëllim të vendosjes së paqes në mes të udhëheqësve shqiptarë dhe serbë. Kjo për faktin se ka frikë se në këtë rast të dyja palët, udhëheqësit shqiptarë dhe serbë, duhet të dalin me qëndrime publike jo vetëm në çështjet e mëdha, por edhe në çështjet e tjera më të hollësishme, gjë që do të ngushtonte hapësirën për fleksibilitet në të ardhmen. Pra, një gjë e këtillë ka pak gjasë të ndodhë. Pas disa rundeve të diplomacisë shetitëse, ndoshta dy muaj më vonë, zoti Ahtisari apo kushdo që të jetë zgjedhur, mbase do të fillojë hartimin e një projekt marrëveshjeje për të ardhmen e Kosovës dhe vetëm pastaj, në pranverë, ndoshta në muajin maj, mund të pritet një takim në mes të shqiptarëve dhe serbëve për të shqyrtuar projekt marrëveshjen. Pikërisht këtu fillojnë negociatat e vështira. Natyrisht, sfidë e vërtetë do të jetë arritja e pajtueshmërisë jo vetëm mbi statusin sovran të Kosovës, por edhe mbi të gjitha të tjerat. Kjo do të jetë sfida më e madhe mbi të gjitha.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju sapo thatë se ka pak gjasë që të ketë pajtueshmëri në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Por, kush është ai që vendos se çfarë statusi do të ketë Kosova?

TIM JUDAH
Tash për tash duket se vendet anëtare të Grupit të Kontaktit, fuqitë e mëdha që merren me cështjen e Kosovës, do të marrin një lloj vendimi përfundimtar për hapat e mëtutjeshëm. Dhe nëse një gjë e këtillë do të bëhet nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, kjo çështje mbetet të shihet. Mendoj se që të gjithë duan që çdo gjë të shkojë nëpërmjet Këshillit të Sigurimit, por nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë duhet të veprojnë pa Këshillin e Sigurimit. Por, siç e thashë edhe më parë, mendoj se do të jenë vendet e mëdha anëtare të Grupit të Kontaktit që do të marrin vendimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e Rusisë?

TIM JUDAH
Në mënyrë mjaft interesante…deri tash ka qenë një ndjenjë e përgjithshme se Rusia do ta përkrahte Serbinë gjatë tërë këtij procesi. Në të vërtetë, publikisht, diplomatët rusë janë cituar në mediat serbe se Rusia nuk do të pajtohet me asnjë zgjidhje që nuk është e pranueshme për Serbinë dhe se do të mbajë anën e saj. Por, prvatisht, para diplomatëve perëndimorë, ata janë duke thënë krejtësisht të kundërtën. Me fjalë të tjera, Rusia tash e pranon faktin se është e pamundshme që Serbia dhe Kosova të bashkohen sërish. Arsyeja e kësaj është se në të kaluarën, është menduar se interesi rus ka qenë për të parandaluar një presedan të ngjashëm me Çeçeninë. Zyrtarët rusë nuk kanë dashur që Kosova të jetë e pavarur nga frika se mund të krijojë një presedan të aplikueshëm për Çeçeninë. Megjithatë, në aspektin pragmatik, rusët tash presedanin e shohin ndryshe. Nga ajo që unë kam kuptuar, ata mendojnë se nëse nuk mund ta parandalojnë pavarësinë e Kosovë, atëherë prej saj mund të nxjerrin një presedan që mund të shfrytëzohet si avantazh. Kjo vecanërisht vlen për ato rajone separatiste ku Rusia ka interesat e veta, si në rajonin e Transdniestrisë në Moldavi dhe rajonin e Abkhazisë të Osetisë jugore në Gjeorgji. Në këto vende Rusia ka interesa të fuqishme dhe në të ardhmen mund të kërcënojë këdo se nëse Kosova ka arritur të pavarësohet pa pajtueshmërinë e Beogradit, atëherë i njejti presedan vlen edhe për pavarësimin e rajoneve separatiste në Moldavi dhe Gjeorgji, pa pajtueshmërinë e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Judah, po ju çfarë mendoni, cili do të jetë statusi i Kosovës pas bisedimeve?

TIM JUDAH
Unë mendoj se do të jetë një formë e pavarësisë së kushtëzuar. Por, nëse kjo formë epavarësisë nënkupton një vend për Kosovën në Kombet e Bashkuara pas një apo 15 vjetësh, këtë nuk e di. Unë ende nuk e kam të qartë nëse pavarësia e kushtëzuar nënkupton një formë të pavarësisë me kushte ose përmbushjen e disa kushteve që do të mundësojnë pavarësinë. Mendoj se pikërisht kjo çështje do të jetë pjesë e punës që do të bëhet në muajt e ardhshëm dhe gjatë vitit të ardhshëm. Megjithatë, unë jam i mendimit se në këtë kuadër, kjo cështje do të jetë e frymëzuar nga raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i cili është publikuar në prill të këtij viti dhe i cili ka rekomanduar pavarësinë në katër periudha. Pra mendoj se disa elemente do të merren edhe nga ky raport.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa diplomatë perëndimorë, shfrytëzojnë shprehjen “statusi përfundimtar” kur flasin për rezultatin e bisedimeve, derisa të tjerët parapëlqejnë termin “statusi i ardhshëm”. A ka të bëjë ky dallim me ndonjë ndryshim në qasje në mes të fuqive perëndimore mbi çështjen e Kosovës apo është thjesht një zgjedhje vetanake e terminologjisë?

TIM JUDAH
Mendoj se para një ose dy vjetësh, njerëzit filluan të flasin për “statusin përfundimtar”. Tash, kur jemi më afër momentit të së vërtetës, shprehja “statusi i ardhshëm” po përdoret pothuajse nga të gjithë. Çdokush që edhe sot e shfrytëzon shprehjen “statusi përfundimtar” është jashtë binarëve dhe gabon. Mendoj se çfarëdo që të ndodhë gjatë një viti të ardhshëm, Kosova nuk do të jetë një shtet tërësisht i pavarur, të paktën jo sikurse që janë vendet e tjera në Evropë. Do të ketë një lloj periudhe tranzicioni, do të ketë prani të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, do të ketë gjithashtu një formë pasuese të Misionit të Kombeve të Bashkuara, por si do të duket nuk e dimë. Se a do të huazohet ndonjë model i ngjashëm me atë të Bosnjës, kjo mbetet të shihet. Pikërisht për këtë arsye mendoj se shprehja “statusi i ardhshëm” është më i saktë se “statusi përfundimtar”.
Inervistoi Arbana Vidishiqi
XS
SM
MD
LG