Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

FEHMIU: PALA KOSOVARE VETËM ME PËRGATITJE RETORIKE PARA BISEDIMEVE PËR STATUSIN


Fatmir Fehmiu, Profesor i të drejtës kushtetuese

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Fehmiu, të hënën Këshilli i Sigurimit pritet të vendosë për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë zhvillim dhe çfarë mund të pritet së shpejti?

FATMIR FEHMIU
Ky zhvillim ka rrjedhën e vet konform me raportin e zotit Kai Eide, i cili në mënyrë komplekse dhe të përgjithshme, por edhe kontraverse, ka vlerësuar çështjen e situatës në Kosovë. Mirëpo shumë mangësi ekzistojnë, për arsye se në asnjë vend nuk paraqitet ajo që quhet dëm i luftës, i cili vlerësohet me miliarda dollarë e do duhej të ishte parakusht themelor për zgjidhjen e shumë problemeve, duke përfshirë edhe kthimin e atyre që kanë lëshuar Kosovën, përfshirë edhe ndërtimin e objekteve, të cilat kanë qenë të dëmtuara në atë kohë, e në të njëjtën kohë duke i krijuar parakushtet për mirëqënien e njerëzve që jetojnë në Kosovë, pa përjashtim në kombësi. Kështu që ajo është një zbrazëti, e cila dëmton observimin real të çështjes që quhet "situatë në Kosovë". E gjithë kjo që është është pasojë jo shkak. Shkaku, i cili dihet, është që mbi Kosovën është bërë agresion edhe vendor me bekimin e ndërkombëtarëve. Në bazë të të gjitha të dhënave rezulton se Kosova ka qenë një koloni e tipit klasik.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush mbi çfarë duhet të mbështeten bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës? Cila do të jetë qasja e bashkësisë ndërkombëtare për këtë?

FATMIR FEHMIU
Në dispozita konkrete të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut, thuhet se vullneti i popullit është bazë e pushtetit shtetëror. Po ashtu në dispozitat e Paktit për të Drejtat Civile e Politike thuhet: të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte ata përcaktojnë lirisht zhvillimin ekonomik, social e kulturor. Kështu që unë pres që Këshilli i Sigurimit, së paku unë pres, të nxjerrë një dokument të ri, apo një rezolutë të re, me të cilën do të përcaktonte konform me aktet e cituara, bazën juridike për vetëvendosjen e popullit të Kosovës, si subjekt, i cili ka krijuar këtë entitet gjatë Luftës së Dytë Botërore në luftë kundër fashizmit dhe që në dokumentat e tij ka patur si program vetëvendosjen konform me aktet ndërkombëtare, siç ka qenë Karta e Atlantikut. E gjithë kjo konsideroj se duhet të bëhet në atë mënyrë, që të korrigjohet padrejtësia që i është bërë popullit të Kosovës në të kaluarën. Prandaj ajo që është përcaktuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, në nenin 1 dhe 55 për të drejtën e popujve për vetëvendosje, pres që Këshillli i Sigurimit ta zbatojë edhe këtë normë, edhe norma të tjera në jetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë Këshilli i Sigurimit pritet që të shpallë fillimin e bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës. Cila do të jetë baza mbi të cilën do të mbështetet delegacioni i Kosovës për të mbrojtur qëndrimin për pavarësinë e Kosovës, siç kanë deklaruar deri më tash?

FATMIR FEHMIU
Këshilli i Sigurimit është e vërtetë që rekomandon negociatat. Mirëpo negociatat duhet të jenë të tilla, që të përqëndrohen në zbatimin e të drejtës, do të thotë në zbatimin e dispozitave të akteve ndërkombëtare, të cilat rekomandojnë, deklarojnë dhe përcaktojnë të drejtën e lirisë dhe të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Mund të bisedohet për zbatimin e të gjitha konventave të cilat janë në qarkullim, janë në regjistrin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në lidhje me vetëvendosjen, e sidomos konventën për Çlirimin e Popujve të Kolonizuar, pasi Kosova ka qenë një koloni e tipit klasik gjatë gjithë periudhës së shekullit të XX-të.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa e përgatitur është pala shqiptare për t'iu hyrë negociatave për statusin?

FATMIR FEHMIU
Sipas informacioneve që kam përgatitjet janë vetëm verbale, retorike. Gjatë këtyre 15 viteve unë nuk kam të njohur se ekziston ndonjë elaborat, i cili do të kishte si përmbajtje të vet, të gjithë komponentët të cilët e përcaktojnë çështjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës. Sot e kësaj dite nuk e kemi elaboratin e dëmeve të luftës së fundit, të cilat sillen në disa miliardë euro, nuk e kemi elaboratin e përfunduar të asaj që quhet zhvillim i proceseve politike, juridike gjatë shekullit të XX-të dhe dëmet që i kanë sjellë ato popullit të Kosovës. Nuk e kemi të elaboruar çështjen, e cila quhet fenomen i gjenocidit permanent, i cili mund të themi se ka filluar prej vitit 1832, sipas dokumenteve të prejardhjes serbe deri në 1999. Vetëm gjatë kësaj lufte të fundit janë diku 212 mijë e ca objekte të rrënuara plotësisht ose pjesërisht, qofshin ato objekte banimi, ndihmëse, shkollore, ambulanca, etj. Një vlerësim të tillë nuk ka. S'ka vlerësim të dëmeve të familjeve, të cilat i kanë humbur njerëzit e tyre të cilët janë vrarë, masakruar etj. Nuk kemi të elaboruara shumë çështje, të cilat do të ishin argument për t'i thënë edhe Këshillit të Sigurimit, edhe faktorit ndërkombëtar në përgjithës, pse kërkohet " divorci". Prandaj të gjitha këto çështje bëhen nëpër institucione. Mesa kam unë informacione institucionet nuk janë të mobilizuara, të angazhuara, as nuk kanë qenë, për t'i sistemuar këto çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi shumë shpesh po përmendet një koncept i pavarësisë së kushtëzuar si një nga mundësitë. Cili është qëndrimi juaj?

FATMIR FEHMIU
Këtu duhet të ketë demokraci me demos dhe jo demokraci pa demos. Populli duhet të vetëvendosë për fatin e vet. Nga kjo rezulton se populli është ai që e ve vijën e demarkacionit në mes të asaj të kushtëzuar apo të pakushtëzuar. Por një gjë është në teorinë e shtetit. Nuk ka ekzistuar kurrë një pavarësi e kushtëzuar, është e panjohur prandaj Kosova është bërë si një territor eksperimental, një laborator ku po bëhen lloj lloj eksperimentesh, duke përfshirë edhe çështjen e privatizimit, edhe çështjen e të drejtave të njeriut, etj. Në qoftëse ekzistojnë normat, atëhere duhet të zbatohen në mënyrë konsekuente. Nëqoftëse normat janë fiksion, atëhere është një çështje tjetër dhe le t'i mbetet në nder të Kombeve të Bashkuara. Por Kombet e Bashkuara, në bazë të kartës që e kanë nxjerrë në San Francisco në vitin 1945, në bazë të dokumenteve që kanë pasuar, Kosova i plotëson të gjitha kushtet që të jetë shtet i pavarur, por natyrisht si shtet ligjor, si shtet që duhet ta zbatojë normën, si këtë që po e kërkon prej Kombeve të Bashkuara, ashtu dhe brenda për brenda Kosovës. Pavarësia e Kosovës nuk është kurrsesi në kundërshtim dhe as nuk cënon të drejtat reale të kurrkujt. Populli i saj ka shprehur vullnetin lirisht me referendum që të Kosova shtet i pavarur. Kosova plotëson kushtet që të jetë politikisht e pavarur, sepse nuk i cënon sedrën asnjë subjekti, qoftë brenda saj, qoftë rreth saj.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG