Ndërlidhjet

PRANIA NDËRKOMBËTARE E DOMOSDOSHME EDHE PAS ZGJIDHJES SË STATUSIT


Albana Isufi, Prishtinë

Pavarësisht se cili do të jetë statusi përfundimtar i Kosovës, vazhdimi i pranisë ndërkombëtare civile dhe ushtarake konsiderohet domosdoshmëri, si nga qeveritarët e Kosovës, ashtu edhe nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Këshilltari politik i kryeministrit, Avni Arifi, thotë se bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e pranishme në Kosovë edhe pas përfundimit të negociatave për statusin, por roli i saj duhet të ndryshojë rrënjësisht.
“Nga roli administrativ në atë monitorues, observues apo këshillëdhënës për fusha të caktuara. Ne kemi tani një situatë ku Kosova administrohet nga UNMIK-u. Besoj se me përcaktimin e statusit politik të Kosovës presim që trupat e NATO-s të mbesin në Kosovë dhe presim rritje më të mëdha të mekanizmave për integrime evropiane, pra rritje të Komisionit Evropian”.
Përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Dragisha Kërstoviq thotë se derisa të mos stabilizohen gjërat tërësisht, prania ndërkombëtare është mëse e domosdoshme në Kosovë.
“Pa marrë parasysh se çfarë do të jetë statusi, mendoj se bashkësia ndërkombëtare do të duhej të vazhdonte praninë në Kosovë, si misionin civil ashtu edhe ushtarak. Mendoj se kjo do të jetë e domosdoshme për një kohë, përderisa gjërat të mos stabilizohen përfundimisht dhe përderisa të mos krijohen kushtet për jetë normale për të gjithë në Kosovë”, thotë Kërstoviq.
Pavarësia e kushtëzuar për Kosovën dhe prania e mëtejme e bashkësisë ndërkombëtare është përmendur shumë si propozim nga organizata të ndryshme ndërkombëtare joqeveritare. Në propozime është përmendur edhe rritje e rolit të Bashkimit Evropian në Kosovë. Këshilltari i kryeministrit Avni Arifi, pajtohet se është i kuptueshëm roli më i madh i BE-së, marrë parasysh aspiratat për integrim në këtë union.
“Kjo është në bashkësinë ndërkombëtare që të vendosë se cila formë e monitorimit do të kishte qenë më adekuate. Zërat janë të ndryshëm, ka më shumë zëra se BE duhet të ketë rol më të madh, gjë që është e kuptueshme duke pasur parasysh faktin se Kosova është në Evropë dhe njëkohësisht aspiratat, që ka populli i Kosovës për integrime evropiane”.
Në anën tjetër për përfaqësuesin e serbeve të Kosovës Dragisha Kërstoviq, nuk është fare me rëndësi se kush do të vendoset në Kosovë pas përcaktimit të statusit, mjafton që të ketë prani ndërkombëtare.
“Cilido qoftë, misioni i Bashkimi Evropian, forcat e NATO. Do të thotë Këshilli i Sigurimit edhe më tej të ketë autoritet mbi forcat e NATO-s. Pra, e rëndësishme është që të vazhdojë prania ndërkombëtare”, tha Kërstoviq.
Kosova aktualisht administrohet nga misioni civil i Kombeve të Bashkuara, i cili që tani ka filluar të reduktohet dhe disa nga shtyllat e tij kanë filluar të shuhen. Ndërkaq, NATO vazhdon misionin e saj paqeruajtës në Kosovë në kuadër të KFOR-it, me praninë e mbi 17 mijë ushtarëve.




XS
SM
MD
LG