Ndërlidhjet

MIJËRA MËSIMDHËNËS KOSOVARË KANË PROTESTUAR SOT PARA QEVERISË SË KOSOVËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Një delegacion i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, por edhe ky takim ka përfunduar pa asnjë marrëveshje. Takimi i sotëm ka pasuar protestën e mijëra mësimdhënësve, të cilët gjatë ditës kanë kërkuar para ndërtesës së qeverisë nivelizimin e pagave të tyre.
Protesta e sotme është organizuar në kuadër të grevës së përgjithshme të mësimdhënësve, e cila ka filluar më tre tetor, në të gjitha nivelet arsimore duke përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës. Ali Shabanaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, tha se kjo formë e protesës është bërë për shkak të mos interesimit dhe injorimit të kërkesave të arsimtarëve nga qeveria e Kosovës.
“Mosgadishmëria juaj e çuditshme për të ofruar zgjidhje të mundshme e të qëndrueshme, ka bërë që indinjata e mësidhënësve të shtohet dhe ja tani arsimin shqip e detyruat të marshojë masivisht rrugëve të kryeqytetit dhe të protestojnë para ndërtesës ku ju erdhët me votën e popullit, me votën tonë dhe sot pyeteni veten a po e arsyetoni besimin e dhënë”.
Zoti Shabanaj, njëherit tha se nëse qeveria e Kosovës nuk angazhohet më seriozisht për të dalë nga gjendja e krijuar në arsim, atëherë, sipas tij, mësimdhënësit do të sjellin veprime edhe më radikale..
“Mllefi i arsyeshëm i mësimdhënësve të Kosovës nga shkaku i injorancës suaj, mund të ngrisë tonet e pakënaqësisë dhe të sjellë veprime edhe më radikale dhe më pasoja, për çka përgjegjësinë para kohës dhe popullit e bartni ju” tha zoti Shabanaj.
Greva e mësimdhënësve kosovarë ka filluar më tre tetor, kurse para 15 ditësh kanë filluar edhe konfuzionet nga Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Arsimit, rreth përqindjes së shkollave që janë apo nuk janë duke e respektuar grevën. Oferta e qeverisë së Kosovës prej 2 milion eurosh, e pranuar edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovë, është vlerësuar si e pamjaftueshme dhe joserioze nga udhëheqësit e Sindikatës së Arsimit.
XS
SM
MD
LG