Ndërlidhjet

NË KOSOVË NUK KA SHENJA TË GRIPIT TË SHPEZËVE, THONË AUTORITETET


Albana Isufi, Prishtinë

Naxhije Haxhiu, një qytetare e Prishtinës e ka ndërprerë konsumimin e mishit të pulës me t’u paraqitur gripi i shpezëve në Rumani e Turqi. Zonjës Haxhiu nuk i është hequr frika, edhe pse zyrtarët e qeverisë njoftojnë se në Kosovë nuk ka shenja të këtij gripi.
“Jo se s’guxojmë. Prapë se prapë ekziston frika, pavarësisht se kur është marrë ai mall, ekziston frika. Ishalla nuk vjen te ne”.
Një qytetar tjetër, Shaqir Jashari, thotë se përveç frikës nga gripi i shpezëve, në moskonsumimin e mëtejmë të prodhimeve të shpezëve, ka ndikuar edhe moskontrollimi i duhur i mishit në kufijtë e Kosovës.
“Jo, qe një muaj jo, për arsye te gripit të shpezëve, një. Dhe e dyta për shkak të moskontrollimit të mëhershëm, më pak kemi dëshirë ta konsumojmë”.
Edhe Suad Kelani heziton të konsumojë produkte të shpezëve.
“Ende nuk është paraqitur në Kosovë, por po ndihet njëfarë frike. Po vjen prej kahmosit, nuk do dihet se si po hyn, nuk ka kontrolle në kufijtë nga doganat”.
Ndërkohë, deri tani nuk ka shenja të gripit të shpezëve thotë zëvendëministri i shëndetësisë Astrit Ajeti, që është anëtar i komisionit të përbashkët, që merret me ndërmarrjen e masave parandaluese kundër gripit të shpezëve.
“Jo në Kosovë. Sipas informatave që disponojmë dhe që u janë marrë të gjitha shërbimeve kujdestare në terren, si dhe nga të gjitha informatat që procesohen në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, nuk ka të dhëna për shfaqjen e gripit të shpezëve në Kosovë".
Alarmimi i situatës rreth përhapjes së mundshme të gripit të shpezëve në Kosovë, sipas kryetarit të Shoqatës së Shpendtarëve të Kosovës, Abdullah Konjufca, ka qenë i panevojshëm. Ai thotë se fermerët kanë pësuar humbje të mëdha, pasi askush më nuk është i interesuar të blejë produkte të shpezëve.
“Vetëm alarmimi i gjendjes e ka bërë të vetën që konsumimi i gjërave shpeztare të bjerë bukur shumë, si e mishit, si e pulave të gjalla, ku s'ka hiç shitje totale të pulave të gjalla, por edhe konsumimi i vezëve ka rënë shumë. Unë besoj me bindje të thellë se nuk ka pasur nevojë të alarmohet kaq shumë, nuk ka vend për një frikë kaq të madhe”.
Megjithatë zëvendësministri Ajeti thotë se edhe Kosova, sikurse të gjitha vendet në rajon dhe në BE, ka marë masa parandaluese pasi gripi i shpezëve tashmë është bërë problem global.
“Si rrezik, i cili është duke u trajtuar si rrezik global, s'mund të themi që ekziston vetëm në Kosovë apo në rajon, kemi raste të shfaqjes së gripit të shpezëve edhe në rrethinë, në Kroaci shumë afër nesh, në Angli, kemi raste të konfirmuara edhe në Rusi etj. Kështu që ekziston një arsyeshmëri për rritjen e kujdesit apo për brengosjen kushtimisht".

XS
SM
MD
LG