Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MUSTAFAJ: PAVARËSIA E KOSOVËS NUK KA ALTERNATIVË


Augustin Palokaj, Bruksel

Me vizitën e tij në NATO dhe takimet me Sekretarin e Përgjithshëm Jaap de Hoop Scheffer, shefi i diplomacisë shqiptare Besnik Mustafaj ka përfunduar sot vizitën treditore në Bruksel. Ishte kjo vizita e parë e Ministrit të ri të Jashtëm të Shqipërisë që prej formimit të qeverisë së re. Edhe pse kryesisht në takimet që ka patur me zyrtarët e BE-së dhe NATO-s është folur për avancimin e Shqipërisë në rrugën drejt integrimeve në këto dy organizata, temë kryesore e të gjitha takimeve ka qenë Kosova. Pavarësia e Kosovës është e panegociueshme, vetëm për modalitetet mund të bisedojmë, është shprehur Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Besnik Mustafaj.
Ai në takimet e zhvilluara në kryeqendrën evropiane e ka mbrojtur tezën e tij se zgjidhja më e mirë e Kosovës është pavarësia e kushtëzuar, sipas modelit të Austrisë në periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore. Në fund të vizitës treditore në Bruksel shefi i diplomacisë shqiptare kishte diskutuar çështjen e Kosovës, me të gjithë bashkëbiseduesit që vinin nga institucionet evropiane, ashtu dhe me zyrtarë të qeverisë së Belgjikës.
Mustafaj i ka siguruar të gjithë se kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është i paprekshëm. Kjo vlen vetëm kur flasim për tërësinë territoriale të Kosovës. Në rast se dikush tenton ta copëtojë vendin, sidomos veriun e Kosovës, atëhere nuk ka më garanci. Çdo tentim i shkëputjes së Kosovës do të ketë pasoja me kufirin me Shqipërinë, është shprehur Besnik Mustafaj.
Ai pas vizitës në NATO do të kthehet për Shqipëri me premtimet se avancimi i Shqipërisë në integrimet euroatlantike do të vazhdojë me mbështetjen e plotë të BE-së dhe NATO-s.

XS
SM
MD
LG