Ndërlidhjet

PETERSEN: GRUPI NEGOCIATOR I KOSOVËS TË PUSHOJË SË FOLURI DHE TË PËRGATITET PËR TË HYRË NË BISEDIME


Zijadin Gashi, Prishtinë

Me vlerësimet se vendimi i Këshillit të Sigurimit për hapjen e bisedimeve për zgjidhjen e statusit paraqet një ditë historike për Kosovën, shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen është kthyer sot nga Nju Jorku, dhe i ka bëre thirrje lidershipit të Kosovës që të jetë i përgatitur për bisedimet.
“Është shumë e qartë që mbledhja e Këshillit të Sigurimit ishte një ditë e madhe dhe historike për Kosovën dhe jam shumë i kënaqur që UNMIK-u ka luajtur një rol kyç që Kosova të arrijë në këtë fazë”, ka pohuar Jessen-Petersen.
Tani është e qartë që bisedimet për statusin do të fillojnë brenda disa javëve, tha ai, duke shtuar se kjo nënkupton që “ekipi i unitetit” të jetë gati për bisedime.
“Është po ashtu me rëndësi që qeveria, Kuvendi, partitë politike, tani të punojnë shumë që ta sigurojnë dhe emisarin e OKB-së për statusin, se Kosova është e përkushtuar për një shoqëri shumë-etnike dhe që ta sigurojnë atë që Kosova ka kapacitete të udhëheqë me vetëveten”, theksoi kryeadministratori Petersen. Ai kërkoi nga Grupi Negociator i Kosovës që të pushojë, si tha ai, së foluri dhe të përgatitet për të hyrë në bisedime:
“Unë kam besim se të gjithë tani po e kuptojnë me seriozitet këtë çështje, ngase kjo është një mundësi e madhe, kur dihet se kemi pritur për gjashtë vite e gjysmë për këtë ditë dhe duhet të jetë e qartë si për “ekipin e unitetit”, ashtu edhe për Kuvendin, për qytetarët, që tani ata duhet të jenë të gatshëm”, vlerësoi shefi i UNMIK-ut.
Fati dhe e ardhmja e Kosovës në masën më të madhe tani është në duart e liderëve dhe qytetarëve të Kosovës dhe nëse Kosova do të zhvillojë një shoqëri demokratike, tolerante dhe shumë-etnike, atëherë jam shumë i sigurt që Kosova do të arrijë shumë afër realizimit të qëllimit dhe ambicieve të saj, ka thënë Jessen Petersen, me t'u kthyer nga Nju Jorku ku mori pjesë në mbledhjen e 24 tetorit në Këshillin e Sigurimit për Kosovën, ku është vendosur që të fillojë procesi i bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG