Ndërlidhjet

PRISHTINË


"Kemi pritur për gjashtë vite e gjysmë për ditën kur do të fillojë zgjidhja e statusit të Kosovës dhe duhet të jetë e qartë si për “ekipin e unitetit”, ashtu edhe për Kuvendin, për qytetarët që tani ata duhet të jenë të gatshëm për bisedime", ka thënë sot shefi i UNMIK-ut, Soren Jessen-Petersen me të kthyer nga Nju Jorku.
“Është me rëndësi që Qeveria, Kuvendi, partitë politike tani të punojnë shumë që ta sigurojnë dhe emisarin e OKB-së për statusin se Kosova është e përkushtuar për një shoqëri shumë-etnike dhe që ta sigurojnë atë se Kosova ka kapacitete të udhëheqë me vetëveten”, theksoi Petersen.
Ai kërkoi nga Grupi Negociator i Kosovës që të pushojë, siç tha ai, së foluri dhe të përgatitet për të hyrë në bisedime.
Ndërkohë, shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, ka thënë se pas vendimit të qëlluar të Këshillit të Sigurimit për hapjen e negociatave për statusin final, ekipi kosovar negociator duhet të punojë më shumë dhe të përfaqësojë Kosovën në mënyrë të denjë, në këto negociata. Ai ka thënë se në skenën politike kosovare ende ekzistojnë përçarje.
“Punët po ecin ngadalë. Mendoj se liderët kanë qëndrime të njëjta për statusin, por duhet të ketë organizim, që të gjithë të pajtohen për rrjedhën e procesit”, ka thënë Philip Goldberg, gjatë qëndrimit në komunën e Istogut.
XS
SM
MD
LG