Ndërlidhjet

KOSOVA RREZIKON KRIZË FINANCIARE


Marc Auboin përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë

EVROPA E LIRË
Për më shumë se një muaj mësuesit kosovarë janë në grevë. A ka gjasa që pagat e punonjësve të arsimit të rriten?

MARC AUBOIN
Për ne si Fond Monetar Ndërkombëtar kjo është një çështje e brendshme e qeverisë dhe e një kategorie të caktuar të nënpunësve të administratës civile.
Por, ajo që ne themi është se Kosova po hyn në detyrime të mëdha të buxhetit, që mund të çojnë në rrezik potencial të krizës financiare më 2006. Është prioritet yni që ta evitojmë këtë krizë. Ne kuptojmë se në këtë fazë, buxheti nuk mund më që të paguajë faturat dhe pagat, nëse qeveria vazhdon të zgjerojë shërbimet publike. Duhen stabilizuar pagat që u jepen nënpunësve të administratës civile, të cilat grumbullohen nga tatimpaguesit, dhe ky stabilizim duhet të ndodhë, sepse qeveria duhet të jetë e aftë, që të paguajë nënpunësit e saj.
Nuk po flasim këtu për shkurtime të vendeve të punës, por që këta nënpunës të mund të paguhen këtë vit dhe më 2006.
Po ashtu ka ngarkesë të buxhetit pasi një numër i pakufizuar i nënpunësve të administratës civile paguhen nga buxheti për shkak të bartjes së përgjegjësive. Kështu që duhet ta krijojmë një dhomë në buxhet për këtë. Është problem çështja e numrit të madh të nënpunësve të administratës civile dhe mundësisë së rritjes së pagave. Nuk do të thotë se nuk mund të adresohen çështje specifike, por këto raste duhet të zgjidhen në mënyrë të ndërsjellë. Ka shumë mënyra për t’u bërë kjo. Nëse e ndjeni se mësuesit kanë nevojë për rritje pagash, atëherë do të duhej të shihni se si ta riorganizoni sistemin arsimor. Duke e ristrukturuar sistemin arsimor ju mund të keni disa kursime, duke e pensionuar personelin që nuk japin mësim e shembuj të tjerë.
Por, ajo që rekomandojmë për arsimin dhe fushat e tjera, se çfarëdo që qeveria bën është që të respektojë dyanshmërinë e buxhetit, sepse kanë edhe sfida të tjera. Ka ndërlidhje, sepse më shumë paga për arsimtarët, do të thotë më pak sholla të ndërtuara. Pra, kjo është diçka, që qeveria duhet ta menaxhojë. Faktikisht kjo është kohë shumë e keqe për të dhënë këshilla, sepse kjo do të keqinterpretohet nga të dyja palët.

EVROPA E LIRË
E përmendët më herët buxhetin. A mundet qeveria të përballojë problemet sociale dhe ekonomike me buxhetin e tashëm?

MARC AUBOIN
Buxheti i këtij viti është projektuar si pasojë e deficiti të madh. Grumbullimi i deficitit të vitit 2004 dhe 2006 ka bërë që suficiti i grumbulluar në vitet e mëhershme të zvogëlohet. Ne mund të akomodojmë rreth 80 milionë euro deficit për vitin e ardhshëm dhe është mjaft vështirë që të zvogëlohet deficiti me të hyrat e tanishme nga tatimet. Nëse nuk mund ta mbyllni buxhetin me financat që i keni, do të thotë se të hyrat nuk janë të mjaftueshme për t’i paguar shpenzimet. Dhe kjo nënkupton se më nuk mund të paguani faturat. Ka disa gjëra që nuk janë të durueshme në buxhet dhe rritja e pagave në përgjithësi nuk mund të durohet. Por, edhe nuk ka nevojë pasi që çmimet e gjërave ushqimore po bien në 2-4 për qind për vit.
Kostoja e jetesës po bie në Kosovë. Nuk do të thotë se tashmë kosovarët janë të pasur, po është një argument më pak për rritjen pagave.

EVROPA E LIRË
A është real optimizmi i institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se me zgjidhjen e statusit përfundimtar do të zgjidhen edhe të gjitha problemet ekonomike?

MARC AUBOIN
Natyrisht jo, por do ketë përmirësime domethënëse. FMN ka thënë shpesh se statusi i tashëm po gjeneron shumë pasiguri sa i përket investimeve në Kosovë.
Investitorëve, qoftë vendës apo ndërkombëtarë, u duhet siguria. Mendoj se cilido qoftë statusi përfundimtar, ai do të sjellë më shumë siguri. Por, ai që do krijojë investime të mëdha do të jetë menaxhimi i duhur i buxhetit nga qeveria.
Investitorët do të vijnë nëse sigurohen se ka stabilitet makroekonomik dhe se mund të investojnë pa u frikësuar nga inflacioni apo rritja e pagave dhe diçka tjetër që do t'ua ndryshonte planet e investitorëve, sepse kur ata zgjedhin, nuk shohin vetëm Kosovën, por edhe Shqipërinë, Maqedoninë e Rumaninë si konkurrente. Dhe për momentin Kosova ende nuk e ka krijuar reputacionin e saj si vend për investitorët ndërkombëtarë. Ajo që duhet të bëjë Kosova është që të krijojë një sistem me taksa të ulta, konkurrencën e pagave, buxhetin e menaxhuar mirë dhe jo një numër kaq të madh të nënpunësve në administratën civile.
Dhe të gjitha këto mund të krijojnë një të ardhme më të ndritshme për Kosovën, por s’i zgjidhin të gjitha problemet ekonomike për një ditë. Do të ketë vend për tranzicion në ekonomi, edhe pse ka shumë probleme sociale. Ju mund t’i zgjidhni këto duke e zgjeruar sektorin privat, pasi ai publik nuk do të jetë i njëjti deri në fund. Sektori publik duhet të ndjekë përpjekjet produktive, që tashmë po i ndjek sektori privat.

Intervistoi Albana Isufi
XS
SM
MD
LG