Ndërlidhjet

MBLIDHET GRUPI NEGOCIATOR I KOSOVËS


Ekipi negociator i Kosovës në bisedimet për statusin në mbledhjen e tij të dytë nuk ka marrë ndonjë vendim, por kanë premtuar se së shpejti do të aprovojnë grupet punuese mbështetur në propozimet e mëhershme dhe ato të ditës së sotme, ndërkohë që ka mbizotëruar kërkesa e partive opozitare që vendimet lidhur me statusin politik të Kosovës të konfirmohen nga Kuvendi i Kosovës.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, njëkohësisht kryesues i delegacionit e ka quajtur të frytshëm takimin e sotëm dhe ka premtuar se së shpejti do të mbahet dhe takimi në të cilin do të miratohen disa dokumente:
"Ne biseduam për grupet punuese që do të funksionojnë. Kishte edhe disa propozime të tjera, kështu që në mbledhjen e ardhshme që do të mbahet brenda disa ditësh do të bëjmë aprovimin e këtyre grupeve dhe po ashtu edhe të çështjes së dokumenteve të tjera", tha presidenti Ibrahim Rugova. Ndërkohë që Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, si partia më e madhe opozitare e quajti të domosdoshëm vendimin që Kuvendit të Kosovës t’i bartet autoriteti për statusin politik:
"Ritheksova edhe një herë domosdoshmërinë për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës përmes një rezolute për shtet të pavarur dhe sovran nga Parlamenti i Kosovës dhe në anën tjetër gjithashtu vlerësoj dhe do të ishte me interes për të gjithë që autoriteti përfundimtar për statusin politik të bartej në Parlamentin e Kosovës, që të gjitha vendimet e këtij grupi të rikonfirmohen nga Kuvendi i Kosovës."
Edhe kryetari i partisë tjetër opozitare Ora, zoti Veton Surroi ka mbështetur idenë që parlamenti ta miratojë platformën e grupit kosovar për bisedat lidhur me statusin:
"Që të kemi një forcim të grupit politik që do të hyjë në përgatitjen e platformës dhe të dokumenteve të tjera të nevojshme, pasi edhe më parë e kemi thënë se ky grup duhet të ketë një platformë dhe kjo platformë duhet të kalojë në Kuvend dhe të legjitimojë interesat politike që do t’i përfaqësojë ky grup politik", tha zoti Surroi, duke shpresuar se në mbledhjen e ardhshme do të ketë më shumë kreativitet, mirëkuptim dhe tolerancë për idetë e njëri-tjetrit.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tha se grupet punuese duhet të jenë bërthama institucionale, ku bëjnë pjesë pozita, opozita dhe ekspertët ndërkombëtarë, ndërsa mbledhjen e sotme e quajti konstruktive:
"Ajo që është si finale, është se në emër të delegacionit të Kosovës përparimet nga kjo dhe mbledhja e ardhshme e Grupit të Kontaktit që do të takohet në Uashington, do t’i drejtohet me një letër presidenti i Kosovës, në emër të delegacionit të Kosovës."
Në anën tjetër, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Soren Jessen Petersen ka përsëritur se prioriteti kryesor i institucioneve dhe partive politike të Kosovës është përgatitja për bisedimet për statusin dhe uniteti brendapërbrenda faktorit politik:
"Secili e di se cili është prioriteti i Kosovës, e ky prioritet është që të jenë të përgatitur për bisedimet lidhur me statusin dhe të jenë të bashkuar", tha zoti Jessen Petersen, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi. Ky i fundit tha ndërkaq se Kosova është e përgatitur në planin politik dhe po bën përgatitjet e fundit edhe në planin teknik për të qenë e gatshme për fillimin e bisedimeve:
"Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se edhe me përgatitjet që po bëhen për bisedimet Kosova po dëshmon dhe do të dëshmojë përkushtimin e saj për të ndërtuar shoqërinë demokratike, ndërkohë që sipas tij vetë vendimi i Këshillit të Sigurimit për të filluar bisedimet për statusin e Kosovës janë një hap më afër drejt realizimit të synimit dhe dëshirës së popullit të Kosovës për shtet të pavarur."

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG