Ndërlidhjet

REXHEPI:"PAVARËSIA E KOSOVËS SIGURON QËNDRUESHMËRI NË RAJON"


Bajram REXHEPI, ish kryeministër i Kosovës

EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, Këshilli i Sigurimit tashmë ka dhënë dritën e gjelbër për fillimin e bisedimeve për statusin e Kosovës. Si e shihni ju këtë zhvillim?

BAJRAM REXHEPI
Unë mendoj se është një moment shumë i rëndësishëm i cili është pritur një kohë të gjatë, ndoshta më tepër seç është dashur, më tepër se gjashtë vjet dhe më në fund pas formulave të famshme, si “standardet para statusit”, “standardet për statusin”, “standardet për Kosovën”, dhe raportit të Kai Eides ka ardhur deri te një klimë e re te faktori ndërkombëtar se status-quo-ja është e dëmshme, e papranueshme dhe duhet të fillojnë bisedimet për definimin e statusit të Kosovës.

EVROPA E LIRË
Më 2 nëntor, Grupi i Kontaktit pritet të përcaktojë modalitetet e fillimit të bisedimeve. Çfarë pritni ju lidhur me këto modalitete?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se Grupi i Kontaktit ka pasur një rol jashtëzakonisht pozitiv dhe të fuqishëm në rrjedhat e këtyre një vjet e gjysmë ndoshta dy, për arsye se aty janë të përfshira njerëz dhe shtete që kanë influencë të madhe, si shtetet e quintit dhe Rusia, pra njerëz që luajnë rol të rëndësishëm. Ju e dini se çdo gjashtë javë ka pasur vlerësime se si shkojnë zhvillimet në Kosovë. Ata kanë bërë një hap të rëndësishëm duke përcaktuar tri kritere se nuk ka kthim mbrapa për Kosovën, se nuk ka bashkim me ndonjë shtet tjetër dhe nuk ka ndarje të Kosovës, që janë kritere të mira dhe unë pres që në mbledhjen e ardhshme të formojnë një lloj kornize se çfarë është e panegociueshme dhe të zvogëlohet hapësira e manovrimit të definimit statusit të Kosovës dhe aty me gjasë menjëherë do të përcaktohet edhe kryenegocioatori për Kosovën dhe ndihmësit apo zëvendësit e tij. Mendoj se GK do të jetë ajo që do ta mbikëqyrë në një mënyrë dhe edhe më tutje do të jetë shumë aktive që kjo fazë e bisedimeve dhe definomi i statusit të kryhet në kohën optimale.


EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi zyrtarët ndërkombëtarë kanë thënë se janë të hapura disa opsione për të ardhmen e Kosovës. Ju për tre vjet keni qenë kryeministër i Kosovës. Nga ajo perspektivë çfarë mund të thoni për qëndrimin e bashkësisë ndërkombëtare për të statusin politik të Kosovës?


BAJRAM REXHEPI
Mendoj se këtu është bërë një evoluim i gjendjes politike. Në fillim të mandatit ishte koha kur gati hezitohej të përmendej çështja e definimit të statusit të Kosovës, pra ishte një status- quo dhe askush nga ndërkombëtarët as që e përmendte se në një të ardhme të afërt do të fillojë. Më vonë kjo çështje filloi të flitet më tepër dhe kohët e fundit është krijuar një klimë tjetër edhe te vendorët, por edhe te faktori ndërkombëtar, ku status-quo-ja është e papranueshme. Mund të them, pse jo, se është edhe meritë e kryeadministratorit Jessen Petersen, i cili me ardhjen e parë në aeroport tha se armiku më i madh i Kosovës është status-quo-ja dhe për një kohë të shkurtër është ngritur çështja e Kosovës dhe tash gati i tërë faktori ndërkombëtar është pro asaj që të fillojë definimi i statusit të Kosovës dhe natyrisht që propozohen modalitete në ndryshme dhe natyrisht që ne i kemi qëndrimet tona se pavarësia nuk ka alternativë, mirëpo ka propozime të ndryshme, që ndërkombëtarët i nxjerrin në tavolinë, prej pavarësisë deri te format e ndryshme, si propozimet e Serbisë për më shumë autonomi e me pak pavarësi, mirëpo mendoj se faktori shqiptar duhet të jetë unik, i qëndrueshëm dhe me argumente t’i mbrojë pozicionet e veta që ta realizojë atë synim që edhe e kemi.

EVROPA E LIRË
A mund ta komentoni Ju lutem opsionin për pavarësinë e kushtëzuar që ka mbizotëruar kohët e fundit në qëndrimet e disa qarqeve ndërkombëtare?

BAJRAM REXHEPI
Po, kjo ka filluar shumë herët, nëse ju kujtohet edhe ICG, e para tyre edhe Goldstone patën propozuar diçka të ngjashme, e mandej ka pasur modifikime të ndryshme dhe kohët e fundit ndoshta ka dalë si shumë irrituese kjo “pavarësia e kushtëzuar”, sepse janë përmendur kushte të tjera për Kosovën dhe në një mënyrë nuk është zbërthyer se çka nënkuptohet me pavarësi të kushtëzuar, se a mendohet se duhet të zgjatet edhe një fazë ndërmjetëse edhe disa vjet, deri te pavarësia e plotë, apo të vihen kushte shtesë , plotësim i standardeve të tjera, prandaj në një mënyrë kjo është paksa irrituese. Mirëpo, ndërkombëtarët, natyrisht e i lansojnë opsionet e veta dhe natyrisht e nuk mund ta pranojnë një pavarësi në mënyrë të drejtpërdrejtë të Kosovës, por grupi negociator dhe parlamenti edhe një herë dua të them se duhet të jenë të vendosur dhe me forcën e argumenteve të tregojnë se alternativat e tjera nuk janë të qëndrueshme dhe nuk garantojnë një stabilitet dhe qëndrueshmëri politike në rajon dhe se e vetmja është pavarësia e Kosovës. Mirëpo, vetë delegacioni ynë, apo ne vendorët duhet të përgatisim një platformë dhe një ofertë se çka ofrojmë në pavarësinë e plotë të Kosovës për qytetarët e Kosovës, sidomos për komunitetin serb dhe për komunitetet e tjera, pra të kenë një pozitë shumë të avancuar, të kenë të drejtën për edukim, që duhet të jemi fleksibile e po ashtu edhe në kulturë, për ruajtjen e manastireve, të gjendet një formë që t’u lejohet menaxhimi i pronës së tyre. Nuk duhet të lejohet asnjë eksterritorializim i këtyre manastireve, por të dihet se janë në territorin e Kosovës, por për menaxhimin e pronës së tyre të kenë të drejtë. Pra, ka shumë gjëra që brenda pavarësisë së Kosovës t’i pranojnë disa kritere dhe standarde që janë gati në të gjitha shtetet e tjera demokratike.

EVROPA E LIRË
Duke qenë edhe tash deputet në Kuvendin e Kosovës, si i vlerësoni përgatitjet e deritashme të palës kosovare dhe a mendoni se ajo është mjaft e përgatitur për të mbrojtur qëndrimet e deklaruara për pavarësinë si zgjidhje të vetme?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se këto përgatitje shkojnë pak më ngadalë seç është dashur. Kemi komoditet paksa të tepruar dhe mendoj se është shumë më mirë që të përgatitemi paraprakisht dhe në këtë moment mendoj se shumë i përgatitur duhet të jetë grupi i ekspertëve të cilët në çdo moment duhet të ofrojnë atë që kërkon grupi negociator, sa i përket pronësisë, sa i përket të drejtës ndërkombëtare dhe modaliteteve të ndryshme, e pse jo edhe përgatitja e Kushtetutës së Kosovës. Pra, mendoj se ndoshta nuk jemi mjaft të përgatitur, por ndoshta kemi pritur momentin e fundit që në fillim të jepet drita jeshile nga Këshilli i Sigurimit dhe tash pas Grupit të Kontaktit që të përshpejtohet ky proces. Dhe, në një kohë kur asnjëri nuk e ka të qartë se si do të zhvillohet këto bisedime, ose takime, është shumë vështirë edhe që të bëhen përgatitjet adekuate, mirëpo mendoj se me një mobilizim dhe gatishmëri të liderëve politikë që të jenë konstruktivë, mendoj se mund të kompensohet edhe ajo kohë e humbur.


EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, sipas jush cilat janë rreziqet me të cilat mund të ndeshet bisedimet gjatë rrjedhës së tyre?

BAJRAM REXHEPI
Po, tash sa u përket bisedimeve, sipas mendimit tim do të ketë bisedime të kryenegociatorit dhe ndihmësve apo zëvendësve të tij me palën shqiptare ndaras, me palën serbe ndaras, pasi çdokush e di se ne mund të dialogojmë me Serbinë ndoshta dhjetë vjet apo njëzet vjet dhe të mos arrijmë kurrfarë qoftë kompromisi apo marrëveshje, pra s’mund t’i zgjidhim këto probleme, prandaj ndoshta kjo është koncipuar në këtë mënyrë. Nëse përafrohen qëndrimet dhe vjen te faza finale se a do të ketë në fund një takim të përbashkët, këto janë çështje të modaliteteve, por unë mendoj se kryesisht faktori shqiptar duhet, nëse kyçen edhe të tjerë kosovarë, të argumentojë para faktorin ndërkombëtar se ne me pavarësi nuk e destabilizojmë Ballkanin, përkundrazi stabilizohet, do t’i respektojmë të drejtat njerëzore, etnike e të tjera dhe do të ndërtojmë një shtet funksional e jo të dështuar.

EVROPA E LIRË
Meqë këtë intervistë po e bëjmë në shtëpinë tuaj në pjesën veriore të Mitrovicës, a mund të na thoni se si e shihni ju të ardhmen e qytetit të Mitrovicës?

BAJRAM REXHEPI
Po, kjo është një plagë e pasluftës. Fatkeqësisht ka qenë një status-quo, nuk ka pasur përparim-ndoshta ka qenë minimal dhe ndonjëherë kemi shkuar edhe në regres të gjendjes. Mendoj se gjendja e Mitrovicës, kam thënë edhe më parë, fatkeqësisht lidhet bashkë me çështjen e definimit të statusit të Kosovës, pra si një pako, mirëpo është shumë i mirë edhe deklarimi i Grupit të Kontaktit edhe të anëtarëve të tjerë të faktorit ndërkombëtarë se nuk do të ketë ndarje, mirëpo sigurisht në kuadër të vetëqeverisjes lokale duhet të shihen format e autonomisë funksionale për disa qytete që janë etnike, ndërsa për Mitrovicën duhet të insistohet të shkojë drejt integrimit. Ka mundësi, nëse ofrohen projekte të ndryshme të ekonomizimit që të përfitojnë të gjitha komunitetet, megjithatë ato dallimet e mëdha që ekzistojnë mund të zhduken dhe të kenë interesin e përbashkët. Nëse do faktori ndërkombëtar, mendoj se mund të arrihet bashkë me faktorin lokal edhe shqiptarët edhe serbët, që të kenë një perspektivë të përbashkët. Sidomos pas definimit të statusit të Kosovës, serbët e Kosovës do ta kenë të qartë dhe nuk do të jetojnë nën iluzionet se do të jetojnë nën juridiksionin e Serbisë, se do të kthehet ushtria dhe policia, që janë iluzore, atëherë do të kthjellen dhe do ta shohin pozicionin se ata janë qytetarët të Kosovës, se perspektivën e kanë në Kosovë dhe duhet të jenë më kooperativë dhe më integrues në institucionet tona.

Intervistoi: Rrahman PAÇARIZI
XS
SM
MD
LG