Ndërlidhjet

PRESIDENCA SHQIPTARE VLERËSON SI TË PAPRECEDENT ANULLIMIN E VIZITËS NGA PAPULIAS


Alma Çupi, Tiranë

Qeveria shqiptare e konsideron të pajustifikueshëm anullimin nga ana e presidentit grek Papulias takimin me presidentin e Shqipërisë Moisiu.
Ministri i jashtëm Besnik Mustafaj tha sot se qeveria shqiptare i kishte marrë të gjitha masat e sigurisë dhe se protestat e komunitetit çam ishin paqësore. Sipas Mustafajt manifestimet paqësore ndodhin në të gjitha vendet demokratike.
"Unë dua gjithashtu të siguroj opinionin publik shqiptar dhe grek nëpërmjet jush, se qeveria shqiptare kishte marrë të gjitha masat e nevojshme, e theksoj se i kishim marrë të gjitha masat e nevojshme, që manifestimi të mos i paraqeste caqet e parashikuara nga demokracia, pra të ishte një manifestim paqësor dhe në momentin që janë marrë të gjitha masat, atëhere nuk ka justifikim anullimi i një vizite të këtij niveli", tha Ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj.
Edhe ish Ministri i Jashtëm për vitet 1997-2001, Paskal Milo, anullimin e takimit mes presidentëve të dy vendeve fqinje Moisiu dhe Papulias, e konsideron një ngjarje që nuk kontribuon për marrëdhënie të mira midis vendeve.
"Është patjetër një ngjarje që nuk kontribuon në zhvillimet pozitive në marrëdhëniet shqiptaro-greke dhe që shkon ndesh edhe me frymën, të cilën ka dashur të zhvillojë qeveria aktuale shqiptare në marrëdhëniet me Greqinë", tha Paskal Milo.
Ish kryeministri Ilir Meta e cilësoi të pakuptimtë anullimin e kësaj vizite. Ai iu referua protestave të zjarrta në Greqi, në kohën e luftës në Kosovë, kundër pranisë së ish presidentit amerikan Klinton në Athinë.
"Atëhere ishte paralajmëruar një manifestim shumë i madh kundër tij, kundër Amerikës, kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë edhe dihet shumë mirë që Athina mori flakë nga protesta të tilla", tha Ilir Meta.
Ndërsa zyra e presidentit Moisiu, me anë të një komunikate për shtyp, shprehu keqardhjen e thellë për këtë vendim të nxituar dhe të pashpjegueshëm të palës greke, bazuar mbi keqinformimin, megjithë sigurimet e palës shqiptare se ky ishte një demostrim paqësor në përmasa të papërfillshme dhe nën masa të plota sigurie.
Presidenti Moisiu dëshiron të theksojë, nënvizon komunikata, se megjithëse ky përbën një incident të paprecedent dhe të padëshirueshëm, Shqipëria beson në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Ajo ka qenë dhe do të mbetet e angazhuar në zhvillimin e pandërprerë të këtyre marrëdhënieve përmes dialogut, besimit reciprok e tolerancës në interesin e të dy vendeve, të paqes dhe stabilitetit në rajon.

XS
SM
MD
LG