Ndërlidhjet

SI DO TË FINANCOHEN NEGOCIATAT PËR STATUSIN?


Albana Isufi, Prishtinë

Qeveria ende nuk ka bërë llogaritjet se sa para mund t’i kushtojnë negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës.
Shefi i zyrës për informim në zyrën e kryeministrit, Sylë Ukshini, thotë se pa u krijuar grupet punuese të eksperëtve nuk mund të dihet kostoja e negociatave.
“Përllogaritja akoma nuk ekziston për shkak se nuk dihet sa do të jetë numri i ekspertëve, sa do të jetë numri i grupeve punuese. Domethënë është një proces akoma jo i përmbyllur dhe nuk mund të flitet për shifra."
Buxheti për vitin 2006 është rreth 700 milionë euro, ndërkaq kërkesat buxhetore, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Ekonomisë e Financave janë më shumë se 1 miliardë euro.
Drejtori i Buxhetit të Kosovës, Agim Krasniqi, thotë se pavarësisht kërkesave të mëdha buxhetore një pjesë nga buxheti mund të lihet për procesin e negociatave. Por, nuk dihet se sa do jetë kjo shifër.
“Nuk kemi marrë kërkesë zyrtare. Mirëpo ne edhe pse merremi më shumë me çështje ekonomike, mund t'i paramendojmë disa kërkesa që mund të lindin në kohë. Në draftin tonë të buxheti të 2006-ës nuk kemi bërë shpërndarje 100 përqind të shpenzimeve, për arsye sepse kemi lënë dallim mes asaj që shpërndahet dhe asaj që mund të shpërndahet në draftin prej 700 milionëve, dhe i kemi vendosur disa pozicione që mendojmë se janë të rëndësishëm për ndarje."
Duke pasur parasysh kufizimet buxhetore, Krasniqi përmend edhe donatorët si mundësi për të financuar procesin e negociatave.
“Ajo që kemi lënë së hapësirë jo vetëm për këtë pikë, por edhe për disa të tjera që nuk kanë qenë shumë të sqaruara, qeveria do të ndajë një pjesë të fondeve. Megjithatë shpresoj që do të jenë jo vetëm burimet nga buxheti, por mund të jenë edhe nga donatorët potencialë për financim të bisedimeve".
Por, shefi për informim në zyrën e kryeministrit Sylë Ukshini, këmbëngul që procesi i negociatave të kryhet vetëm me mjetet e buxhetit të Kosovës.
“Unë mendoj se për procesin negociues gjithësesi qeveria do të ndajë linjën buxhetore, pa patur nevojë për donacione, sepse ky është një proces historik, është një proces vendimtar për të ardhmen e Kosovës dhe nuk duhet të orientohemi në donacione. Ky është prioritet mbi prioritetet".
Zyrtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar kanë tërhequr vërejtjen se me shpenzimet e mëdha që po bën qeveria dhe agjencitë e tjera shpenzuese është rrezik që pikërisht në kohën e përcaktimit të statusit përfundimtar, qeveria të mbetet pa para për të paguar pagat e punëtorëve të shërbimeve publike. Kosova ka dy vite që ka hyrë në deficit buxhetor dhe një i tillë planifikohet të ndodhë deri në vitin 2008.



XS
SM
MD
LG