Ndërlidhjet

WHYTE: MBETEM PËR PAVARËSINË E KUSHTËZUAR TË KOSOVËS


NICHOLAS WHYTE, DREJTOR PËR EVROPËN NË GRUPIN NDËRKOMBËTAR TË KRIZAVE

EVROPA E LIRË
Zoti Whyte, si e shihni emërimin e z. Marti Ahtisaari si të dërguarin e posaçëm të Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës?

NICHOLAS WHYTE
Z. Ahtisari ka një përvojë tejet të madhe në këto punë, dhe kuptohet që ne atë e njohim mjaft mirë. Është një detyrë shumë e vështirë, por jam i bindur se ai do të bëjë çmos që ta përballojë atë.

EVROPA E LIRË
A mendoni se z. Ahtisaari do të mund t'i tejkalojë dallimet e thella midis Prishtinës dhe Beogradit?

NICHOLAS WHYTE
Kjo është një detyrë e vështirë për cilin do që do të ngarkohej me këtë. Unë vetëm do të thoja se ai ka rezultate të mirë në këto çështje në pjesët tjera të botës. Por kuptohet që Kosova sjell me vete edhe sfidat e saj.

EVROPA E LIRË
Çfarë është mendimi juaj për aktivitetet e fundit diplomatike të zyrtarëve serbë, sidomos për vizitën e ministrit të Jashtëm Vuk Drashkoviq në Pekin, ku ai tha se Kosova është Tajvani i Serbisë?

NICHOLAS WHYTE
Kosova nuk është Tajvani i Serbisë. Kjo është shumë e qartë. Dallimet midis Kosovës dhe Tajvanit janë apsolutisht tepër të mëdha. Kuptohet që Kina këtu ka një rol të rëndësishëm potencial për të luajtur. Por rezultatet e Kinës në pjesët tjera të botës sugjerojnë se Kina më shumë i sheh interesat e veta, se sa interesat e veçanta të ndonjë partneri të saj.

EVROPA E LIRË
Po, çfarë mendoni për rolin e Rusisë në Grupin e Kontaktit?

NICHOLAS WHYTE
Rusia duket sikur e sheh veten si një lehtësues, si dikush që ndoshta mund t'u ndihmojë palëve që të punojnë për të arritur ndonjë marrëveshje. Unë e dij se Beogradi sigurisht nuk mbështetet në atë se rusët në mënyrë ta padiskutueshme do ta përkrahin qëndrimin e tyre. Mund të thuhet se ata (rusët) janë aty për ta plotësuar mozaikun politik. Mendoj se kjo është e gjitha që mund të thuhet.

EVROPA E LIRË
Dhe në fund, z. Whyte, si e shihni tërë procesin e negociatave, dhe çfarë rezultati pritni nga ato?

NICHOLAS WHYTE
Ne e kemi bërë të qartë se rezultati i vetëm që mund të funksionojë do të jetë një lloj pavarësie e kushtëzuar për Kosovën. Asgjë që ka ndodhur gjatë këtij viti të fundit, nuk ma ka ndryshuar mendimin lidhur me këtë.

Intervistoi Vullnet Poshka
XS
SM
MD
LG