Ndërlidhjet

BEOGRAD


Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov në Beograd është takuar me zyrtarët më të lartë ku ka diksutuar çështjen e Kosovës.
Me homologun e tij Vuk Drashkoviç, Lavrov ka theksuar se "një zgjidhje përfundimtare e problemit të Kosovës mund të jetë praktikisht çfarëdo me disa përjashtime. Në mesin e këtyre përjashtimeve janë copëtimi i Kosovës apo ndarja e kufijve me vendet fqinje me Serbinë e Malin e Zi. Por në çdo rast statusi i Kosovës, sipas Lavrovit "duhet të jetë rezultat i një marrëveshje mes Beogradit dhe Prishtinës."
"Rusia si anëtare e Grupit të Kontaktit shpreson që zgjidhja e statusit të Kosovës të jetë në harmoni me rezolutën 1244", tha Lavrov.
Më tej ai ka theksuar se mbështet çdo zgjidhje që është në përputhje me parimet e Grupit të Kontaktit. Shefi i diplomacisë ruse ka theksuar se "në tërësi mbështet konceptin e Beogradit për më shumë se autonomi e më pak se pavarësi", por ka shtuar se "Beogradi duhet të jetë më i qartë në kërkesat e tij lidhur me këtë propozim".
Drashkoviç nga ana e tij deklaroi se "Serbia nuk ka dëshirë dhe nuk synon të qeverisë shumicën shqiptare në Kosovë dhe ne theksojmë të drejtën e popullit shqiptar për të organizuar jetën e vet atje." Më tej Drashkoviç ka shtuar:
"Në bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës shpresojmë për përkrahje të plotë të Rusisë, Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit për propozimet tona që janë janë legjitime, reale dhe kompromise sipas frymës evropiane." Drashkoviç ka kërkuar më tej ruajtjen e tërësisë shtetërore aktuale si dhe ruajtjen e kufijve me Shqipërinë e Maqedoninë.
Lavrov pasditen e sotme viziton Prishtinën ku pritet të takohet me shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen dhe presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.
XS
SM
MD
LG