Ndërlidhjet

RUGOVA : PARIMET E GRUPIT TË KONTAKTIT PËR BISEDIMET JANË KORREKTE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Parimet e përcaktuara nga Grupi i Kontaktit për bisedimet për statusin e Kosovës janë pozitive dhe të pranueshme për palën kosovare, ka pohuar sot presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova. Këto komente Rugova i ka bërë pas një takimi që zhvilloi me shefin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Për mua, tha presidenti Rugova, pavarësia e Kosovës duhet të njihet qysh sot apo nesër, por edhe procesi i bisedimeve për statusin me bashkësinë ndërkombëtare, nuk mund të jetë i papranueshëm. Në përgjithësi, shtoi ai, parimet e përcaktuara për bisedimet janë korrekte:
“Janë qëndrime korrekte që e lënë të hapur çështjen e Kosovës, që për ne është pavarësia dhe siç e dini është një pikë shumë e rëndësishme që e kanë thënë edhe në prill edhe tash, se do të ruhet territori i Kosovës, se Kosova nuk do t’i bashkohet ndonjë vendi tjetër dhe Kosova do të jetë element i sigurisë dhe nuk do t’i kërcënojë vendet fqinje. Pra kjo është ajo strategji, dhe e vlerësoj si një deklaratë me parime korrekte për Kosovën”, tha Rugova.
Ndërkohë që shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen tha se e ka takuar ndaras presidentin Rugova, pasi që ai nuk mund të merrte pjesë në takimin e përbashkët ku Petersen ka ftuar Grupin Negociues të Kosovës. Petersen tha se qëllimi i takimeve të tij si me Rugovën ashtu edhe me ekipin e tij të unitetit, është që t’i informojë ata për takimet e fundi të zhvilluara me Grupin e Kontaktit dhe të dërguarin e Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisaarin:
“Bazuar në takimet që kam zhvilluar me këto mekanizma gjatë këtyre 2 javëve të fundit, mendoj se është e qartë që fati është në duart e udhëheqësve të Kosovës dhe ne ndamë këtu mendimin me presidentin se Kosova do t’ia dalë në krye”, theksoi Jessen Petersen. Sipas tij, ende nuk mund të flitet për datën e fillimit të bisedimeve, por në kuptimin e takimeve që Marti Ahtisaari do t’i fillojë në rajon, lë të kuptohet se procesi i bisedimeve fillon gjatë këtij muaji.
Po në kuadër të përgatitjeve për bisedimet, koordinatori i ekipit të ekspertëve, Blerim Shala e ka thirrur për nesër takimin e parë të Grupit Politik që përbëhet nga partitë më të mëdha politike në Kosovë për të shqyrtuar platformën e Kosovës për bisedimet. Platforma më pas do t’i kthehet për shqyrtim grupit më të lartë negociues, kurse nuk dihet ende nëse në këtë proces do të përfshihet edhe Kuvendi i Kosovës.

XS
SM
MD
LG