Ndërlidhjet

AHTISARI: GK E KA BËRË TË QARTË SE NUK KA NDARJE TË KOSOVËS


Ish presidenti finalandez, 68 vjeçari Marti Ahtisari ka folur sot për herë të parë në publik në cilësinë e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Kombeve të Bashkuara në bisedimet për përcaktimin e statusit të Kosovës. Zoti Ahtisari ka folur në Helsinki për mediat pas letrës që kreu i radhës i Këshillit të Sigurimit i ka dërguar zotit Anan ku mirëpret emërimin e zotit Ahtisari. Në përshkrimin e parë të detyrës së re Ahtisari tha:
"Kjo detyrë është e varur nga Kombet e Bashkuara dhe angazhimet e mia konkrete do bëhen të ditura në letrën e emërimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara," tha Ahtisari për të theksuar se bashkësia ndërkombëtare ka treguar interes për këtë detyrë të tij:
"Ka shumë interes për këtë çështje që më është ngarkuar dhe jam i kënaqur që t'ju them se kam një mbështetje të fortë dhe të gjerë ndërkombëtare për detyrën në fjalë."
Duke mbetur tek faktorët ndërkombëtarë ai ka theksuar rolin e rëndësishëm që do duhet të luajë Bashkimi Evropian.
"Bashkimi Evropian është një partner i rëndësishëm në këtë proces, pasi BE-ja është donatori më i madh dhe një faktor politik kyç në Ballkan në përgjithësi dhe në Kosovë në veçanti. Dhe gjeografikisht Kosova është pjesë e Evropës."
Por sipas ish presidentit finlandez motoja e këtij procesi që do drejtojë është:
"Është e rëndësishme se në këtë detyrë për përcaktimin e statusit do të doja të përdorja slloganin "statusi me standardet". Kjo përshkruan dhe frymën me të cilën dua ta përmbush këtë detyrë."
Duke folur për sfidat e procesit të statusit Ahtisari nënvizoi faktin se janë shumë lojtarë të interesuar dhe është e rëndësishme që gjithë këta lojtarë t'i mbajë të përfshirë në proces deri në fund të tij. Madje ai i krahasoi këta faktorë me prindërit që i duan fëmijët e tyre patjetër në linjën e parë të ekipit të shkollës.
"Duhet të jemi në gjendje të tejkalojmë sfidën që të mbajmë së bashku të gjithë ata që duhet të jenë pjesë e procesit gjatë gjithë kohës."
Por ky proces ka dhe një mori detyrimesh administrative dhe do jenë pikërisht këto me të cilat Ahtisari do fillojë punën e tij.
"Ndër punët e mia të menjëhershme do jetë vendosja e pranisë sonë në Vjenë, derisa zyrtarët administrativë veç janë në Vjenë. Falenderoj qeverinë austriake për ofrimin e këtyre kushteve të punës."
Duke folur për rolin e të dërguarve të vendeve dhe organizatave të tjera në këtë proces, Ahtisari tha se megjithatë ai mbetet negociatori e të tjerët ndërlidhësit me kryeqytetet përkatëse.
"Ka vetëm një negociator dhe ai është i emëruar i Sekretarit të Përgjithshëm. Ne mirëpresim përfaqësuesit e të gjitha vendeve apo institucioneve, përfshi të dërguarit e BE-së, SHBA-ve dhe Rusisë. Por këta janë rregullatorë ndërlidhës dhe do ofrojnë lidhjet e nevojshme me qeveritë përkatëse."
Ashtu si edhe pritej, Ahtisari ka nënvizuar faktin se do dëgjojë me vëmendje rolin e vendeve të rajonit, përkatësisht Shkupit, Tiranës e Podgoricës.
"Do dëgjoj ato që udhëheqësit politikë të vendeve të rajonit kanë për të thënë."
Lidhur me mundësinë e përfshirjes së përfaqësuesve nga këto vende, Ahtisari theksoi se i është ofruar ekspertiza nga vendet në fjalë, po për momentin do përpiqet të ketë një ekip me madhësi normale. Ahtisari tha se ka gjithë kohën e nevojshme në dispozicion po nënvizoi se nuk i takon atij të vërë afate kohore. Më 21 nëntor Marti Ahtisari do fillojë një mision në terren.
Përveç Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian e Grupit të Kontaktit, duket se qeveria finlandeze do jetë një nga ndihmëset kryesore të Marti Ahtisarit. Finlandezi Kai Souer, drejtor për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Finlandës, sot u paraqit nga Ahtisari si këshilltari kryesor politik. Ndërkohë në mbyllje të kësaj konference, Ahtisari ka hedhur poshtë mundësinë e ndarjes së Kosovës.
"Vendet e Grupit të Kontaktit flasin për kufijtë aktualë të Kosovës dhe i thonë jo copëtimit"






XS
SM
MD
LG