Ndërlidhjet

PLEMETINI ENDE LARG MBYLLJES


Albana Isufi, Kampi Plemetin, Obiliq

E zbathur dhe e veshur hollë 6 vjeçarja Flora Syla, luan me fëmijët e tjerë në oborrin e shkollës në kampin e Plemetinit në Obiliq. Por mjegulla dhe koha e ftohtë e detyron që të kthehet në barrakën e improvizuar si shtëpi, ku jeton së bashku me nëntë anëtarë të tjerë të familjes. Ulur në një dhomë që shfrytëzohet si kuzhinë, dhomë fjetjeje dhe dhomë pritjeje. Nëna e Florës, Burbuqe Syla tregon mënyrën e jetesës.
"Kushtet mjaft të vështira i kemi. Veshjet, mbathjet ushqimin, nuk e kemi qysh duhet. Shtatë fëmijë kam dhe ne jemi dhjetë anëtarë gjithsej. Këta dhjetë anëtarë me vete po lypin me ngrënë, me pi, ku është veshja, ku është e mbathura, nuk kanë as ku me ra, as ku me u çue. Të gjithë fëmijët bien të flenë në tre sfungjera."
Burbuqja thotë se muajin e kalon me pagën prej 112 eurove që i merr i shoqi që punon në shkollën e kampit.
"Me 112 euro duhet të baravatem, duhet të blej miellin, harxhin, veshjen e fëmijëve, e ngrëna; me këto 112 euro duhet t'i bëj të gjitha."
Burbuqe Syla së bashku me dhjetra familje të tjera jeton në kampin e Plemetinit që nga përfundimi i luftës. Asnjë nga këto familje nuk ka bërë përpjekje që të kthehet në shtëpitë ku ka jetuar më parë. Qeveria e Kosovës është duke ndërtuar një objekt banimi ngjitur me kampin. Por Ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor Ardian Gjini, frikësohet se edhe dimri i sivjetëm do t'i zërë sërisht banorët në kamp.
"Fatkeqësisht, fatkeqësisht po duket që po".
Në anën tjetër banorët e kampit nuk janë të kënaqur me projektin e qeverisë për të ndërtuar objekte kolektive të banimit. Burbuqe Syla shpjegon një nga arsyet:
"Kështu si jemi ne kallaballëk vetë i dhjetë, fëmija nuk dinë çfarë është banesa. Ata janë mësuar në liri, me qenë krejt të çelur nga të tëra anët dhe të luajnë. Sado kudo më mirë do të kishte qenë një shtëpi me dy tre dhoma në të rrallë e oborr të kishin fëmija të silleshin e të luanin, sesa në banesë me i pengu tjetër kujt."
Megjithatë përfaqësuesi i kampit të Plemetinit Bajrush Berisha, është tërë kohën i zënë duke pranuar formularët e banorëve të nevojshme për të siguruar një banesë në ndërtesat që po ndërtohen nga qeveria e Kosovës. Ai thotë se janë të detyruar ta pranojnë realitetin dhe të pranojnë atë që u është ofruar.
"Kur flitet që diçka duhet të bëhet, atëhere me të vërtetë duhet ta bëjmë këtë edhe ne së paku, se jeta në këto barraka, ndoshta keni bërë inçizime dhe keni vënë re se çfarë jete është, atëhere domosdo duhet një jetë më e mirë. Shpresojmë që qeveria në të ardhmen do të mendojë, ndoshta pas zgjidhjes së statusit, problemeve që janë më të mëdha, do të kuptojë që edhe ne jemi pjesë e Kosovës, do të punohet diçka më mirë për komunitetit rom ashkali dhe egjiptas."
Ministri Ardian Gjini thotë se qeveria nuk do ta detyrojë askënd që të largohet me forcë nga kampi.
"Secili njeri ka arsyet e veta. Ne nuk e kemi në plan që ta detyrojmë askënd që të jetojë aty ku ne vendosim se ata duhet të jetojnë. Ne do të krijojmë kushte në mënyrë që ata vetëvetiu të vendosin, të joshen, ta shohin se kushtet të cilat jemi duke i ndërtuar janë kushte të mira dhe do të vendosin vetë që të shkojnë".
I quajtur shumë shpesh nga përfaqësuesit ndërkombëtarë si turp i Kosovës, kampi i Plemetinit sipas premtimeve të qeveritarëve, duhe të shpërbëhet deri në fund të këtij viti. Përfaqësuesi i kampit Bajrush Berisha, nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë.
"Premtimi i kryeministrit Bajram Kosumi ka qenë që me 15 dhjetor, 36 kryefamiljarët të vendosen në ndërtesën e re. Tash sa do të jetë i realizueshëm ky premtim i kryeministrit, atë do ta shohim, mirëpo shpërbërja në tërësi e kampit, atë nuk e besoj ".
Ministri Ardian Gjini beson se shpërbërja tërësore e kampit do të bëhet pranverën e ardhshme, kur edhe priten të mbarojnë së ndërtuari objektet e banimit për të gjithë banorët e kampit.



XS
SM
MD
LG