Ndërlidhjet

PRISHTINË: REZOLUTA E BEOGRADIT PËR KOSOVËN VLERËSOHET SI VEPRIM DESTRUKTIV


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyrtarët politikë, shqiptarë dhe serbë të Kosovës e kanë cilësuar projektrezolutën e djeshme të qeverisë së Serbisë për Kosovën, si një dokument që më shumë synon pozicionim dhe kënaqje të strukturave të caktuara parlamentare të Serbisë, sesa një dokument obligativ. Kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi, tha mbrëmë se fatmirësisht, Kosova është në fazën kur kurrfarë rezolute e Kuvendit apo qeverisë së Serbisë, nuk mund të ndikojë në procesin në të cilin ka hyrë ajo. Kryeministri Kosumi tha se është fatkeqësi e madhe që edhe në këtë fazë kur gjithçka është e qartë, institucionet në Serbi merren me sjelljen e rezolutave dhe të dokumenteve të tjera për Kosovën. Rezoluta e qeverisë së Serbisë për Kosovën paraqet opsionin politik që ka shkaktuar shkatërrimin e ish Jugosllavisë dhe luftën për territore, tha zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj:
"Është një mjerim politik se si në fund të një procesi të dezintegrimit të ish Jugosllavisë dhe në prag të përcaktimit të statusit përfundimtar, Serbia tenton që përmes një dokomumenti të tillë ta emocionalizojë përsëri çështjen e Kosovës", tha zoti Hoxhaj, duke vlerësuar se kjo nuk është një çështje që e obligon Kosovën apo faktorin ndërkombëtar:
"Çështja e Kosovës para së gjithash është çështje e vullnetit politik të qytetarëve që jetojnë në Kosovë dhe pas vitit ’99, pas ndërhyrjes së NATO-s dhe vendosjes së administratës ndërkombëtare, është një çështje dhe problem ndërkombëtar, ku as qeveria dhe Kuvendi i Serbisë dhe as qytetarët e Serbisë nuk kanë mundësi ta influencojnë të ardhmen e saj."
Ndërkaq, zyrtari i lartë i partisë Ora, zoti Ylber Hysa tha se rezoluta është refleksion i shumë balanceve nëpër të cilat po kalon qeveria e Koshtunicës, që është bërë nga radikalët dhe socialistët dhe për këtë arsye rezoluta përmban në vete aq shumë elemente kontradiktore që nga referendumi e deri te sugjerimi që bisedat me shqiptarët duhet t’i bëjë Serbia dhe Mali i Zi, ndërkohë që dihet mirë se Podgorica refuzon të luajë një rol të tillë.
"Rezoluta e qeverisë Koshtunica në fakt është një përpjekje për të parandaluar rolin kaq të rëndësishëm të palës së tretë, të faktorit ndërkombëtar që tashmë shihet shumë mirë, pas takimit të grupit të Kontaktit", tha zoti Hysa, duke shtuar se kjo rezolutë është më shumë një dokument pozicionues, sesa që pretendon të jetë obligativ për të tjerët. Ai tha se serbët duan të thonë se janë pjesë e lojës, por të jesh pjesë e lojës do të thotë të marrësh pjesë aktive në të dhe të jesh i gatshëm për zgjidhje që janë larg rezolutës në fjalë të qeverisë së Serbisë.
Ndërkaq, sipas përfaqësuesit të Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Rangjel Nojkiq, rezoluta e qeverisë së Serbisë është një dokument që ka disa korniza.
"Mendoj se para së gjithash ky dokument synon të kënaqë disa struktura politike në parlamentin e Serbisë. Ka shumë kundërthënie dhe në këtë kuptim, mendoj se kjo rezolutë do të duhej plotësuar," tha Rangjel Nojkiq, sipas të cilit këto përmirësime para së gjithash kanë të bëjnë me përcaktimin që territori i Kosovës nuk mund të ndahet.
"Mendoj se në mënyrë të veçantë duhet të thuhet se ndarja e Kosovës është e pamundur, në pajtim me qëndrimin e Grupit të Kontaktit," tha Rangjel Nojkiq.
Pavarësisht vlerësimeve se kjo rezolutë nuk ka ndonjë fuqi obligative në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, zyrtarët partiakë e shohin atë si një veprim destruktiv të politikës serbe në fillim të procesit.

XS
SM
MD
LG