Ndërlidhjet

UNMIK: DY MINISTRITË E REJA DO TË FORMOHEN PARA FUND VITIT


Albana Isufi, Prishtinë

Shqyrtimi i rregulloreve të UNMIK-ut nga ana e Zyrës Ligjore të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork ka shtyrë krijimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të asaj të Drejtësisë.
Zyrtarët e UNMIK-ut thonë se janë duke pritur dritën jeshile nga Nju Jorku.
“Kjo punë është në proces dhe duhet të shpallet një rregullore e UNMIK-it. Projekt rregullorja e finalizuar nga UNMIK-u është dërguar në Nju Jork. Dhe në bazë të procedurave legale duhet që të qartësohet nga ana e zyrës ligjore në Nju Jork. Ne po presim atë qartësi. Në të njëjtën kohë ne po punojmë ngushtë me institucionet e përkohshme, që të sigurohemi se këto dy ministri do formohen gjatë këtij viti”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh.
Kohë më parë UNMIK-ut pati paralajmëruar se krijimi i këtyre dy ministrive do të bëhet në muajin nëntor. Por, tani nuk veçojnë ndonjë datë. Sërish Neeraj Singh.
“Nuk kemi datë të caktuar ende, por qëllimi është, që të themelohen të dy ministritë para fundit të këtij viti”, tha Singh.
Në anën tjetër këshilltari politik i kryeministrit për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja, i tha Radios Evropa e Lirë se qeveria po bën përgatitjet përfundimtare, para se Nju Jorku të japë vizën për krijimin e dy ministrive të reja.
“Unë mendoj se mund të arrihet ky afat(fundi i vitit) që këto dy ministri të formohen, sidomos ajo e Punëve të Brendshme. Tani jemi në vlugun më të madh të punës që kanë të bëjnë me çështjet teknike, logjistike etj të vendosjes së kësaj ministrie, sepse do ketë para probleme, sidoqoftë besojmë se do kryhen këto punë”.
Institucionet e Kosovës ka kohë që kërkojnë transferimin e përgjegjësive nga UNMIK-u në fushën e drejtësisë dhe të sigurisë. Megjithatë, edhe pas krijimit të këtyre dy ministrive, nuk do ketë transferim të plotë të përgjegjësive. Ramadan Qehaja shpjegon:
"Fillimisht duhet të formohet kjo ministri me dikasteret e veta e më vonë pas 3 muajsh do të bëhet një rivlerësim se deri kur kemi mbërritur me formimin e saj dhe kompetencat do jepen hap pas hapi. Mendoj se deri në qershor do mund t’i marrim të gjitha kompetencat, nëse do shkojnë punët ashtu si duhet të shkojnë”.
Ministritë e reja do të drejtohen nga kosovarët, megjithatë ato do të jenë nën monitorimin ndërkombëtar. Deri tani nuk dihet se kush do jetë në krye të ministrive. Zoti Qehaja thotë se ky do jetë një vendim politik.
“Kjo është çështje politike, unë nuk merrem me këtë për momentin dhe nuk e di se kush do jenë ministrat e ardhshëm, por, me siguri se është duke u menduar për këtë, unë nuk jam i kyçur për këtë."
Vëzhgues ndërkombëtarë e vendës kanë tërhequr vërejtjen që këto ministri nuk duhet lejuar që të politizohen.
Vërejtje e tillë qe dhënë edhe në raportin rreth gjendjes së përgjithshme në Kosovë të të dërguarit të OKB-së për vlerësimin e standardeve Kai Eide.
XS
SM
MD
LG