Ndërlidhjet

JESSEN PETERSEN: ME MIRATIMIN E REZOLUTËS KUVENDI KA PËRMBUSHUR KOMPETENCAT


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen ka vlerësuar sonte në mbrëmje se Rezoluta e sotme e Kuvendit të Kosovës që do të shërbejë si bazë për ndërtimin e platformës së ekipit të Kosovës në bisedimet për statusin, është një veprim i drejtë i Kuvendit të Kosovës në pajtim me përgjegjësitë e tij. Kështu tha për Evropën e Lirë, zëdhënësi i UNMIK-ut Neeraj Singh, duke e lexuar deklaratën me shkrim të shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen:
"PSSP e ka shqyrtuar rezolutën e miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës që ofron mandatin e delegacionit të Kosovës si bazë për platformën e bisedimeve të ardhshme për statusin", tha zoti Singh duke e lexuar deklaratën e zotit Petersen, i cili në vazhdim ka vlerësuar se duke e miratuar një dokument të tillë, Kuvendi i ka përmbushur në mënyrën e duhur kompetencat e veta:
"Ai ka thënë se tani është koha për liderët politikë t’i përshpejtojnë përgatitjet për procesin e statusit sidomos duke pasur parasysh se të hënën vjen Marti Ahtisari", tha zëdhënësi Singh duke e cituar shefin e tij, Jessen Petersen, të ketë thënë se llogarit që liderët e Kosovës do ta respektojnë përkushtimin e tyre që ta bëjnë këtë proces sa më gjitheëpërfshirës që të jetë e mundur.
Në anën tjeter, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi tha se Kuvendi i Kosovës ka bërë një zgjedhje shumë të mirë:
"Kuvendi i Kosovës sot ka bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme në këtë situatë, duke miratuar një rezolutë të duhur dhe të fuqishme për procesin nëpër të cilin po kalojmë. Kuvendi ka miratuar një rezolutë që rikonfirmon vullnetin politik shekullor të popullit të Kosovës për liri, shtet të pavarur dhe sovran dhe njëkohësisht garanton të gjitha të drejtat e barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës "
tha kryeministri Kosumi për të shtuar se kjo rezolutë e obligon delegacionin e Kosovës që në negociatat për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës të ketë si pikë, si bazë mbështetëse pikërisht këtë rezolutë.
Në anën tjetër, serbët e Kosovës nuk janë shprehur të befasuar nga miratimi i rezolutës nga Kuvendi i Kosovës. Dragisha Kërstoviq, nga Lista Serbe për Kosovën e Metohinë tha se miratimi i rezolutës është një gjë krejt normale:
"Një gjë të tillë e ka bërë edhe qeveria e Serbisë dhe ajo do të miratohet edhe në Kuvendin e Serbisë , kështu që nuk shoh kurrfarë problemi nëse bëhet fjalë për një platformë për negociatat e ardhshme", tha zoti Kërstoviq.
Paraprakisht, zyrtarët e UNMIK-ut dhe shefi i zyrës amerikane në Prishtinë i patën tërhequr vërejtjen Kuvendit të Kosovës që të mos miratojë vendime të njëanshme lidhur me statusin, të cilat nuk do të ishin të dobishme për procesin.

Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG