Ndërlidhjet

KUVENDI MIRATON REZOLUTËN QË KONFIRMON VULLNETIN E POPULLIT PËR PAVARËSI


Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Rezolutën me të cilën rikonfirmon vullnetin e qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur e sovran. Rezoluta është miratuar me aklamacion, si rezultat i punës së përbashkët i të gjitha grupeve parlamentare, si nga pozita ashtu edhe opozita. Rezoluta thirret në të gjitha dokumentet e rëndësishme historike të Kosovës, filluar nga Konferenca e Bujanit e deri të historia më e re, ajo e deklaratës kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990 dhe Referendumin e vitit 1991 për Kosovën e pavarur e deri të lufta e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shtet sovran. Përmbajtja e Rezolutës, para Kuvendit është lexuar nga deputetja Nekibe Kelmendi:
“Kuvendi i Kosovës rikonfirmon vullnetin e popullit të Kosovës për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran, Kuvendi i Kosovës garanton rikonfirmimin e vullnetit politik të popullit të Kosovës për Pavarësi nëpërmjet Referendumit, Kuvendi i Kosovës merr obligim të nxjerrë Kushtetutën e Kosovës në pajtim me standardet e Bashkimit Evropian,
Kuvendi i Kosovës kërkon përkrahjen ndërkombëtare për Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran, nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, si dhe nga vendet e tjera”, tha Kelmendi.
Kjo Rezolutë garanton kufijtë e Kosovës si edhe të drejtat e liritë e pakicave. Ajo u tha se hyn në kuadër të platformës për bisedimet, duke përcaktuar që Delegacioni i Kosovës nuk mund të nënshkruaj asnjë marrëveshje gjatë negociatave, pa miratimin e Kuvendit, apo në rastin e dytë pa thirrjen e Referendumit.
Miratimi i Rezolutës është mirëpritur nga shefat e partive më të mëdha parlamentare.
Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi tha se Kuvendi i Kosovës kreu obligimin ndaj qytetarëve të saj duke miratuar vendimin e duhur, vendimin për Rezolutën për rikonfirmimin e vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran:
“Kjo Rezolutë është ndihmesë edhe për investimin e angazhimeve të tyre në Kosovë, të SHBA-së, të BE-së, në mënyrë që ashtu siç ishim dje bashkërisht në përpjekjet në çlirimin e Kosovës, siç jemi edhe sot në ndërtimin e paqes, do të jemi edhe nesër në procesin e statusit final të Kosovës”, theksoi Thaçi.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti, një prej atyre që konsiderohej si mbështetës i versionit tjetër, respektivisht ishte në favor të Rezolutës për ri-deklarimin e shtetit të pavarur të Kosovës, tha se nuk ishte as i kënaqur e as i pakënaqur. Sidoqoftë, Hamiti tha se rruga e gjatë e Kosovës ka vetëm një përfundim, e ai përfundim është pavarësia dhe sovraniteti:
“Ashiqare që shpallja si fjalë iu ka penguar njerëzve të cilët e kanë bërë presionion e hatshëm mbi përfaqësuesit e Kosovës, do të thotë është presioni i instancave politike të jashtme, përfaqësuesit e Kosvës e kanë pranu këtë sugjerim dhe ja e keni këtë formulim”, vlerësoi Hamiti.
Kurse Veton Surroi, kryetar i partisë politike Ora, tha se ishte i kënaqur që në preambulën e Rezolutës është futur dhe Konferenca e Bujanit, si ngjarje fillestare në rrugën e Kosovës për shtet sovran. Ai tha po ashtu se është mirë që Rezoluta do të jetë pjesë e platformës së Delegacionit të Kosovës për bisedimet:
“Është rikonfirmuar vullneti. Ky vullnet duhet të shpie në pavarësi të plotë. Po të kishim qenë të pavarur nuk do të kishim bërë Rezolutë për pavarësi, por nuk jemi të pavarur”, tha Surroi.
Procedura për harminizimin e tekstit të kësaj Rezolute ka zgjatur 45 ditë. Formulimi i miratuar sot në Kuvend, u tha se ishte një balans ndërmjet interesave të Kosovës në prag të bisedimeve dhe parimeve të Grupit të Kontaktit për bisedimet, në të cilat kërkohet që as Prishtina dhe as Beogradi nuk mund të vendosin njëanshëm për statusin e Kosovës. Kjo ka bërë që Rezoluta të mos miratohet si ri-deklarim i shtetit të pavarur të Kosovës, por si rikonfirmim i vullnetit të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.

Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG