Ndërlidhjet

JOHNSON:"KOSOVA, NJË SHTET I RI ME KUFIZIME TË NATYRSHME"


A. ROSS JOHNSON, Instituti i Hulumtimeve Hoover/SHBA/


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Johnson, Kosova është duke hyrë në procesin e përcaktimit të statusit. Duke marrë parasyshë qëndrimet e skajshme në mes të Prishtinës dhe Beogradit, cila mendoni se do të ishte rruga më e mirë për zgjidhjen e kësaj çështjeje?

A. ROSS JOHNSON
Mendoj se tashmë të gjithë e dinë se status-quoja nuk mund të vazhdojë. Ky është mendim i ekspertëve, zyrtarëve dhe këtë përshtypje e kam pasur edhe unë në pranverën e vitit 2004. Nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns, e ka ripërsëritur qëndrimin se status-quoja nuk është e pranueshme. Prandaj, zgjidhja e statusit duhet të definohet. Qëndrimet e shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve janë vështirë të pajtueshme në mes vete, por korniza për gjetjen e një zgjidhjeje tashmë është përcaktuar nga Grupi i Kontaktit dhe pothuajse të gjithë zyrtarët ndërkombëtarë - nuk ka kthim prapa nën sundimin serb, nuk ka kthim në gjendjen e vitit 1974 apo në vitet e 80’ta. Grupi i Kontaktit pra dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë kanë përcaktuar kornizën për statusin dhe mendoj se do të bazohet në atë që është nënvizuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Ballkanin dhe së fundi edhe nga presidenti slloven, Janez Dërnovshek. Një shtet i ri. Negociatat rreth kësaj çështjeje në mes të Prishtinës dhe Beogradit do të jenë shumë të vështira, prandaj mendoj se është Grupi i Kontaktit ai që duhet ta përcaktojë kontekstin, kurse hollësitë tjera duhet të arrihen në marrëveshje me palët tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju sapo përmendët një prej opsioneve, që së voni është duke u përmendur si një prej opsioneve më të mundshme, pavarësinë e kushtëzuar. Si e shihni ju këtë opsion?

A. ROSS JOHNSON
Kur përdoret në këtë kuptim, pavarësia e kushtëzuar, është shprehje pezhorative dhe si e tilë, e di se kundërshtohet nga shumica, nëse jo nga të gjithë njerëzit e përfshirë. Por, më duhet të them se pothuajse çdo shtet në botë sot ka një formë të kufizimeve mbi sovranitetin e tij, përfshirë këtu edhe të gjitha vendet anëtare të Bashkimi Evropian. Prandaj, se rezultati më i mundshëm në fakt është një shtet i ri me disa kufizime të pajtueshme, po e nënvizoj të pajtueshme, mbi sovranitetin dhe jo mbi pavarësinë. Ky element nuk do të duhej të kuptohej negativisht në Kosovë. Komuniteti ndërkombëtar në tërësi, Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë investuar një energji të jashtëzakonshme, kohë dhe resurse, fillimisht me rastin e ndërhyrjes humanitare dhe së fundi edhe me vendosjen e një administrate të ndarë nga Serbia. Prandaj mendoj se secili në Kosovë duhet të kuptojë se komuniteti ndërkombëtar si i tillë ka të drejtë të caktuar për të ndihmuar që gjërat të shkojnë në drejtimin e duhur për të ardhmen e Kosovës. Prandaj, kufizimet dhe restriksionet e pajtueshme nuk mendoj se duhet të kundërshtohen, ato janë elemente të natyrshme në këtë periudhë.

RADIO EVROPA E LIRË
Emisari psecial i Kombeve të Bashkuara për statusin, Marti Ahtisaari, ka thënë se bisedimet nuk do të kenë një afat të caktuar. Por, udhëheqësit kosovarë kanë frikë se një afat i pacaktuar i bisedimeve mund të shfrytëzohet nga grupet radikale për të nxitur telashe. A mendoni ju se duhet të ketë një afat?

A. ROSS JOHNSON
Duhet të jetë e qartë dhe mendoj se nënsekretari amerikan i shtetit, Nicholas Burns, e ka thënë këtë se procesi duhet të ecë përpara. Mendoj se pikërisht tani askush nuk mund të definojë një orar të saktë. Megjithatë, duhet kuptuar dhe besoj se bindjet e komunitetit ndërkombëtar janë se këto bisedime nuk mund të jenë të paafatizuara, se nuk mund të zhvillohen me muaj të tërë, e sigurisht jo me vite të tëra. Mbase nuk është e dobishme për të caktuar një datë fikse, por sërish po e përsëris unë vërtetë besoj se bindjet janë që bisedimet duhet të ecin përpara, nuk mund të jenë të hapura përgjithmonë dhe se duhet të përfundojnë me një rezultat në një afat të arsyeshëm kohor.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, nëse zgjidhja nuk gjindet dhe nuk bazohet në një marrëveshje në mes të të gjitha palëve të përfshira, kush është ai që vendos se cili do të jetë statusi?

A. ROSS JOHNSON
Mendoj se në fund, vendimi do të jetë i Grupi të Kontaktit, i të gjitha vendeve që kanë qenë më së shumti të angazhuar për të ardhmen e Kosovës që nga viti 1999. Dhe mendoj se do të jetë marrëveshja e arritur në mes të këtyre shteteve që do të definojë kontekstin. Mua më duket se të gjitha palët përpara vetes kanë sfida të vërteta. Për shqiptarët e Kosovës duket se një sfidë e vërtetë është krijimi i një lidershipi unik që do të marrë pjesë në bisedime. Për Serbinë ndërkaq, për Beogradin, një sfidë e vërtetë është fakti se serbët duhet të pajtohen me natyrën kundërthënëse të qëndrimit të tyre. Nëse vërtetë e mendojnë atë çfarë thonë në qëndrimin “më shumë autonomi për Kosovën”, atëherë kuptimi logjik i këtij qëndrimi është një shtet i ri. Në mes të këtyre dy zgjidhjeve, në fakt nuk ka asnjë zgjidhje tjetër në mes. Dhe në këtë mënyrë apo në një tjetër të gjitha palët duhet të pajtohen me këtë status të ri.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG