Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

MOORE:"BEOGRADIT ËSHTË DASHUR THËNË SE KA HUMBUR KOSOVËN PËRGJITHMONË"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Moore, bisedimet për statusin do të fillojnë shumë shpejt. Thuhet se do të zbatohet "shuttle" siplomacia. Ç'do të thotë ajo konkretisht dhe si e shihni ju në tërësi këtë proces?

PATRICK MOORE
Procesi është fjala e saktë për këtë, pasi ajo që do shohim do të jetë pak teatër me të gjitha palët që mendojnë se duhet të bëjnë shfaqje si për veten e tyre ashtu dhe për hir të votuesve në vendet prej nga ata vijnë. Kjo, sepse një nga faktorët më të rëndësishëm në këtë proces është se do të kemi një ekip negociator serb para se të mbahen zgjedhjet e përgjithshme në Serbi. Ideja origjinale në fillim të vitit 2005 ka qenë që gjatë po të njëjtit vit do të mbahen zgjedhjet. Po i afrohemi fundit të vitit 2005 dhe ende nuk ka patur zgjedhje në Serbi. Prandaj politikanët votuesve sigurisht që do t'u ofrojnë shfaqje. E dimë nga negociatat në vitet 90' sa i përket Kroacisë dhe Bosnjes, që diplomacia "shuttle" mund të marrë shumë kohë dhe nuk do të thotë të jetë produktive. Prandaj çështja tani është nëse bashkësia ndërkombëtare do t'i detyrojë të gjithë, sidomos delegacionin serb që do të bëjë shfaqje për votuesit e vet, që të bëhet serioz dhe të arrihet një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
Qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit rreth statusit të Kosovës janë diametralisht të kundërta dhe me pak gjasa që të arrihet marrëveshje e ndërsjellë. Kush dhe si do të vendosë për statusin e Kosovës nëse "shuttle" diplomacia nuk do të sjellë rezultat?

PATRICK MOORE
Për të qenë fare i hapur lidhur me këtë çështje, bashkësia ndërkombëtare është përgjegjëse për këtë gjendje dhe është një problem që duhet ta zgjidhin ata. Të gjithë e dimë se çfarë do të ndodhë në Kosovë, nëse rezultati i negociatave do të jetë diç më pak se pavarësia. Dhe nuk ka nevojë që të trajtohet më tej kjo pikë. Por ndërkombëtarët kanë një përgjegjësi jo të vogël nëse do të ketë probleme me këto bisedime, sepse duhej t'ia bënin të qartë udhëheqjes serbe vite më parë që për shkak të polikës së Sllobodan Millosheviçit në Kosovë në vitet e 1998 dhe 1999, e humbi Kosovën përgjithmonë dhe se nuk do të kishte ndonjë rol real të Beogradit në bisedimet e mëvonshme. Duhej t'i kishin treguar udhëheqjes së Beogradit që të mos i kushtonin kaq shumë vëmendje punëve të Kosovës, por të përqëndroheshin në problemet e tyre reale që janë krimi, varfëria dhe korrupsioni. Ajo që ka ndodhur tani është që ndërkombëtarët e kanë vënë veten në një situatë shumë të vështirë diplomatike dhe prrandaj u duhet që çështjen ta zgjidhin vetë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka ekspertë dhe zyrtarë që thonë se me zgjidhjen e statusit të Kosovës përfiton dhe Beogradi, sepse në këtë mënyrë Serbisë i hapen dyert e integrimeve evro-atlantike. A mendoni se një perspektivë e tillë e Serbisë mund të zbusë qëndrimet e zytarëve të Beograd që vazhdojnë të insistojnë se nuk ka politikan serb që do të pranojë pavarësinë e Kosovës?

PATRICK MOORE
Të huajt i kanë bërë një dhuratë shumë të bukur Beogradit duke i ftuar përfaqësuesit serbë që të marrin pjesë në këto negociata. E dimë që negociatorët serbë janë shumë të shkathtë dhe shumë të ashpër dhe do ta shfrytëzojnë dhuratën që u bëri bashkësia ndërkombëtare, ashtu si kushdo në vendin e tyre, për të arritur përfitimet maksimale për veten e tyre, sidomos siç e thashë më parë me afrimin e zgjedhjeve në Serbi. Ka spekullime që Beogradi do kërkojë disa kompensime ndoshta në Bosnje. Por nuk mendoj se kjo është një çështje me rëndësi për udhëheqjen politike në Beograd. Mendoj se ajo që do përpiqen të bëjnë, është që të luajnë me këtë avantazh diplomatik, që u është ofruar sa më shumë të jetë e mundur, me qëllim arritjen e një qëndrimi tepër liberal nga ana e Brukselit lidhur me integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian nënkupton tre gjëra për çdo vend të rajonit: status, para dhe udhëtim pa viza dhe gjithsecila nga këto gjëra do të jetë tepër e fuqishme si argument për t'u përdorur gjatë fushatës elektorale.

Intervistoi: Melazim KOCI

XS
SM
MD
LG