Ndërlidhjet

KURTI: DERISA KOSOVARËT KËRKOJNË KOMPETENCA, SERBIA KËRKON TERRITORE


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Udhëheqësit e lëvizjes "Vetëvendosja" kanë përsëritur edhe sot qëndrimin e tyre se janë kundër negociatave për statusin politik të Kosovës dhe kundër reformimit të pushtetit vendor përmes decentralizimit. Gjatë një debati me studentët e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, Albin Kurti është përqëndruar pikërisht në çështjen e decentralizimit, duke thënë se ky proces është jashtëzakonisht i rrezikshëm për Kosovën lindore, ku sipas tij, decentralizimi ka për qëllim zgjerimin e enklavave të banuara me shumicë serbe.
"Përderisa politikanët tonë kërkojnë më shumë kompetenca, Serbia kërkon më shumë territore. Serbia sot është duke punuar me harta dhe këta kërkojnë më shumë kompetenca, si për Ministrinë e Drejtësisë si për Ministrinë e Punëve të Brendshme, pavarësisht se mbi to gjithësesi do të jetë sërisht Peterseni. 10 përqind e territorit në Kosovë nuk dihet është enklavë apo nuk është enklavë dhe decentralizimi ka për ta përcaktuar këtë. Mirëpo decentralizimi ka për qëllim edhe diçka tjetër, që t'i zgjerojë enklavat ekzistuese dhe t'i përforcojë kufijtë e njësive të reja territoriale dhe administrative".
Glauk Konjufca po nga lëvizja "Vetëvendosja" tha se edhe më tej vazhdon të jetë e pranishme mungesa e lirisë kolektive.
"Kjo do të thotë se në mungesë të lirisë gjithshka vjen nga larg dhe është e imponueshme. Shtrohet pyetja çfarë mund të zgjidhim ne si popull? Ne na është lejuar vetëm t'i ndërrojmë njerëzit brenda institucioneve, por kurrë nuk na jepet mundësia që të zgjedhim se çfarë institucionesh duam të kemi, se cilat janë kufijtë politikë të atyre institucioneve. Dhe nëse liria ka ndonjëfarë kuptimi, ose e ka kuptimin që një popull të ketë të drejtë që në mënyrë të papenguar të zgjedhë se çfarë shoqërie politike po do të ketë dhe çfarë institucionesh politike po do të ketë, ose nuk ka fare kuptim tjetër".
Ndërkaq Burim Salihu, student i Fakultetit Juridi, duke u pajtuar me qëndrimet e "Vetëvendosjes" thotë se të njëjtat qëndrime duhet të zbatohen edhe nga ndonjë organ tjetër.
"Ai organ tani për tani është populli dhe kërkohet një vlerësim më i lartë i popullit."
Ndryshe lëvizja "Vetëvendosje" me moton "Le të dëgjohet zëri ynë", angazhohet për zbatimin e të drejtës së qytetarëve të Kosovës që të vendosin vetë mbi të ardhmen politike të vendit të tyre.



XS
SM
MD
LG