Ndërlidhjet

MARTI AHTISARI FILLOI VIZITËN E PARË NË KOSOVË


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari tha sot është i kënaqur për faktin që kaq shpejt ka mundur të vijë në Prishtinë për të nisur misionin e tij në përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës. Zoti Ahtisari i ka bërë këto komente sot pasdite me të arritur në aeroportin e Sllatinës, ku është pritur nga zëvendësshefi i UNMIK-ut, Larry Rosin.
"Jam, i kënaqur që kam mundur të vijë kaq shpejt që nga emërimi im, për të udhëhequr diskutimet dhe negociatat për statusin e ardhshëm të Kosovës", tha zoti Marti Ahtisari, duke bërë kështu deklaratën e vetme gjatë ditës së sotme.
Sidoqoftë, ish-presidenti finlandez që është emëruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan për të udhëhequr negociatat për statusin e Kosovës, menjëherë ka filluar takimet e tij. Ai, diplomacinë e vajtje-ardhjeve e ka nisur me një takim me shefin e UNMIK-ut Soren Jesen Petersen dhe me zyrtarë të tjerë të misioneve civile dhe atyre ushtarake ndërkombëtare në Kosovë. As zoti Ahtisari dhe asnjë nga bashkëbiseduesit e tij nuk kanë pranuar të flasin lidhur me këto takime.
Në anën tjetër, ardhja e zotit Ahtisari që ketu cilësohet si fillimi i bisedimeve për statusin e Kosovës, është pritur nga një mobilizim i shtuar i udhëheqësve vendorë, në përpjekjet e këtyre të fundit që gjatë takimit me zotin Ahtisaari të dalin me qëndrime unike, ashtu siç është kërkuar vazhdimisht prej tyre. Grupi Negociator, i prirë nga presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova dhe Grupi Politik, i cili merret me hartimin e një strategjie negociuese, janë takuar sot gjatë ditës. Në një komunikate nga mbledhja e sotme e Grupit Negociator thuhet se në takimin e mbajtur sot, ky grup ka miratuar dokumentin mbi pozicionin e Kosovës për statusin e vendit. Ky dokument do t’i dorëzohet të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin e Kosoveës, z. Marti Ahtisari, gjatë takimit të parë që do të ketë Delegacioni i Kosovës me të ditën e martë në Prishtinë. Sidoqoftë, në mbledhjen e fundit, mbajtur të premten, Grupi Negociator pati vendosur që zotit Ahtisari t’ia dorezojë në formë të shkruar qëndrimin parimor të Kosovës për pavarësinë, që është i mbështetur edhe në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës, për rikonfirmimin e vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran. Kjo rezolutë është miratuar si pjesë përbëreëse e platformës së Grupit Negociator, sipas së cilës pavarësia është e panegociueshme.

Rrahman Pacarizi


XS
SM
MD
LG