Ndërlidhjet

HYSENI: PARLAMENTI DUHET TË KETË ROL MBIKQYRËS KONTROLLUES NË PROCESIN E STATUSIT


Hydajet Hyseni, deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Parlamenti i Kosovës miratoi nismën për fillimin e hartimit të projektit të Kushtetutës së Kosovës. Sa ju konsideroni se në fazën kur ka filluar procesi i bisedimeve, Kuvendi mund të hartojë një projekt- kushtetutë, të cilën në fakt Kuvendi e dëshiron?

HYDAJET HYSENI
Së pari do dëshiroja të theksoj se kjo është një ide e kahershme dhe do të shtoja që në fillim ka qenë një nga drejtimet e angazhimit të Komisionit për Çështje Gjyqësore, Legjislative dhe Kushtetuese. Është përshtypja se tani është koha pikërisht për të nisur këtë proces dhe kjo do duhej kuptuar drejt, ashtu siç ishte filluar dhe miratuar nga Kuvendi i Kosovës, si nismë për përgatitjen dhe fillimin e hartimit të Kushtetutës. Mund të diskutohet nëse është koha për ta vënë në procedim dhe për ta miratuar apo jo. Por sa për atë se a është koha për ta hartuar apo përgatitur atë, mendoj se megjithatë kjo çështje nuk shtrohet fare. Gjithmonë është koha për të përgatitur diçka që është e pritshme dhe është e pashmangshme. Kushtetuta e Kosovës do të jetë një nga sfidat e ardhshme të Kuvendit të Kosovës dhe të institucioneve të Kosovës dhe është krejt në rregull që Kuvendi i Kosovës t'i hyjë këtij procesi në mënyrë të kujdesshme, gjithëpërfshirëse, të organizuar, të përgatitur dhe të harmonizuar me të gjithë partnerët me të cilët do ta përmbylli këtë proces.

RADIO EVROPA E LIRË
Kishte një propozim në Kuvend që të formohet një grup i posaçëm për hartimin e këtij projekti të Kushtetutës. Ju jeni kryetar i komisionit përkatës në Kuvendin e Kosovës. Si e shihni formimin e këtij grupi dhe sa konsideroni se do të jetë gjithëpërfshirës?

HYDAJET HYSENI
Ka në Kuvendin e Kosovës një komision që është komision përgjegjës për çështje të gjyqësorit, për çështje legjislative dhe kushtetuese. Sipas praktikave të mirënjohura parlamentare, është ky komision që duhet të ketë përgjegjësinë e parë drejtpërdrejt edhe për procesin e kushtetutë-bërjes në Kosovë. Por jo vetëm Kushtetuta, por edhe çdo nismë e këtij komisioni, asnjëherë nuk ka funksionuar si ekskluzive, si përjashtuese për të tjerët. Kushtetuta u përket të gjithëve. Prandaj mendoj se kjo është trokitje në derë të hapur. Jo vetëm përfshirja e të gjithë grupeve parlamentare është e nevojshme, por është e nevojshme përfshirja e të gjitha institucioneve, është e nevojshme përfshirja e përfaqësuesve të të gjitha komuniteteve dhe shoqërisë civile. Madje do të jetë shumë i rëndësishëm harmonizimi i gjithë këtij procesi midis institucioneve të Kosovës dhe ekipit tani të formuar për përfaqësimin e Kosovës edhe në procesin e përmbylljes së çështjes së Kosovës.Unë do të theksoja si komponent shumë të rëndësishëm dhe të nevojshëm harmonizimin midis institucioneve të Kosovës dhe pranisë ndërkombëtare në Kosovë. Në një proces të tillë tepër të rëndësishëm, Kosova as nuk duhet të vonohet por as nuk duhet të nxitohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Vizita e zotit Marti Ahtisari në Prishtinë konsiderohet si fillim i bisedimeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Cilat janë pritjet tuaja nga këto bisedime si deputet i parlamentit?

HYDAJET HYSENI
Kam përshtypjen se çështja e rrumbullakësimit të zgjidhjes së ardhshme të Kosovës po thjeshtësohet dhe po reduktohet pa nevojë në atë që po quhet status përfundimtar i Kosovës. Unë kam vështirësi ta kuptoj këtë. Nuk besoj se është shprehja e pështatshme status, nuk besoj se do të ketë një status përfundimtar në këtë fazë. Jam i prirur që çështjen ta shoh si proces. Mund të ketë një status të ardhshëm, zgjidhje të ardhshme, por që do të jetë një shkallë edhe për zgjidhjet që do të vijnë. Mos të harrojmë që Kosova aspiron të integrohet në familjen e madhe evropiane dhe ajo do të jetë edhe synimi e ndoshta zgjidhja afatgjatë e së ardhmes së Kosovës. Integrimi i saj në strukturat evropiane. Kosova tani ka një sfidë serioze përpara, divorcin nga e kaluara e dhunshme gjenocidale. Ky është një proces. Pas tij vjen procesi i ndërtimit të raporteve të ardhshme, ashtu si i ka përcaktuar populli i Kosovës. Ajo që ne do të dëshironim në këtë fazë është që të mbizotërojë fryma e mirëkuptimit, e përgjegjësisë, të respektohet vullneti plebishitar i popullit të Kosovës, të mos lejohet praktika e lojërave politike me zgjidhje gjysmake, që siç është dëshmuar në të kaluarën nuk i ndihmojnë vendosjes së paqes së drejtë të qëndrueshme në një vend, por përkundrazi janë të mbarsura me konflikte dhe probleme që mund të kushtojnë shtrenjtë. Unë besoj shumë që procesi që po nis do të ketë parasysh përvojën e të kaluarës, do të ketë parasysh realitetet e krijuara në Kosovë, do të ketë parasysh po ashtu edhe procesin e zgjidhjeve dhe përvojën në fqinjësi dhe si i tillë do të jetë kthesë në të mirë të paqes dhe stabilitetit jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili konsideroni se do të jetë roli i parlamentit të Kosovës gjatë tërë procesit të bisedimeve?

HYDAJET HYSENI
Në një mënyrë këtë edhe e ka paralajmëruar rezoluta e sapo miratuar në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi i Kosovës është organi më i lartë i pushtetit të Kosovë, është trupi që përfaqëson interesat dhe vullnetet e qytetarëve të Kosovës. Prandaj mendoj se roli i tij duhet të jetë rol i rëndësishëm mbikqyrës-kontrollues, por edhe politik-krijues dhe mendoj si i tillë ky rol duhet të jetë gjatë gjithë procesit, që në fillim e deri në fund, madje edhe pas kësaj.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG