Ndërlidhjet

PAS 6 VJET TRANZICION SYTË E KOSOVËS TË DREJTUARA NGA BISEDIMET PËR STATUSIN


Christian Science Monitor


Politikanët shqiptarë në Kosovë thonë se janë më se të gatshëm për të filluar bisedimet që do t’i japin fund amullisë së krijuar në këtë vend të administruar nga Kombet e Bashkuara. Kordinatori i grupeve punuese të delegacionit kosovar, Blerim Shala, thotë se këto bisedime paraqesin edhe pjesën e fundit të mozaikut. Çdokush është ngopur me periudhat e tranzicionit në Kosovë dhe askush nuk dëshiron ta shohë Kosovën si një shtet të dështuar, thotë zoti Shala. Përcaktimi i statusit përfundimtar shihet si një çelës i krijimit të një stabiliteti më të gjerë në mbarë Ballkanin. Megjithatë, askush deri më tash nuk ka thënë se negociatat do të jenë të lehta. Situata aktuale në Mitrovicë, qytet ky i ndarë në pjesën e banuar me shqiptarë dhe atë me serbë, në fakt pasqyron hendekun që ekziston në mes të të dyja palëve. Në një anketë të një agjencie të Kombeve të Bashkuara, serbët kanë pohuar se problemi i tyre më i madh është siguria personale dhe publike, por shqiptarët thonë se këto shqetësime janë të ekzagjeruara.
Kosova vuan edhe nga shkurtimet e mëdha të furnizimit me rrymë, nga niveli i lartë i papunësisë prej 60 për qind dhe nga paga mesatare prej 150 deri në 200 euro në muaj. Shqiptarët janë të bindur se statusi është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet. Avni Arifi, këshilltar i lartë i kryeministrit Bajram Kosumi pohon se me zgjidhjen e statusit, rajoni do të qetësohej, kurse ekstremistët në Kosovë nuk do të kishin arsye për të ekzistuar”. Shqetësimet mbi ekstremistët e këtille janë ripërtërirë muajin e kaluar për shkak të paraqitjes së një grupi në perëndim të Kosovës, i cili veten e quan Ushtria për Pavarësinë e Kosovës. Naser Humaj nga Gjakova citohet nga gazeta të ketë thënë se ka njerëz që duan të shfrytëzojnë rastin nga situata, por ata nuk e kanë përkrahjen e popullit. Këtë ushtri nuk e do askush, ne kemi zgjedhur njerëzit tanë për ta bërë këtë punë në Prishtinë, thotë zoti Humaj.
Dhe derisa shqiptarët kokën e kanë të kthyer kah Prishtina, serbët e Kosovës përgjigje kërkojnë nga Beogradi. Shefi i administratës ndërkombëtare, Soren Jessen Petersen thotë se kjo tendencë e serbëve ka qenë pengesa meë serioze. “Nuk kemi qenë mjaft të mirë për të mundësuar angazhimin e tyre, por gjithashtu besoj se edhe Beogradi mban një pjesë të madhe të fajit. Në parim, sipas tij, ekziston politika e bojkotit, sepse serbët e Kosovës nuk kanë arritur të marrin kurrë dritën jeshile nga Beogradi për të marrë pjesë në institucione dhe për të punuar me ne.
XS
SM
MD
LG