Ndërlidhjet

KOSUMI: S'MUND TË KËRKOJMË LIRI PËR NE, PA LIRI PËR TË TJERËT


Albana Isufi, Prishtinë

Fishkëllimat e anëtarëve të lëvizjes "Vetëvendosja" kanë ndërprerë sot fjalët e shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen në Kuvendin Komunal të Klinës, ku së bashku me kryeministrin Bajram Kosumi kishin shkuar për të debatuar rreth zbatimit të mëtejmë të standardeve dhe procesit të negociatave.
“Ne të gjithë jemi në anën e demokracisë dhe kjo nënkupton se njerëzit kanë rastin që të shprehin pikëpamjet e tyre, që të dëgjojmë këto pikëpamje dhe t'i marrim në konsideratë. Por natyrisht jo që të shtypet zëri i tjetrit dhe të mos dëgjohet siç ndodhi tani,” tha Jessen Petersen, pasi që anëtarët e lëvizjes "Vetëvendosja" u larguan nga salla. Ndërkohë, nga një komunikatë për media e kësaj lëvizjeje njoftohet se polica për këtë incident ka arrestuar 17 persona.
Reagimi i "Vetëvendosjes" ishte shenje proteste ndaj nisjes së procesit të negociatave. Por, pikërisht ky proces është quajtur si shumë i rëndësishëm sot nga shefi i UNMIK-ut dhe nga kryeministri.
Jessen Petersen para këshilltarëve dhe qytetarëve të Klinës ka thënë se vazhdimi i zbatimit të standardeve do të shpejtojë zgjidhjen e statusit të Kosovës.
“Ne të gjithë jemi të bindur se vetëm statusi dhe qartësimi i tij mund të ndihmojë të gjithëve për të kuptuar nevojat tuaja. Ne tani jemi në këtë moment. Ne jemi në momentin që do ta quaja fillimin e fundit për UNMIK-un dhe kjo është mirë për ne dhe për ju, sepse ne jemi institucione të përkohshme, dhe mendoj se ky është moment thelbësor për Kosovën”, tha Petersen.
Ndërkaq, kryeministri Bajram Kosumi ka siguruar të gjithë qytetarët se Kosova e nesërme do të jetë vend ku liria do të jetë e siguruar për të gjithë.
“Nuk mund të kërkojmë të krijojmë liri për veten tonë dhe jo liri për të tjerët, jo liri për komunitetet e tjera, ose jo liri për serbët ose për cilindo komunitet tjetër. Ne do të krijojmë lirinë për çdo qytetar të Kosovës në çdo kënd të Kosovës, në çdo shtëpi brenda kufirit në Kosovë.
Kosumi ka njoftuar klinasit me dokumentin e ri, që do të hartohet nga institucionet e Kosovës, përmes të cilit do të vazhdojë zbatimi i standardeve.
“Jemi duke përgatitur një dokument të ri që quhet rruga e Kosovës drejt Evropës. Dhe me këtë dokument të ri ne do t'i shkrijmë standardet e kaluara, ato që kanë mbetur pa u realizuar, me standardet e reja evropiane. Ne po duam të shkojmë kah Evropa dhe duhet të realizojmë disa standarde evropiane dhe do ta bëjmë një dokument unik që do të punojmë bashkë, qeveria e Kosovës, UNMIK-u dhe Komisioni Evropian, për me ec përpara me kriju vlera të reja në shoqërinë tonë."
Kryeministri Kosumi dhe shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen kanë përgëzuar klinasit për përmbushjen e standardeve, duke e quajtur këtë komunën si shembull që duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera, sidomos në fushën e përmbushjes së standardit të kthimit.



XS
SM
MD
LG