Ndërlidhjet

DHUNA NDAJ GRAVE NË KOSOVË ËSHTË SHTUAR DY VITET E FUNDIT, VLERËSOJNË OJQ-TË


Nadije Ahmeti, Prishtinë

Dhuna ndaj gruas është një ndër format më të turpshme të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe si e tillë nuk njeh kufij kulturorë gjeografikë apo status social. Me këtë fjali, kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi e ka shënuar ditën ndërkombëtare për eleminimin e dhunës ndaj grave. Kryeministri Kosumi, njëkohësisht tha se fenomeni i dhunës ndaj gruas ndikon negativisht jo vetëm tek anëtarët e familjes, por edhe në shoqërinë kosovare në përgjithësi.
"Vetëm ajo shoqëri e cila nuk kultivon dhunën mund të shkojë drejt avancimit në të gjitha sferat e jetës shoqërore ekonomike dhe kulturore, si dhe mund të dëshmojë barazinë përpara ligjit".
Organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të gruas, tërheqin vërejtjen se dhuna ndaj gruas është rritur dy vitet e fundit.
Në raportin e fundit që ka bërë Qëndra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, thuhet se numri i përgjithshëm i viktimave të trajtuara nga kjo qendër, prej vitit 200 e deri në dhjetor të vitit 2004, është 20 mijë e 730 viktima mbi të cilët është ushtruar dhunë, në shumicën e rasteve nga bashkëshortët e tyre. Bahrie Deva, koordinatore në këtë qendër, thotë se forma të dhunës janë nga më të ndryshmet.
"Faktor apo shkaktar mund të them se është sindromi postraumatik i luftës dhe gjendja e rëndë ekonomike."
Hamide Latifi, udhëheqëse e organizatës "Gratë për gratë" në Prishtinë, thotë se niveli i ulët i arsimit në shumë raste ka bërë që gratë të mos jenë në gjendje të përcaktojnë dhunën, duke menduar se dhuna është vetëm ajo e formës fizike.
"Kufizimet të cilat u bëhen grave në lirinë e lëvizjes, në vendimarrjen në familje, rreth fëmijëve, mbajtja e pozicionit të tyre pasiv, edhe pse prej tyre ka pritje që t'i kryejnë të gjitha obligimet shtëpiake si kuzhiniere, mbajtëse të familjes, e ku ta di unë, por kur vjen fjala e fundit ato janë jashtë sistemit. Unë konsideroj se kjo është pjesë e dhunës ose e abuzimit të të qenurit të saj si subjekt".
Ndryshe kryeministri Kosumi tha se qeveria e Kosovës ka kapacitet dhe potencial, por edhe vullnet të mirë që të veprojë në mënyrë konkrete kundër dhunës në çfarëdo forme, e posaçërisht kundër dhunës që ushtrohet ndaj gruas dhe vajzave.
"Mirëpo nuk duhet të jemi të kënaqur me këto të arritura. Ne besojmë se pozita e të gjithë qytetarëve të Kosovës do të përmirësohet edhe më tej. Bërja e shtetit të Kosovës, i cili është parakusht për zhvillim të hovshëm të demokracisë, lirive njerëzore dhe të ekonomisë, do ta ndryshojë edhe më shumë pozitën e gruas në shoqërinë tonë të re. Gruaja do të jetë jo vetëm fokus respektimi, por dhe forcë shtytëse e zhvillimit të shoqërisë.
Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar ligjin për barazinë gjinore dhe ligjin kundër diskriminimit, në përpjekje për të parandaluar përdorimin e dhunës. Por zonja Deva nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, pohon se ligji nuk ka ndonjë peshë derisa të mos zbatohet.
"Në rast se do zbatohej ligji do ishte ulur pak niveli i dhunës dhe ne duam ta reduktojmë sa më tepër në këto institucione."
Sidoqoftë studimet e organizatave joqeveritare, tregojnë se numri i vërtetë i viktimave të dhunës në familje, sigurisht është edhe më i madh. Por dhuna heshtet nga vetë viktimat, kryesisht për shkak të paragjykimeve të vjetra tradicionale. Sipas këtyre studimeve, kur kësaj i shtohet edhe zbatimi jo i drejtë i ligjeve në fuqi, heshtja e viktimave dhe ngurimi për të kërkuar ndihmë është e kuptueshme.



XS
SM
MD
LG