Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

AHTISARI: SHPRESOJ QË TË DYJA PALËT TË TAKOHEN NË FILLIM TË 2006-ËS


I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari e shfaqi shpresën se takimi i parë direkt mes palës serbe dhe shqiptare do të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Në konferencën për shtyp të mbajtur pas bisedimeve në Beograd, ai tha se mandati i tij është që t'i nxitë dhe t'i mundësojë bisedimet direkte të dy palëve.
"Shpresoj se në pjesën e parë të vitit të ri do të mund t'i mbledhim të dyja palët", tha Ahtisari.
Ai tha se selia e misionit të tij në qendër të Vjenës do të "jetë në funksion të plotë" në fillim të vitit të ardhshëm, dhe paralajmëroi se në të do të ketë oficerë për lidhje me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Bashkimin Evropian dhe NATO-n, por shtoi se ashtu "si në të gjitha misionet", atje do të tubohen ekspertë të ndryshëm.
"Ata do të jenë atje shpejt pas Vitit të Ri", kurse misioni "nuk do të jetë më i madh se sa nevojitet", do të përfshijë "dhjetra njerëz", ekspertë nga fusha e drejtësisë, decentralizimit, sundimi i ligjit dhe nga lëmi të tjera.
Ahtisari tha se është i kënaqur me bisedimet që i ka zhvilluar në Beograd dhe me ato në Prishtinë, dhe shtoi se nga zyrtarët serbë ka dëgjuar qëndrime, në të cilat nuk ka patur mospërputhje.
Pata një takim shumë të mirë me presidentin Tadiq. Platformën e tij për dy entitetet e lexova para ardhjes në Beograd, por me të nuk biseduam rreth kësaj. Nuk shoh përse ta komentoj propozimin e tij, tha Ahtisari, duke përkujtuar se Grupi i Kontaktit i ka përcaktuar parimet e negociatave për Kosovën, ndër të cilat përmendi sigurinë dhe mbrojtjen e pakicave, si dhe mospranimin e ndarjes së Kosovës.
Kryeministri Koshtunica ma shpjegoi kuadrin e përgjithshëm për negociatat. Me Ministrin e Jashtëm Vuk Drashkoviq dhe presidentin Boris Tadiq, i diskutuam detajet e platformës. Nuk mund të them se kishte mospajtime midis tyre. Ajo që biseduam ishte plani i qeverisë serbe, tha Ahtisari.
Në komunikatën e lëshuar pas takimit me Ahtisarin, presidenti serb Tadiq tha se për Kosovën duhet gjetur zgjidhje specifike, e cila do t'i plotësojë nevojat e të gjitha bashkësive etnike në kuadër të sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Serbisë.
Sipas komunikatës, Tadiq i ka paraqitur qëndrimet e tij për mospranimin e zgjidhjeve të imponuara, dhe është angazhuar për procesin e decentralizimit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG