Ndërlidhjet

NË PRISHTINË MBAHET NJË AKADEMI SOLEMNE PËR DITËN E FLAMURIT


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Viti 2005 është shumëfish më i veçantë sepse janë zhvilluar shumë ngjarje të rëndësishme, të cilat do të kenë ndikim në fatin e ardhshëm të Kosovës, u shpreh zëvendëskryeministri i Kosovës Adem Salihaj, në akademinë solemne të mbajtur ditën e flamurit, për 600 vjetorin e lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kjo akademi është organizuar nën patronatin e presidentit të Kosovë, Ibrahim Rugova.
Zoti Salihaj tha se pikërisht 600 vjetori i lindjes së Skënderbeut, përputhet me punën që po bëjnë këtë vit institucionet vendore për statusin përfundimtar të Kosovës.
"Viti jubilar i 600 vjetorit të lindjes së Skënderbeut përputhet me hapat e mëdhenj që po bëjnë institucionet e Kosovës dhe qytetarët e saj për realizimin e aspiratës shumëshekullore për liri dhe pavarësi."
Zoti Salihaj tha se historia e popullit shqiptar është e mbushur me sakrifica dhe pothuajse asnjë periudhë historike nuk ka kaluar pa kryengritje të armatosur. Megjithatë zoti Salihaj tha se në të gjitha këto periudha, populli shqiptar ka luftuar për të mbushur lirinë dhe demokracinë.
"Kohët ndryshojnë, ndryshojnë edhe figurat historike, por parimet mbeten gjithmonë të njëjta, gjithmonë, deri në atë fazë kur arrihen synimet historike. Porosia e të gjitha periudhave historike është e njëjtë. Kërkohet angazhim përkushtim dhe sakrificë e vazhdueshme për t'u arritur qëllimet e mëdha kombëtare."
Ndryshe 28 nëntori nuk festohet vetëm si Ditë e Flamurit, por edhe si ditë e daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1997 dhe ditëlindjen e themeluesit të kësaj ushtrie Adem Jashari, i cili ndër të gjithë shqiptarët e Kosovës njihet si komandanti legjendar. Në këtë kuadër edhe Trupat Mbrojtëse të Kosovës që kanë dalë nga UÇK-ja, kanë filluar manifestimet e tyre për nder të kësaj dite që më 25 nëntor dhe ato përfundojnë sot me homazhet në Prekaz të Drenicës, ku edhe gjendet kompleksi memorial Adem Jashari.


XS
SM
MD
LG