Ndërlidhjet

ILIR DUGOLLI: QËNDRIMET NDËRKOMBËTARE PËR ZGJIDHJEN E STATUSIT- TË LUHATSHME


Ilir Dugolli, Instituti kosovar për hulumtim dhe zhvillim të politikave

RADIO EVROPA E LIRË
Fillimi i misionit të zotit Marti Ahtisari e ka dëshmuar edhe njëherë pozicionet krejtësisht të kundërta të Prishtinës dhe Beogradit sa i përket statusit të Kosovës. Bazuar në këto pozicione, cilat janë pritjet tuaja nga ky proces negociator?

ILIR DUGOLLI
Vërtet është jashtëzakonisht e vështirë të spekullohet se çfarë mund të pritet dhe se si do shkojë ky proces negociator. Zoti Ahtisari në një mënyrë e ka bërë me dije se procesi mund të dështojë. Ka bërë me dije se nuk është i garantuar suksesi dhe se suksesi eventual varet jo vetëm prej tij, por varet edhe nga vetë akterët, përkatësisht nga ata që shihen si palë në gjithë këtë çështje. Në masë të madhe duket se do të ketë njëfarë lloj kombinimi, fillimisht një diplomaci shëtitëse për të kaluar më tej në një diplomacie shtrënguese. Çfarë është më e çuditshmja mos them e keqe, por duket indikative se që të dy palët si në Prishtinë si në Beograd, po tregojnë pak shenja të dëshirës për të ndodhur njëfarë shtrëngimi, për të ndodhur njëfarë vendosmërie nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që të mund të justifikohen para bazës së vet, si ata në Beograd ashtu dhe ata në Prishtinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Që në fillim të procesit Beogradi doli me opsionin e ndarjes së Kosovës në vija etnike. Sa konsideroni se një pozicion i tillë i Beogradit ndihmon procesin e bisedimeve duke patur parasysh kundërshtimin e ashpër që pati ky propozim në Prishtinë?

ILIR DUGOLLI
Nuk i ndihmon aspak. Është bërë tanimë e qartë se një propozim i tillë, jo vetëm që do të hasë krejt natyrshëm në reagime të ashpra të fuqishme në Prishtinë, por ka hasur në reagime nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ngase ndër të tjera bie ndesh edhe me parimet e Grupit të Kontaktit edhe me qëndrimin deri tani të mbrojtur të bashkësisë ndërkombëtare. Kështu që vërtet është hap jashtëzakonisht që nuk ndihmon, është hap destruktiv në gjithë këtë farë procesi që sapo ka filluar. Mirëpo qartazi e tregon pozicionin real serb, pozicionin që përpiqet të maksimalizojë gjendjen aktuale, përpiqet të rrëmbejë të nxjerrë sa më shumë të jetë e mundur nga kjo gjendje që tanimë ekziston. Shenjat janë në të kaluarën edhe nga ana e Tadiqit edhe nga ana e Ministrit të Jashtëm të Unionit Serbi Mali i Zi Drashkoviq, se janë të interesuar ta kontrollojnë ta marrin një pjesë të territorit, jo të qeverisin gjithë shqiptarët.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë e shihni këtë si një moment edhe për Prishtinën, që të dalë me një qëndrim më të qartë lidhur me zgjidhjen e problemit të pakicës serbe në Kosovë?

ILIR DUGOLLI
Po, pa pikë dyshimi. Është parë edhe në këtë çështjen e rezolutës së Kuvendit që do duhej të shërbejë si kornizë për grupin negociator, por edhe në çështje të tjera më të imta, të cilat grupi negociator ka negociuar mes vetes se nuk është lehtë që ajo të arrihet, mirëpo është e domosdoshme. Në rastin e serbëve kjo do të jetë edhe më e vështirë, mirëpo po aq e domosdoshme që të dihet dhe të artikulohet se cila është pak a shumë ajo farë oferte, në aspektin e akomodimit të serbëve në shtetin e ardhshëm, shtetin e pavarur të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mund të ndihmojë në këtë çështje zbatimi i çështjes së decentralizimit, duke patur parasysh planin e Prishtinës të ofruar deri më tani?

ILIR DUGOLLI
Është vështirë të thuhet, mirëpo pa pikë dyshimi ajo do duhej të ishte si të them mundësia, përmes të cilëve serbët do të akomodoheshin realisht. Tani vetë koncepti si i tillë është jashtëzakonisht i gjerë dhe shkon kah minimumi i minimumit, që nënkupton decentralizimi dhe është devolvimi i përgjegjësive nga lëmia e arsimit, shëndetësisë primare etj, deri në segmente të tjera krejtësisht maksimale, të cilat nuk jam i sigurt sa do të ishin të pranueshme për palën kosovare mandej, sepse për palën serbe do ishin të pranueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni në anën tjetër qëndrimin e zotit Marti Ahtisari se ai do të jetë në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje të ardhshme për statusin e Kosovës, duke patur parasysh kërkesat e vazhdueshme në Prishtinë që të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme dhe ndoshta edhe e përhershme e këtij statusi?

ILIR DUGOLLI
Kjo për fat të keq tregon atë që është vënë në pah nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, njëfarë lloj kërkimi i qëndrimit minimal, kërkimi i atij emëruesi të përbashkët mes bashkësisë ndërkombëtare, që gjithsesi është minimalist dhe kriteret veç më parë jo vetëm nga zoti Ahtisari, por edhe të tjerët janë zbritur dhe është thënë se do kërkohet një lloj zgjidhje e ardhshme dhe është ndërruar retorika. Kjo si të them nuk është kuptohet për t'u lavdëruar, dhe nuk është mesazh i mirë, mirëpo varet vërtet sesa do të tregojnë vendosmëri edhe përfaqësuesit e dy palëve, dhe do të ketë vendosmëri edhe ndërmjet vetë bashkësisë ndërkombëtare që të konsolidojë qëndrimet e veta gjatë gjithë kësaj kohe sa zgjat procesi i bisedimeve për statusin.

RADIO EVROPA E LIRË
E thatë më herët se duket se të dy palët kërkojnë një shtrëngim eventual dhe eventualisht një kompromis eventual rreth statusit, në mënyrë që t'i ikin përgjegjësisë. Si e shihni këtë reflektimi të minimizimit të fuqisë që kanë lidershipi në Beograd dhe ai në Prishtinë, apo e shihni këtë si rezultat të qëndrimeve krejtësisht të kundërta ndërmjet dy palëve në bisedime.

ILIR DUGOLLI
Është kombinim i të dyjave që ju thatë, por edhe element shtesë që është si të them, ikje pak a shumë nga përgjegjësia të them të drejtën. Mund të tingëllojë si fjalë pak e vrazhdë, por ajo është përshtypja nga ajo si shihen zhvillimet edhe në Beograd, por edhe nga ajo si shihet këtu. Është gjithmonë më lehtë që të gjejmë dhe ne arsyetime. Dhe arsyetimet mund të gjenden kur qëndrimet janë rigoroze, kur nuk bëhet maksimumi i përgatitjeve në radhë të parë dhe mandej thuhet se ky ishte vullneti i bashkësisë ndërkombëtare, nuk mund të shkohet kundër bashkësisë ndërkombëtare, ose diçka tjetër.


Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG