Ndërlidhjet

KOSOVËS I DUHET NJË PËRKRAHJE MË E MADHE NË LUFTËN KUNDËR SIDË-S


NadieAhmeti, Prishtinë

Në ditën ndërkombëtare të luftës kundër SIDË-s, institucionet në Kosovë thonë se edhe përkundër faktit se përmasat e kësaj epidemie në Kosovë nuk dihen saktësisht, ajo duhet të luftohet dhe të parandalohet. Në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Qeveria e Kosovës, kryeministri Bajram Kosumi tha se grupet e prekura nga ky virus nuk duhet të margjinalizohen nga shoqëria.
“Ne duam që të gjithëve t'iu japim rastin të jetojnë jetën e tyre, duam që t'u lehtësojmë mundimet dhe të jemi më afër njerëzve. Dita ndërkombëtare e HIV/AIDS ka kuptimin e fuqishëm vetëm atëherë kur ajo të jetë përfshirëse dhe e për çdoditshe,” tha zoti Kosumi .
Edhe Larry Rossin, zëvendës i shefit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, tha se institucionet përkatëse duhet ta luftojnë këtë sëmundje para se të rritet numri i të infektuarve me virusin HIV.
“Numri i njerëzve të infektuar me këtë virus në mbarë botën është duke u rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe ata prapa vetes janë duke lënë familjet dhe të dashurit e tyre. Kësisoji po dëmtohen popuj të tërë dhe ekonomitë e shumë vendeve,” tha zoti Rossin.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka thënë se Kosova bën pjesë në grupin e vendeve me nivelin më të ulët të të infektuarve në rajon. Zëvendësministri Astrit Ajeti megjithatë shpjegoi se cilat janë kategoritë më të rrezikuara nga kjo epidemi.
“Në Kosovë, ka lulëzuar “industria e seksit”, me punëtorë të seksit që vijnë nga shtetet me shkallë të lartë të HIV-it dhe në lidhje me krimin e organizuar, i cili e vështirëson jetësimin e aktiviteteve parandaluese. Njerëzit në Kosovë janë duke ndryshuar në mënyrë të vrullshme sjelljet e tyre seksuale. Kjo vlen sidomos për rininë dhe homoseksualët që kanë njohuri dhe mënyra të pamjaftueshme për seks të sigurt, duke përbërë kështu një kërcenim plotësues në përhapjen e infeksionit me HIV,” tha zoti Ajeti.
Por, Edona Deva, kryesuese e Komiteti Kosovar për HIV/AIDS, pohon se Kosova tashmë i ka të gjitha parakushtet dhe faktorët e rrezikut për të qenë një vend me epidemi me shkallë shumë më të lartë sesa që pasqyrohet në raporte. Pikërisht për këtë, zonja Deva, tha se Kosovës i nevojitet një përkrahje edhe më e madhe, në mënyrë që të menaxhojë epideminë në nivelin që paraqitet sot.
“Partneriteti është çelësi i suksesit në luftën tonë të përbashkët për të parandaluar përhapjen dhe në këtë luftë duhet të jemi nga më të ndryshmit për të qenë më të fuqishëm” tha zonja Deva .
Zoti Kosumi ndërkaq tha se qeveria e Kosovës do të ndjekë politikat që i zhvillojnë dhe i zbatojnë qeveritë e vendeve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatat botërore relevante, që trajtojnë këtë problematikë.
“Prandaj ne besojmë se do të sigurojmë një këshill nacional ose një qendër nacionale kundër AIDS, ku do të kyçen të gjitha institucionet adekuate, ministritë, komiteti kosovar për AIDS dhe të gjitha organizatat e tjera që kanë punuar dhe janë aktive në parandalimin e kësaj sëmundje në Kosovë” tha kryeministri Kosumi.
Sidoqoftë, virusi HIV në Kosovë është paraqitur në vitin 1986. Që prej atëherë, numri i të infektuarve është 65, 25 prej të cilëve kanë vdekur, përfshirë këtu edhe një fëmijë 13 vjeçar. Vetëm gjatë këtij viti, në Kosovë janë evidentuar edhe katër raste të reja të infektimit.


XS
SM
MD
LG