Ndërlidhjet

KEK-U FILLOI ZBATIMIN E FUSHATËS ABC


Bekim Bislimi, Prishtinë

Fushata e ashtuquajtur ABC, të cilën e ka paralajmëruar Korporata Energjetike e Kosovës, ka filluar që nga mëngjesi i sotëm. Kështu thotë Palok Berisha, zyrtar për marrëdhëniet me mediat i kësaj korporate. Sipas tij, kjo fushatë parasheh kategorizimin e konsumatorëve dhe furnizimin e tyre me energji elektrike në bazë të shlyerjes së borxheve të tyre ndaj korporatës energjetike.
"Sot në orën 7 të mëngjesit KEK-u filloi furnizimin në bazë të planit ABC, domethënë kategorizimit të konsumatorëve. Për ditën e sotme plani është kështu: 24 me 0 furnizohet grupi A, grupi B -5 me 1 dhe grupi C -3 me 2."
Zoti Berisha tha se nuk do të ketë reduktime të energjisë elektrike për rajonet brenda vendbanimeve të caktuara, të cilat kanë arritur që të paguajnë borxhet ndaj Korporatës Energjetike mbi 70 përqind. Ndërkaq rajonet të cilat nuk e kanë arritur këtë përqindje, ose kanë përqindje të ulët, do t'i nënshtrohen orarit të reduktimeve, ose do të furnizohen vetëm nga energjia e cila tepron, thekson zoti Berisha.
"Ne kemi të bëjmë më shumë me qytete, qytete si Prishtina, Gjakova, Gjilani dhe kështu janë këto qytete që pak a shumë, po flasim për brenda qytetit jo si komunë por si qytete, kanë shkallën e inkasimit më të lartë dhe për atë përafërsisht ata gjenden në grupin A dhe B. Ndërsa pjesët e tjera të Kosovës janë më shumë në grupin B dhe në grupin C. Ne sërisht do t'i qesim listat e lagjeve dhe pjesëve të Kosovës se në cilën kategori janë, ndërsa nga dita e sotme në secilën fakturë që do t'u shkojë, konsumatori do të ketë informatën se në cilën kategori është ai konsumator".
Sipas zotit Berisha, Korporata Energjetike e Kosovës, tashmë i ka të dhënat se cilat rajone kanë arritur përqindjen e kërkuar të shlyerjes së borxheve dhe në bazë të kësaj do të bëhet dhe furnizimi përkatës sipas kategorive. Ai tha se në rajonet të cilat do të futen nën kategorinë C, e cila parashihet që t'i nënshtrohet redukimeve pa orar, mund të ketë dhe raste individuale të konsumatorëve, të cilët kanë shlyer obligimet ndaj korporatës energjetike dhe sipas tij do të përpiqet që të ketë qasje korrekte ndaj tyre.
"Ne e kemi një qasje mjaft brengosëse përsa i përket vetëm një grupi të konsumatorëve që mund të ndodhë të jenë në kategorinë C, e cila më së dobti do të furnizohet me energji elektrike dhe të cilët janë pagues të rregullt. Këtu do ta kenë problemin dhe orientimet tona do të jenë në këtë drejtim, në mënyrë që t'u japim rastin atyre që të zgjidhin problemin e tyre".
Sidoqoftë, sipas zyrtarit të KEK-ut për marrëdhëniet me mediat, Palok Berisha, korporata është e detyruar që të ndërmarrë fushatën ABC.
"Ne kemi qenë të detyruar të zbatojmë një plan të tillë, përkundër faktit se çfarëdo plani, nuk mund të jetë i përkryer që konsumatorët të mos diskriminohen pak më shumë, por situata është jashtëzakonisht e rëndë".


XS
SM
MD
LG