Ndërlidhjet

NË PRISHTINË FILLOI NJË TAKIM KU PO DISKUTOHET STATUSI I KOSOVËS


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Zgjidhja e statusit përfundimtar të Kosovës do të stabilizonte situatën në rajon. Kështu kanë konstatuar ekspertë dhe publicistë kosovarë në një tryezë të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Relacione Etnike të Kosovës.
Tema e diskutuar në këtë tryezë është "Dialogu para fillimit të bisedimeve për statusin e Kosovës".
Fadil Maloku, drejtor i këtij instituti tha se qëllimi kryesor i debatit të sotëm është sensibilizimi i opinionit kosovar dhe atij serb me vendimet që duhet të marrin grupet politike, gjatë procesit të zgjidhjes së statusit politik.
"Konsideroj që qytetarët e Kosovës kanë nevojë të njihen dhe mendoj që një debat publik qytetar në kuptimin e dhënies së informacioneve të bollshme, lidhur me procesin në të cilin ka hyrë Kosova, është në mangësi. Në këtë drejtim unë konsideroj që informacionet i marrin vetëm nga diskursi politik."
Dushan Janiç, drejtor i Forumit për relacione etnike, ndërkaq tha se çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës, në realitet është çështje e marrëdhëneive të ardhshme të dy vendeve fqinje të shqiptarëve dhe serbëve dhe konceptit të tyre për një jetë të përbashkët fqinjësore apo për bllokim të marrëdhënieve me njëri tjetrin.
Pikërisht për këtë zoti Janiç tha se politikanët dhe shoqëria kosovare duhet të bindin në radhë të parë bashkësinë ndërkombëtare se Kosova është një shoqëri funksionale, e cila mund ta udhëheqë vetveten.
"Atëhere do të jetë më e lehtë për Beogradin dhe Shkupin të deklarohen se duhet shkuar në atë që quhet kapaciteti ndërkombëtaro juridik. A do ta quajë atë dikush pavarësi të kushtëzuar, pavarësi tranzitore, apo shkallë më e lartë të autonomisë, kjo nuk është relevante," tha zoti Janiç. Në të ardhmen ai Kosovën e sheh si një shoqëri me strukturë efikase, e cila funksionon sipas të gjitha standardeve, të rregullave të Bashkimit evropian.
Nenad Gjurgjeviq nga Beogradi tha se shpesh nuk janë të qarta qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare, mbi atë që ajo e quan qëndrueshmëri dhe zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën.
"Nuk ka dilemë se bisedat rreth statusit të ardhshëm të Kosovës do të thonë përcakim i statusit në tranzicion, i cili do të çojë kah integrimet euroatlantike dhe i cili tërë rajonin do ta sillte në Bashkimin Evropian", tha zoti Gjurgjeviq.
Organizatorët e këtij takimi, i cili do të përmbyllet nesër me rekomandime konkrete, pohojnë se debate të tilla nuk janë ato që vendosin për procesin e rëndësishëm të përcaktimit të statusit, edhe pse siç u tha kjo çështje nuk mund të cilësohet si monopol i një grupi të caktuar politik.
XS
SM
MD
LG