Ndërlidhjet

DECENTRALIZIMI NUK DO TË JETË PJESË E BISEDIMEVE PËR STATUSIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Decentralizimi i pushtetit në Kosovë nuk mund të jetë pjesë e negociatave Prishtinë-Beograd për statusin, por zhvillimi i këtij procesi do të jetë një pako përcjellëse e zgjidhjes së statusit, është thënë sot pas takimeve që shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen i ka zhvilluar me udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Presidenti i Kosovës,Ibrahim Rugova tha se decentralizimi është çështje e Kosovës dhe do të zhvillohet në Kosovë.
"Ju lutem ajo është çështje e Kosovës. Ne kemi punuar në këtë plan, kemi filluar një proces të decentralizimit me pilot projektet dhe më vonë me një reformë të përgjithshme që do të bëhet. Për ne është më lehtë me njohjen e pavarësisë, por ne do të punojmë në këtë plan dhe është çështje e Kosovës dhe është jashtë çështjes së pavarësisë. Unë i them paketa përcjellëse e pavarësisë. Edhe në çështje të tjera si mbrojtja e pakicave, siguria, kemi patur progres dhe do të bëjmë edhe më shumë", tha presidenti Rugova.
Duke u ndërlidhur me një takim të paralajmëruar tashmë për decentralizimin midis Ministrit të Pushtetit Lokal në qeverinë e Kosovës, Lutfi Haziri dhe homologut të tij nga qeveria e Serbisë Zoran Llonçar që do të mbahej në Vjenë, presidenti Rugova tha se vendimi për këtë takim u takon institucionit të Kosovës dhe jo delegacionit për bisedime. Sidoqoftë Rugova nuk e përjashtoi mundësinë e mbajtjes së këtij takimi, duke besuar se takime të tilla do të shërbejnë për diskutimin e çështjeve teknike dhe jo për zbatimin e decentralizimit në Kosovë. Ndërkohë që Soren Jessen Petersen tha se decentralizimi nuk është njëri prej tetë standardeve, por ky proces tha ai, është një mjet me të cilin mundësohet përmbushja e disa standardeve më të rëndësishme.
"Decentralizimi është një proces që udhëhiqet nga Prishtina dhe ne po flasim për vetëqeverisjen lokale në Kosovë. Por më parë ka patur dhe ide që të shihet Marrëveshja e Ohrit dhe mendoj se ka pika që mund të jenë të dobishme edhe për Kosovën," tha Jessen Petersen. Ai tha po ashtu se UNMIK-u nuk ushtron ndonjë trysni mbi institucionet kosovare apo mbi ministrin Lufti Haziri, që ai të takojë homologun e tij serb Llonçar, por, tha ai, edhe pse decentralizimi është çështje e Kosovës, është mirë që të dëgjohen edhe pikëpamjet e Beogradit lidhur me këtë proces, duke e ditur se ai në masë të madhe ka të bëjë me pozitën e pakicës serbe në Kosovë. Me rëndësi, tha Petersen, është që parimet e Grupit të Kontaktit nuk lejojnë ndarjen e Kosovës, kështu që mbi këto baza me Beogradin mund të bisedohet edhe për decentralizimin. Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Kosovës Nexhat Daci, tha se institucionet e Kosovës nuk po vonohen në zbatimin e decentralizimit.
"Qytetarëve u duhet thënë e vërteta. Nuk i kemi kryer ne të gjitha punët që të themi që nesër do ta kemi pavarësinë. Është një proces shumë serioz që kërkon shumë përkushtim, kërkon shumë energji dhe profesionalizëm dhe mbi të gjitha vullnet politik që qytetarët e Kosovës ta kenë të njëjtin shanc për të njëjtin zhvillim. Për këtë unë nuk jam kurrë pesimist", tha Nexhat Daci.


XS
SM
MD
LG